Algerti ka lindur në qytetin e Librazhdit dhe në fëmjëri ka emigruar në Greqi, ku dhe jeton aktualisht me familjen e tij. Ai ka studiuar për arkitekturë, por që në moshë të vogël është marrë me modelim. Vitet e fundit Algerti po merret edhe me muzikë dhe ka publikuar disa produksione të tij. Në një intervistë për CMG ai na tregon për eksperiencën si model si dhe qëllimet e tij në të ardhmen në fushën e artit.
Algert Qoshku (Facebook)
CMG: Algert përshëndetje dhe mirë se erdhe në rubrikën Autostradë në Radio Ejani.
Algert Qoshku: Faleminderit për ftesën në Radio Ejani dhe në emisionin tuaj.
CMG: Sa kohë keni që jetoni në shtetin fqinj?
Algert Qoshku: Unë kam 20 vite që jetoj në Greqi dhe kam ikur që në moshë të vogël dhe jetojmë me familjen atje. Në Shqipëri vijmë tre herë në vit, varet sipas projekteve dhe punëve që kemi. Pra vijmë shpesh dhe nuk është se e kemi harruar Shqipërinë, nuk e harrojmë asnjëherë.
CMG: Besoj se jeni ambientuar lehtë me jetën në Greqi, duke ditur se keni shkuar atje në moshë të vogël?
Algert Qoshku: Unë jam i ambientuar dhe me jetën në Greqi, por dhe me jetën këtu në Shqipëri sepse unë vij shpesh, si edhe rrugën që kam ndjekur, muzikën dhe modelingun. Kështu që duke ardhur shpesh jam i ambientuar, si atje ashtu edhe këtu dhe është diçka që nuk më bën përshtypje se ku jetoj.
CMG: Si erdhi dëshira për t’u marrë me modelingun dhe botën e spektaklit?
Algert Qoshku: Kjo ishte thjesht një rastësi, sepse unë u informova përmes internetit në faqen zyrtare të këtij eventi dhe më ftuan të merrja pjesë ku dhe zura vendin e parë si Mister Albania në vitin 2018. Kjo erdhi krejt papritur sepse as vetë nuk e prisja, por ishte rastësisi që të zija vendin e parë në atë spektakël dhe nuk është që jam marrë shumë me modën, sepse pasi mora titullin u shkëputa më vonë.
Algert Qoshku (Instagram)
CMG: Ju thatë përmes rrjeteve sociale, kishit publikuar fotot tuaja që ju ftuan të merrin pjesë në këtë event?
Algert Qoshku: Para se të merrja pjesë në këtë spektakël, unë jam marrë me foto artistike ku kam reklamuar edhe rroba të dyqaneve si kostume, dhe më pëlqente kjo gjë që unë të merrja pjesë aty. Konkurova pa asnjë lloj mendimi se unë do të fitoja në atë konkurs, pra ishte më tepër rastësi dhe për të bërë një hap më tej.
CMG: Ku u zhvillua spektakli Mister Albania?
Algert Qoshku: Ky spektakël u zhvillua në vitin 2018 në Pejë të Kosovës, ku mori pjesë Shqipëria dhe Kosova. Kemi qëndruar disa ditë në Kosovë dhe gjithësesi ishte diçka e bukur për mua.
CMG: Çfarë emocionesh përjetuat, kur ju midis djemëve të tjerë konkurentë u shpallët fitues?
Algert Qoshku: Me thënë të drejtën në momentet e para që mora atë titull, nuk e besova as vetë sepse ishte diçka e papritur dhe nuk po e kuptoja as vetë që unë isha fituesi. Gjithësesi me kalimin e kohës fillova ta kuptoja rëndësinë e atij titulli “Mister Albania”.
CMG: Pse u shkëputët nga rruga e modelingut dhe nuk vijuat me spektakle të tjera?
Algert Qoshku: Unë u shkëputa edhe për arsye të moshës. Kur kalon mosha nuk ja vlen që të merresh sepse unë thjesht mora një titull dhe ishte ajo që unë doja, që të kisha diçka në jetën time. Mosha bën të veten sepse kalojnë vitet dhe nuk kisha shumë durim të merresha më me modelingun.
CMG: Ndërkohë që nga arti nuk u shkëputët sepse ju nisët një rrugëtim tjetër në fushën e muzikës. Cila është rryma që interpretoni?
Algert Qoshku: Unë edhe më parë këndoja, por thjesht nuk kisha publikuar klipet e mia. Pas kësaj mu dha mundësia sepse më përpara nuk e kisha mundësinë, siç thashë më parë kam jetuar emigrant dhe nuk i kishim ato mundësitë në pjesën e muzikës. Tani unë muzikën e shikoj si biznes dhe merrem me koncerte, dasma dhe evente të tjera.
Algert Qoshku (Facebook)
CMG: Keni pasur koncerte në Greqi para kohës së pandemisë?
Algert Qoshku: Para pandemisë kam pasur shumë koncerte, ku çdo gjë ka qenë me sukses dhe jam shumë i kënaqur nga koncertet që kam bërë në Greqi. Unë kudo që kam shkuar kam qenë shumë i suksesshëm.
CMG: Të bësh art, qoftë dhe muzikë është më e lehtë në një vend të huaj, apo në vendin tënd?
Algert Qoshku: Mendoj se në Shqipëri, sepse unë vërtetë kam jetuar në Greqi, por mendoj se po të jetoja këtu do isha më i suksesshëm në fushën e artit, por ngaqë kemi qenë larg Shqipërisë, kështu që është pak e vështirë kjo pjesë.
CMG: Ju duket e vështirë rruga e artit, duke parë që konkurenca është e madhe kudo?
Algert Qoshku: Nuk më duket e vështirë sepse çdokush ka suksesin e vet, çdokush e bën publikun e vet me atë që është dhe që mundet dhe nuk ka lidhje konkurrenca. Çdokush në art dhe muzikë është ndryshe dhe unë nuk shikoj askënd si konkurrent.
CMG: Nëse do të jetoje këtu mendon se do të kishe më shumë suksese?
Algert Qoshku: Patjetër që po dhe nuk e vë në dyshim këtë që do isha më i suksesshëm sepse këtu janë mundësitë për shumë gjëra që mund të bësh sesa mund të jenë në një vend të huaj. Në Greqi janë mundësitë që të marrësh pjesë në evente të shqiptarëve, ndërkohë që këtu janë shumë gjëra, që te emisionet televizive që të ndihmojnë dhe mund të ecësh shumë më përpara sesa jashtë vendit.
Algert Qoshku (Instagram)
CMG: Ju ka mbështetur familja në rrugën e artit?
Algert Qoshku: Familja ka qenë mbështetje e madhe për mua që në ditët e para që unë jam futur në art. Familjen e kam pasur pranë gjithmonë dhe jam shumë i lumtur për këtë.
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Athinë?
Algert Qoshku: Unë përveçse muzikës merrem dhe me një biznes tjetër, por është një jetë normale si çdo emigrant që jeton atje. Unë nuk e shikoj atë pjesë që jam artist dhe duhet të jetoj ndryshe, unë e bëj jetën si të gjithë emigrantët e tjerë sepse unë vij nga një familje emigrantësh dhe nuk mund ta shikoj veten larg të tjerëve.
CMG: Si e shikoni të ardhmen tuaj në fushën e artit?
Algert Qoshku: Gjithmonë mundohemi për sa më lart, duke pasur mundësinë të bëjmë këngë të reja dhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Algert Qoshku: Ju përshëndes dhe faleminderit për ftesën në emisionin tuaj dhe do të thoja për çdo artist të ri që ëndrrat e tyre duhet të mundohen që t’i realizojnë gjithmonë.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Algert Qoshku ne interviste per CMG