Briken Çalja është një ndër peshëngritësit e njohur shqiptarë, i cili ka lindur në vitin 1990 në Shtërmen të Elbasanit. Sportin e peshëngritjes e ka nisur që në moshën 11 vjeçare dhe ishte xhaxhai i tij që e regjistroi për herë të parë në këtë sport. Në moshën 14 vjeçare Brikeni u shpall kampion kombëtar dhe që nga ajo kohë e deri më sot arritjet e tij janë të jashtëzakonshme për një sportist shqiptar.

Në vitin 2010 në Kampionatin Europian të të Rinjve të mbajtur në Qipro ai fitoi tre Medalje të Arta. Në Kampionatin Europian për të rritur në vitin 2018 Brikeni u shpall kampion Europe, ku fitoi tre Medalje Ari. Në vitin 2016 ai mori pjesë në Lojërat Olimpike, si i vetmi peshëngritës shqiptar, ku arriti vendin e pestë. Në vitin 2019 në Kampionatin Europian në Gjeorgji peshëngritësi Briken Çalja fitoi një medalje ari dhe dy argjendi. Suksesi i tij më i fundit dhe më i rëndësishmi njëkohësisht është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ku peshëngritësi shqiptar Briken Calja arriti të pozicionohej në vendin e katërt, që është dhe arritja më e lartë shqiptare në një olimpiadë botërore. Kjo është dhe hera e parë në historinë e peshëngritjes shqiptare.

Briken Çalja është fitues i 35 medaljeve ndërkombëtare, kampion kombëtar për 16 vite radhazi dhe fitues i 15 medaljeve në kampionatet Europiane. Kjo e bën peshëngritësin Briken Çaljen një ndër sportistët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave. Në intervistat e shumta që ka dhënë Brikeni shpreh mbështjen për sportistët e rinj, duke theksuar se me pasion dhe shumë punë mund të arrijnë suksese të mëdha si vetë ai.

Përgatiti Sava Lena