Ndonëse i trajtuar si një art i dorës së dytë, para viteve ’90 të shek. XX, në ndryshim nga artet e tjera pamore, fotografia ka qenë pararojë. Ajo është zhvilluar thuajse paralelisht si në vendet e tjera të Europës, ku nisi të zhvillohej fotografia ...

Fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX numëron emra të mëdhenj fotografësh, madje u ngritën në këmbë edhe dinasti, të cilët na kanë dhënë mundësi të shohim sot të paprekur Shqipërinë e atyre viteve: peizazhe, portrete, mënyra jetese, veshje… Ne do të ndalojmë në tre pre tyre.

Marubi

Marubi

Marubi

Pietro Marubbi, italiani i lindur në Piacenza të Italisë në vitin 1834, mbështetësi i flaktë i Garibaldit, do ta lidhte jetën e tij përjetësisht me Shqipërinë dhe do të hynte në histori si fotografi i parë i vendit tonë. Përndjekja nga forcat austro-hungareze e detyruan italianin Marubbi të emigronte drejt Shqipërisë, ku mbërriti rreth vitit 1850. I lidhur ngushtë me vendin që e mirëpriti e që u kthye në atdheun e tij të dytë, Pietro do ta shqiptarizonte edhe emrin e tij për tu njohur tashmë nga të gjithë si “Pjetër Marubi”. Pikërisht këtij pionieri të fotografisë shqiptare i njihet merita e padiskutueshme, që solli për herë të parë në Shqipëri aparatet fotografike e me to arriti të përcjellë deri në ditët tona figura e portrete njerëzish të shquar e jo vetëm, peisazhe të ndryshme, por dhe momente nga ngjarjet historike më të rëndësishme, ato që lanë gjurmë në memorien e brezave. Por krahas mjeshtërisë në artin e fotografisë, Pjetër Marubi ishte dhe piktor, skulptor e arkitekt. I vendosur në Shkodër, djepin e kulturës shqiptare, Marubi hapi të parën studio fotografike “Foto Marubi” e aty shkrepi dhe atë që mendohet si fotoja e tij e parë, kushtuar kaçakut të njohur të atyre anëve “Hamzë Kazazi”(1858).

Fotografi nga Marubi - Foto nga Fototeka Marubi

Fotografi nga Marubi - Foto nga Fototeka Marubi

Pas shkrepjes së parë në 1858, Pjetër Marubi nisi të dalë nga studioja e tij për të shkrepur tashmë shumë foto të tjera në natyrë, që do të përjetësonin copëza të tëra të realitetit shqiptar duke i dhënë udhë kështu, asaj që më vonë do të quhet nga të huajt “epoka e artë e fotografisë shqiptare”. Tre vjet pas shkrepjes së parë, në vitin 1861 ai realizoi peizazhin e parë fotografik që paraqet Shkodrën. Dalëngadalë, Pjetër Marubi nisi të përthithi mendësinë e shqiptarëve.

Pjesa më e madhe e fotove të tij janë stampuar në bardhë e zi, por ka edhe në sepje. Krijimtaria fotografike e Pjetër Marubit përfshin shumë zhanre si fotoportretin, peizazhin natyror dhe urban, etnografinë, historinë, fotografinë me subjekte sociale, etj.

150 mijë negativët e përcjellë deri në ditët tona përbëjnë një nga dëshmitë më autentike e të rralla të historisë së vendit tonë, traditave, etnografisë e kulturës shqiptare.

Gjon Mili Foto nga Life

Gjon Mili Foto nga Life

Gjon Mili

Gjon Mili, lindi në Korçë në vitin 1904, mërgoi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923 dhe studioi në Institutin e Teknologjisë të Masaçusec-it si inxhinier ndriçimi dhe u bë i famshëm si fotograf për revista të njohura amerikane, si Life dhe Fortune. Me mjeshtërinë e tij prej fototgrafi, ai e çmontoi idenë se momenti brenda fotografisë qëndron përjetësisht i ngurtë.

Mili ishte një pionier i fotografisë flash (me dritë) si dhe një nga të parët që përdori teknikën stroboskopike (fenomen vizual që ndodh kur lëvizja është e vazhdueshme). Stroboskopika përdorej si metodë, por vetëm në shkencë. Ishte Mili që e masivizoi edhe në fusha të tjera të fotografisë.

Ai u përpoq të studionte lëvizjen dhe ndërveprimin e trupit të njeriut duke fotografuar valltarë, muzikantë, aktorë me teknika të ndryshme. Për 15 vjet ai ka punuar si fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”, ku ka pasqyruar në fotografi figura të rëndësishme të artist dhe kulturës botërore, si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski, aktoren Helen Vajgel, këngëtarët Frank Sinatra dhe Pol Robson etj.

Në vitin 1949 ai u dërgua nga revista Life për të fotografuar artistin Pablo Picasso, me të cilin krijoi një seri fotosh, në Valori të Francës. Ndër to ishte edhe ajo më e njohura, me titull “Pikaso duke vizatuar me dritë”, që gjendet në shumë albume të fotografisë botërore.

Në vitin 1952 hapi ekspozitën kushtuar Pikasos në Galerinë e Parisit, gjithashtu mori pjesë edhe në ekspozitën kolektive më të madhe të fotografëve të shekullit të kaluar me emrin “Familja e njeriut”, hapur në New York në vitin 1955.

Ai mbeti gjatë gjithë jetës një shqiptar, duke mos ndryshuar shumë gjëra, që nga emri i tij, të cilin e shkroi gjithmonë “Gjon”, duke thënë se “ai shkruhet dhe lexohet kështu vetëm në Shqipëri”. Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, SHBA me 14 shkurt të vitit 1984.

Kristaq Sotiri

Kristaq Sotiri

Kristaq Sotiri

Korça është një qytet i veçantë që dallohet për shumëllojshmërinë e kulturës.

Kristaq Sotiri lindi në një periudhë të ndryshimeve të mëdha, në vitin 1883 në fshatin Mborje. Emigroi në SHBA dhe kishte një interes të veçantë dhe talent në fushën e fotografisë. Më pas ai punon në një studio me fotografin e shquar George Steckel. Aty ai përvetëson artin e fotografisë. Kur kthehet në Korçë në bashkëpunim me piktorin e famshëm Vangjush Mion, ai hap studion e tij private ‘’Studio Sotiri’’. Dy dëshirat e tij ishin të fiksonte natyrën me aparatin e tij dhe qenien njerëzore me gjithë ngjyresat e tij. Mendohet nga studiuesit se ka me mijëra fotografi të ruajtura. Janë të njohura portretet “Lypësi mandolinist”, “Gajdexhiu” etj. K. Sotiri mori pjesë në një ekspozitë të artizanatit shqiptar në Tiranë më 1931 dhe në Bari të Italisë ku fitoi medalje.

Ndër shumë portrete të njohura është dhe portreti i këngëtares së famshme Tefta Tashko Koço nëpërmjet fotove. Kristaq Sotiri e kaloi jetën duke fiksuar jetë njerëzore në celuloid dhe duke iu dhënë atyre jetë përtej jetëve të tyre që vijnë në ditët sot si një pasuri e jashtëzakonshme për ta njohur atë kontekst të ngjarjeve, emocioneve, tipologjisë së karaktereve. Ai rreshtohet bashkë me Kel Marubin në esencën e fotografisë shqiptare, si një zë i rëndësishëm i imazhit në Shqipëri të shekullit të XX.

Imazhe të njerëzve të veshur me veshje tradicionale shqiptare, por edhe të atyre që janë veshur me rroba moderne të kohës, portrete grash dhe burrash, lypsarë, endacakë, shumë herë dhëndurrë e nuse të reja ditën e martesës, janë personazhet që ndeshim në fotografinë e tij. Ai është fotografi që e ka fototgrafuar më së shumti Korçën, shtëpitë, sokaqet, pazarin e famshëm e deri tek rrugët e mbuluara me bore.

Sotiri është konsideruar si pionier i fotografisë moderne. Pavarësisht se nuk mund të krahasohet me fondin e Marubit, ai është nga më të rëndësishmit dhe një figurë e madhe e artit pamor.

Neritana Kraja