Ledian Gjeci është skenarist i njohur në Shqipëri. Ai ka studiuar për regji teatri dhe spektakli. Eksperiencën e ka nisur në serialin e njohur:" Familja Kuqezi" i cili u prit mjaft mire nga publiku. Punën si skenarist Lediani e vazhdoi me sukses në spektaklin televiziv "Kosherja" që transmetohet në ABC.

Lediani ka hedhur tashmë një tjetër hap në karrierë, duke sjellë librin e pare " Pak Pakt".

Ledian Gjeci (Facebook)

Ledian Gjeci (Facebook)

CMG : Ledian, sa e vështirë është të njohim veten?

Ledian Gjeci : Gjithnjë e kam parë këtë si një pyetje të vështirë, jo se me mungojnë fjalët dhe nuk di se çfarë të flas për veten, por është i gjithë procesi që më bën të mendoj se është i vështirë. Unë jam një regjisor dhe dramaturg i ri që kam mbaruar për regji teatri dhe spektakli në vitin 2015 së bashku me master. Kam punuar në teatër në Tiranë dhe jashtë Tiranës. Nuk më mungojnë eksperiencat televizive duke nisur si asistent e deri në pozicione të tjera. Si fillim marëdhënia ime me skenarin ka qenë në filmin "Familja Kuqezi", i cili rezultoi tepër i suksesshëm.

Një arritje në eksperiencën time si skenarist vijon me “Kosheren” një program i rëndësishëm televiziv, i cili transmetohet në ABC.

CMG: A jeni sot produkt i mendimeve dhe asaj që keni synuar në të kaluarën, apo ndoshta edhe që në fëmijëri?

Ledian Gjeci : Nuk mund të them që e kisha menduar qëkurse i vogël se do të isha ky që jam sot. Në kohën time të lirë unë zgjedh të pikturoj dhe t’i dedikohen edhe skulpturës. Vij nga një vend i vogël siç është Lushnja dhe atje aktrimi nuk vlerësohet, sepse nuk ka njerëz që të merren me fëmijët. Nuk e kisha zbuluar ende diçka të tillë tek vetja.

Dikur isha artisti i shkollës dhe merrja vlerësime gjithnjë. Kjo ishte arsyeja ndoshta që unë të bëhesha aktor apo të isha sërish në qendër të vëmendjes. Më pas nisa me të shkruarit e skenarit absolutisht modeste, por besoj fort tek shprehja se: "Njerëzit e nisin që në fëmijëri idenë se kush duhet të jenë dhe bëjnë mirë që ëndrrat t’i ndjekin".

CMG : Cili është kontakti juaj i parë me skenën dhe si i mbani mend ato momente?

Ledian Gjeci : Ka qenë herët kontakti i parë dhe është një pyetje tepër emocionuese, sepse edhe pse dalja ka qenë amatore, por emocionet ishin të papërballueshme. Kontakti i parë profesional me skenën ka qenë kur nisa vitin e parë në fakultet. Gjithashtu edhe përballja si regjisor me publikun është tepër e rëndësishme dhe emocionuese. Sipas një studimi "Një njeri i emocionuar në skenë është si një njeri që bën aksident dhe nuk ka pasoja".

Ledian Gjeci në shown Kosherja (Facebook)

Ledian Gjeci në shown Kosherja (Facebook)

CMG : Cilat janë rolet më të preferuara?

Ledian Gjeci : Nga pedagogët gjithnjë kemi marrë një mësim që duhet të jemi në jetë qytetarë të ndershëm dhe të denjë. Në skenë nuk duhet të jesh aspak pasiv. Mua më pëlqen shumë komedia. Ka qenë një komedi "Burri i gruas sime", e cila ka qenë komedia ime e parë në skenë. Së fundmi kam pasur një performance në Shkup ku kam performuar legjendat e vjetra shqiptare, Rozafati dhe Gjergj ElezAlia. Ishte hera e parë që jepja diçka jashtë vendit dhe ishte emocion më vete.

CMG : Si e shihni publikun, a është ai artdashës ndaj teatrit dhe jo vetëm?

Ledian Gjeci : Në fakt ka paragjykime për sa i përket publikut, por ne kemi disa parime dhe dilema njëkohësisht në teatër, nëse duhet apo jo që publiku të na imponojë shijet e veta, apo duhet t’i imponojnë ne publikut shijet elitare. Mund të them që kemi rënë në një të mesme të artë. Faji kryesor i publikut vjen nga politikat jo të mira sepse duhet të ketë më tepër hapësira teatrore.

CMG : Cilën fazë të karrierës e sheh si trampolinë për gjëra më të mëdha?

Ledian Gjeci : Mendoj që kjo është trampolina ime. I realizuar nuk ndihem ende sepse nëse do ndihesha i tillë ky do ishte tavani im dhe nuk do të kisha përmirësim. Ekuilibri im është mes televizionit dhe teatrit. Teatrin nuk dua ta lë kurrë sepse aty marr satisfaksion dhe emocion tepër të madh.

CMG : A jemi ne produkt i fatit apo punës?

Ledian Gjeci : Është harmoni mes të dyjave, por fati ndihmon guximtarët. Shpesh fati përdoret si justifikim për të justifikuar situatën në të cilën dikush ndodhet. Mund të jetë kjo një situatë e mirë ose e keqe.

Libri Pak Pakt nga Ledian Gjeci

Libri Pak Pakt nga Ledian Gjeci

CMG : Libri juaj, "Pak Pakt"...Pse ky titull?

Ledian Gjeci : Duket që në kopertinë janë dy duar. Një dorë e pastër, që kërkon ndihmë dhe një dorë tjetër e zezë, që ofron ndihmë. Është një pakt i vogël për të shpëtuar diçka, por humbet shumë më shumë se sa kaq. Unë këtu jam përqendruar tek një problematikë e në të dyve. Shpesh kemi dilema të mëdha, nëse ja vlen apo jo të jetosh këtu. Shumë të rinj kanë ikur dhe kanë lënë gjjthçka nga një vend i pasur si i yni. Si ka mundësi që ndihemi të varfër?! Ky është subjekti. Ai tregon dy të rinj që duan të ikin në çdo lloj mënyre, duan të ikin jashtë vendit. Atyre ju duhet të bëjnë një kompromis tepër të madh për të ikur. Plani nuk ishte në harmoni me atë që ndjenin ata vetë dhe këtu nis lufta. E gjjtha përfundon me tragjedi!

CMG : Pse ke zgjedhur tragjedinë në fund?

Ledian Gjeci : Në fakt unë kam zgjedhur një ironi të mirëfilltë në këtë libër dhe nëse lexohet në kopertinë shkruhet :"Komedi e zezë sterrë". Vetëm fundi është tragjik nuk e ruan këtë linjë gjatë gjithë librit. Heronjtë sakrifikohen me vetëdije.

CMG : Cilat janë impresionet që ju ka lënë ky libër?

Ledian Gjeci : Më ka lënë një shije të mirë për të pasur një hap të rëndësishëm drejt karrierës si dramaturg.

Intervistoi Megi Latifi