Ferdane Sahiti e lindur në Kopiliç të Epërm të Skenderajt, studimet universitare dhe pasuniversitare (master) i përfundoi në Prishtinë, ku vazhdon studimet në infermieri.

Qysh në moshë të re është marrë me shkrime zhanresh të ndryshme, si: tregime, poezi për fëmijë e të rritur etj., disa nga të cilat i ka botuar në disa revista.

Në vitin 2020 ka Ferdane botuar librin "Gurrë urtie", ndërsa sivjet ka botuar librin e dytë “Mijëra fjalë”.

Ferdanja është pjesë e stafit të revistës “Uji” në Kosovë.

CMG: Ferdane si mund t’i përgjigjesh pyetjes :"Kush jam unë? "

Ferdane Sahiti: Për ta njohur mirë veten duhet ta kesh edhe një rreth shumë të ngushtë apo të forte, të cilët të orientojnë e të bëjnë të besosh që ti vërtet je e mirë dhe me vlera.

Unë e dua shumë veten për atë që jam dhe që kam një natyrë këmbëngulëse. Dua ta shoh veten aty ku kam synim që ta shoh.

CMG: Në sytë tuaj si duket e ardhmja?

Ferdane Sahiti: Deri më sot ëndrra të cilën kam pasur dhe kam dashur të bëhem është që të jem një poete. Mirëpo ëndrrat shtohen dhe ndryshohen, apo me kohën rriten. Unë dua të jem pjesë e stafit të "Mantel Bardhëve" apo ndryshe infermierëve.

CMG: Ekonomi, letërsi, menaxhim biznesi dhe infermiere... Si mund të ndërthuren kaq profesione bashkë?

Ferdane Sahiti: Kam një parim universal, që nëse përfshihesh në shumë fusha atëherë ti e njeh veten më mirë. Si një fëmijë me ëndrra kam dashur gjithmonë që të jem një doktoreshë, mirëpo nuk u arrit dhe doja që ta çoja deri në fund atë ëndërr. Ajo ëndërr fjeti dhe tani u zgjua sërish.

CMG: Ferdane çfarë cilëson si moment arritjeje?

Ferdane Sahiti: Një arritje është kur unë përfundoj një libër të mirë dhe me jep emocionin që unë dua. Nëse i referohemi familjes, është nëna ajo që më gëzon çdo herë. Unë vlerësoj shumë edhe miqësinë dhe mendoj që: "Një bisedë me miken me të mirë është terapi".

CMG: A mund të na i përshkruani në vija të përgjithshme rutinën tuaj?

Ferdane Sahiti: Zgjohem që në orën 5 të mëngjesit dhe nis angazhimet e mia. E nis duke shkruar diçka nëse e kam lënë apo jo në gjysmë e më pas vazhdoj me punën apo aktivitete të tjera.

Por dita nis kështu shumë herët e mbyllet me gjendje të mirë shpirtërore.

CMG: Ferdane, kur keni nisur të shkruani dhe sa libra keni në bibliotekën tuaj të shkruara nga vetë ju?

Ferdane Sahiti: Unë kam shkruar që në shkollë fillore. Kam qenë gjithnjë ajo vajza që mbyllësha diku dhe shkruaja. Shkrimi i parë ka qenë për nënën. Profesori im e ka zbuluar ndërsa më pyeste se çfarë kam shkruar, por unë e fshihja nga ndroja se mos ndoshta nuk kisha bërë diçka siç duhet. Ai nuk më lejoi por donte ta shihte e ta dëgjonte dhe kështu nisi. Ai shkrim u prit mirë dhe më krijoi mua besim për të shkruar në të ardhmen. Libri i fundit titullohet "Mijëra fjalë". Janë poezi të cilat unë i kam shkruar në intervale të ndryshme dhe gjendje të ndryshme shpirtërore. Zhanri është lirizëm. Do doja në fakt që të ndalesha tek libri i parë " Gurë urtie" me thenie prej të cilit po ndaj disa citate.

-E ardhmja i takon atij që nuk e urren askënd

-Suksesi më i madh në jetë është të gjesh veten

-Thesari që nuk mund ta zotërosh asnjëherë është gruaja.

CMG: Si e sheh të ardhmen në Shqipëri?

Ferdane Sahiti: Si një ushtar të përgatitur mirë dhe gjithmonë të dal fitues. Patjetër që ka ankesa dhe padrejtësi, të cilat të shtyjnë të mendosh për të lëvizur apo ikur në një vend tjetër.

E rëndësishme është që t’i shmangim këto ide dhe të mundohemi të bëjmë diçka për vendin tonë.

CMG: Cila është urtia që dëshironi ta ndani me ne?

Ferdane Sahiti: Krijoni një qëllim për veten dhe jepini asaj kuptim.

Intervitoi : Megi Latifi