Piktori i njohur Ismail Lulani, një ndër artistët më brilant të artit figurativ shqiptar, u kthye me veprat e tij më të mira të krijuara ndër vite, në një ekspozitë të realizuar së fundmi në Tiranë. Ishte ëndrra dhe këmbëngulja e gjatë e së bijës, piktores Orjeta Lulani, për të ekspozuar veprat e të atit, pas vdekjes së artistit, por që u bë e mundur vetëm tani së fundmi.

Autoportret i piktorit ne moshe te re - Foto Facebook nga faqja zyrtare e piktorit

Autoportret i piktorit ne moshe te re - Foto Facebook nga faqja zyrtare e piktorit

Piktori elegant që kurrë nuk e ktheu veprën e tij në shabllon, një artist tejet estetik, që e donte me shpirt të bukurën dhe la një serial veprash fantastike, një pjesë të panjohura nga publiku, me këtë ekspozitë përshfaqi gjithë më të mirën e tij.

Ekspozita e hap në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Duke u munduar të ndajë ndjesitë e saj, mes konsideratës për artistin nga njëra anë dhe atin nga ana tjetër, piktorja Ormira Lulani, ishte e bindur se pikturat e Lulanit të madh, nuk duhet të flinin në fondin e Artë të Galerisë së Arteve në Tiranë, ku ruhen një pjesë e tyre, apo në koleksionin privat të familjes apo miqve të tjerë, por duhet të prezantoheshin dhe të adhuroheshin nga të gjithë, pasi përmasat dhe vlera e tij si piktor, si artist, është e jashtëzakonshme.

Në këtë linjë erdhi edhe prezantimi për herë parë i ekspozitës retrospektive të piktorit të njohur Ismail Lulani, një nga emrat më të mëdhenj të artit tonë.

Ekspozita e piktorit Ismail Lulani - foto

Ekspozita e piktorit Ismail Lulani - foto

Në pikturën shqiptare, piktori Ismail Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist ekspresiv, i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, që ndikoi së bashku me Danish Jukniun, Sali Shijakun, Skënder Kamberin, Edi Hilën, Bashkim Ahmetin, etj, në modernizimin e pikturës shqiptare në vitet 1970–1990.

Në çeljen e kësaj ekspozite ku merrnin pjesë shumë personalitete të politikës dhe të kulturës, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se hapja e kësaj ekspozite është një moment reflektimi për të gjithë, për ruajtjen e një trashëgimie të tillë dhe promovimin e saj.

“Sot është një moment reflektimi për të gjithë ne sepse kemi një koleksion i cili vjen nga vetë familja, tregon një përkushtim, tregon një sfidë edhe një vështirësi që vet familjarët kanë arritur ta çojnë përpara dhe kanë ruajtur një thesar shqiptar. Është një ndërgjegjësim i bukur. Eshtë një ndërgjegjësim i bukur, është një prekje shpirtërore që nuk lidhet besoj vetëm me faktin e të qënit pjestar i familjes dhe për këtë arsye e kanë ndier detyrimin moral por i kanë dhënë kombit në një farë mënyre një kontribut të çmuar. Shpeshherë në këto debate të vazhdueshme që kemi midis komunitetit dhe institucioneve, gjendemi gjithmonë në konflikte se ku qëndron detyrimi, e drejta e secilit prej nesh, dhe në këtë rast dua ta them me plot gojën që ne jemi vetëm mbështetësit e vegjël, sepse punën më të madhe e kanë bërë vetë njerëzit. Ne jemi ata që duhet ta lartësojmë këtë moment”, nënvizoi Margariti.

Ftesa e Ekspozites - foto nga Facebook faqja zyrtare e piktorit

Ftesa e Ekspozites - foto nga Facebook faqja zyrtare e piktorit

Kuratori Helidon Haliti, të cilit piktorja Ormira Lulani i besoi kurimin e ekspozitës, ka kuruar me kujdes çdo detaj.

Kuratori Haliti e cilësoi Ismail Lulanin si krijuesin brilant, që ka lënë pas mbi 1800 vizatime.

“Kuptoj jashtëzakonisht mirë mitin e Rozafës. Kuptoj sepse ka dhjetë vjet që kjo ekspozitë mundohej ditën dhe për koençidencë apo probleme të çuditshme nuk bëhej. Si kurator unë padyshim shikoja Ormirën që ndërtonte ditën, unë prishja natën. Pra m’u desh të isha i ftohtë. Para 10 vitesh kemi arkivuar vizatimet e tij, të cilat kanë shifrën 1800 e ca, dhe sigurisht ajo diplomë që erdhi në hartë copë-copë, dhe unë bashkë me një mikun tonë të vyer, e kemi ngjitur me thënë të drejtën me ditë të tëra, dhe erdhi diploma, zanafilla e kësaj ekspozitë. Pra është një trung i madh, që shpërndan gjethet e saj në të gjithë këtë ekspozitë, kryesisht të një vizatuesi brilant. Ismail Lulani kishte një gjë më të veçantë se gjithë të tjerët për mua, kishte Ormira Lulanin, ishte ngjizja e tij artistike më e mirë, e cila me një këmbëngulje dhe pasion të jashtëzakonshëm, bëri që të më fuste dhe mua në atë vijueshmërinë, pikërisht të një kurimi të lirshëm dhe të imponuar ndërkohë që me shumë mirësjellje ndërtonte ditën, dhe unë ia prishja padyshim të nesërmen, sepse i thosha Lulanin do ta lëmë një magji, nuk mundet ta ngarkojmë kaq shumë. Dhe aty njeriu kupton dashurinë e çdo copëze”, tha Haliti.

Dimri, kompozim - Foto Facebook nga faqja zyrtare e piktorit

Dimri, kompozim - Foto Facebook nga faqja zyrtare e piktorit

Vajza e piktorit, Ormira Lulani, e cila ka trashëguar prej të atit profesionin dhe talentin nënvizoi forcën e jashtëzakonshme të artit që i bën artistët të pavdekshëm duke lënë pas një thesar të çmuar.

“Eshtë një gëzim shumë i madh që e shoh këtë sallë kaq të mbushur plot. Ndjehem shumë mirë për faktin që shoh kaq shumë njerëz të cilët e duan dhe e respektojnë ose e nderojnë veprën e tim eti dhe kjo do të thotë shumë për mua. Dua që njerëzit ta shijojnë ekspozitën ta shijojnë ashtu siç ata duan, ta shikojnë me ato emocionet, kujtimet që kanë pasur me babin, me vizatimet e tij që shfaqen për herë të parë, ku në çdo cep të kësaj ekspozite, ju mund të shikoni shpirtin e Lulanit. Unë thjesht besoj fort në fuqinë e artit dhe duke besuar në fuqinë e artit besoj shumë edhe në pavdeksinë e artistit. Dhe mendoj që im atë, shpirti i tij ndodhet këtu bashkë me ju sot. Unë besoj fort në pavdeksinë e artistit”, tha Ormira Lulani.

Ismail Lulani është një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar, ai ishte një piktor shumë aktiv në krijimtarinë e tij, madje edhe kur mbylli sytë, në xhep të xhaketës ju gjet një skicë.

Ikje- punimi i fundit i piktorit qe ngeli i paperfunduar - 2002. Foto Facebook faqja zyrtare

Ikje- punimi i fundit i piktorit qe ngeli i paperfunduar - 2002. Foto Facebook faqja zyrtare

Ismail Lulani lindi në Tuz të Malit të Zi në vitin 1933. Familja e tij u vendos në Shkodër ku piktori kaloi vitet e jetës së tij deri sa mbylli sytë në vitin 2002. Ai u diplomua fillimisht si ndihmës mjek, por nuk e gjeti veten në këtë profesion, pasi talenti i tij që i vogël për pikturë, e udhëhiqte drejt një dimensioni krejt tjetër, drejt pikturës, se cilës iu kushtua gjithë jetës. Më vonë studioi në Akadimë e Arteve të Bukura dhe nga doktor i trupit, me veprat e tij u bë doktor i shpirtit.

Gjatë karrierës së tij ai ka realizuar tabllo vërtet emocionuese, kompozime apo peizazhe plot kolorit. Një vend të veçantë në korpusin e tij artistik zë pikturimi i familjarëv të tij. Ai pikturon vajzën e tij kur ishte e vogël, prindërit, gruan e tij, ikjen e djalit në emigracion, pra çdo moment privat të rëndësishëm, që ka lënë gjurmë tek autori. Ismail Lulani ishte një vizatues gjenial, sikundër e përcakton kuratori Haliti, ai ka lënë pas me qindra vizatime, etyde, bocete, të cilat i ka skicuar, para se t’i kthente në vepra të mëdha. Haliti e cilëson si një nga ekspozitat më intresante të bërë gjatë 30 viteve të fundit, pasi ismail Lulani nuk arriti të ezaurrohej. Ai u largua nga jeta në kulmin e karrierës së tij.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun kryeqytetas, për të shtegtuar më pas në Shkodër e Mal të Zi.

Neritana Kraja