Për këtë javë sugjerimi turistik është Kruja. Kruja ndodhet rreth 30 kilometra në veri të Tiranës, kështu që mund ta vizitoni në një udhëtim një ditor nga kryeqyteti. Rruga është në gjendje shumë të mirë, edhe pse pak gjarpëruese. Nëse niseni nga Tirana dhe nuk ka trafik, rrugën mund ta bëni për rreth 1 orë. Mund të niseni me autobuzët e linjës, por ata bëjnë shumë ndalesa dhe do të shpenzonit më shumë kohë. Por nëse nuk keni makinë dhe preferoni të shmangni autobuzët, një zgjidhje është ta vizitoni Krujën me një udhëtim një ditor të organizuar nga Tirana përmes agjencive turistike. Në këtë rast propozimet janë të shumta dhe ju do të zgjidhni atë çfarë bën për ju, nisur nga koha që do të shpenzoni atje dhe paratë që keni në dispozicion.

Hyrja ne kalane e Krujes - Foto nga Visit Kruja

Hyrja ne kalane e Krujes - Foto nga Visit Kruja

Çfarë të bëni

Arsyeja pse të gjithë shkojnë në Krujë është padyshim Muzeu i Skënderbeut, kushtuar heroit tonë kombëtar. Merrni fëmijët për dore! Mësojuani historinë! Nuk ka formë më të mirë për ta bërë këtë, se sa një vizitë në muzeun e heroit tonë të lavdishëm. Është një muze relativisht i ri, inaguruar në vitin 1982, në një godinë madhështore dhe shumë interesante.

Muzeu i Krujës gjurmon historinë e Skënderbeut dhe të Lidhjes së Lezhës por edhe të Shqipërisë, që nga ilirët e lashtë e deri te pushtimi i turqve dhe venecianëve. Këtu ruhet një kopje e shpatës së famshme të Skënderbeut (origjinali ndodhet në Vjenë). Eshtë një muze që duhet parë patjetër sepse do t’ju impresionojë shumë, edhe pse mbase nuk ju pëlqejnë shumë muzetë. Muzeun mund ta vizitoni me një biletë që kushton 300 lekë për të rriturit, ndërsa për fëmijët nën moshën 12 vjeç, hyrja është falas.

Muzeu i Skenderbeut - Foto nga CMG

Muzeu i Skenderbeut - Foto nga CMG

Jo shumë larg Muzeut të Skënderbeut ndodhet Muzeu Etnografik. Eshtë një muze i një lloji krejt tjetër, i ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, me emër të madh, në Krujë, Tiranë dhe në Shqipëri.

Muret e muzeut kanë një histori 250-vjeçare, tavanet e drurit janë totalisht të gdhenduar dhe orenditë e eksozuara, tepër të rralla. Muzeu ka 1200 objekte origjinale, të cilat janë dëshmi e gjallë e mënyrës së vjetër të jetesës dhe traditave të shqiptarëve. Në katin e parë të shtëpisë do të shihni se si ishte jeta e banorëve të pasur, të cilët në bodrumet e tyre nxirrnin vajin e ullirit dhe rakinë. Ndërsa në katin e dytë do të shihni se si ishte e organizuar jeta brenda dhomave të ndara, të burrave dhe grave. Brenda shtëpisë do të shihni edhe një banjë turke funksionale, nga të vetmet e mbetura në Shqipëri.

Shtëpia e kthyer në muze pasqyron historinë e Krujës dhe të Shqipërisë të atyre viteve. E mira është që ta vizitoni këtë muze me një guidë, e cila do ju shpjegojë zakonet dhe traditat e kohës, duke bërë që ta vlerësoni edhe më shumë vizitën në Krujë.

Grupi karakteristik i burrave te Krujes - nje vlere e shtuar e Krujes turistike Foto nga faqja e Facebook Visit Kruja

Grupi karakteristik i burrave te Krujes - nje vlere e shtuar e Krujes turistike Foto nga faqja e Facebook Visit Kruja

Nëse keni kohë, atëherë bëni një xhiro në qytet përgjatë rrugëve të lashta e të gurta dhe ndaluni në teqenë bektashiane që daton në fundin e viteve 1700. Është tempulli i një vëllazërie sufi islamike, një vend shumë i qetë që të jep qetësi. Më pas, që andej mund të zbrisni dhe të vizitoni dyqanet e pazarit antik.

Pazari është zemra e Krujës, një vend shumëngjyrësh, plot suvenire të bukura, ku është e pamundur të mos ndalesh gjatë një vizite në qytet. Dyqanet prej druri dhe guri në varg njëri pas tjetrit, me çatitë e tyre të kuqe, janë vërtetë mbresëlënëse.

Aty do të gjeni shumë suvenire turistike që punohen po aty nga zejtarët, që me shumë sakrifica e ruajnë profesionin dhe artin e tyre. Por aty mund të gjeni ende edhe objekte antike që ia vlen t'i blini nëse e keni pasion mbedhjen e antikuarëve. Ato mund të shërbejnë për koleksion ose arredim. Do të gjeni qilima tradicionalë me motive kryesisht gjeometrike, tipike për Ballkanin, mbulesa tavolinash të punuara me dorë, bizhuteri, etj.

Muzeu Etnografik i Krujes Foto web Muzeu Etnografik

Muzeu Etnografik i Krujes Foto web Muzeu Etnografik

Tregu i rinovuar në vitin 2015, është i pastër dhe i rregullt. Duke ecur përgjatë shtegut të ngushtë prej guri që të çon në kështjellën dhe muzeun e Skënderbeut, do të ndiheni sikur keni ecur mbrapa në kohë. Mos e humbisni rastin për të vizituar kalanë. Këshilla jonë është që të shëtisni këtu para se të vizitoni muzeun dhe të humbisni në rrugicat e fshehura, që nga të dyja anët kanë dyer të hijshme prej prej druri, që zbukurohen nga lulet aromatike.

Së fundi, një ndalesë për një foto përballë statujës së kalorësisë së Skënderbeut është pothuajse një detyrim. Monumentin do ta gjeni në hyrje të qytetit.

Pazari i Krujes naten - Foto nga @bokehm0n

Pazari i Krujes naten - Foto nga @bokehm0n

Ku të hani dhe ku të flini

Në Krujë ka shumë taverna ku mund të hani shumë mirë. Mund të shijoni gatime tradicionale, si mishin e pulës me qull, mishin e pjekur të qingjit, fërgesën me mish viçi, gjizë dhe speca, kabuninë me mish dashi, apo hashuren. Si pije kryesore, rakia. Ne po sugjerojmë dy prej tyre, Restorant Panorama, pranë sheshit, të vogël ku ndodhet Rrapi madhështor që ofron një vendpushimi për të gjithë turistët dhe mund të paguani mesatarisht 1000 lekë për person. Restoranti është pjesë e kompleksit që përfshin edhe një hotel luksoz, që ofron një pamje të mrekullueshme të Kalasë së Krujës dhe çative të pazarit. Në këtë hotel mund të paguani 5500 lekë për një dhomë dyshe.

Suvenire nga Kruja - Foto nga CMG

Suvenire nga Kruja - Foto nga CMG

Vend tjetër për të ngrënë është edhe Restorant Bardhi, përgjatë rrugës që të çon në Kala. Me një kosto prej 1000 lekë për person mund të kaloni një vakt të shkëlqyer. Nëse kërkoni vend tjetër për të fjetur, mund të flini edhe tek “Dhomat Merlika”, vend ideal për të jetuar një eksperiencë autentike lokale: një shtëpi tipike brenda Kalasë së Krujës e shndërruar në një bujtinë me një kopësht të bukur. Një natë për një dhomë dyshe, këtu kushton 3000 lekë. Gjithashtu mund të zgjidhni për të fjetur “Emiliano Castello”, një shtëpi e vjetër e epokës osmane, e vendosur në zemër të Kalasë së Krujës, e cila ofron pamje mahnitëse të luginës poshtë. Një dhomë dyshe kushton 3000 lekë nata.

Shënojeni ofertën tonë për një udhëtim turistik në Krujë, një udhëtim mes bustesh, statujash, hartash dhe dokumente të vjetër, mes rrugicash me kalldrëm dhe objektesh që të shpien pas në kohë. Krujën me të drejtë mund ta konsiderojmë si ballkoni i vërtetë i Shqipërisë, nga i cili, në ditët me diell, mund të admironi pamje të pakrahasueshme mbi gjithë bregdeti shqiptar të Adriatikut.

Neritana Kraja