E vendosur në veri të Shqipërisë, Puka po fiton gjithnjë e më shumë pozicione në renditjen e destinacioneve të preferuara turistike falë klimës së saj të pastër dhe mrekullive natyrore.

Puka është një qytet alpin në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana. Eshtë shumë e pëlqyer sidomos për dashamirët e maleve, ajrin e pastër, qetësinë dhe natyrën, duke krijuar shumë kontrast me ditët kaotike të qyteteve të mëdha.

Si të shkoni

Udhëtimi është një mrekulli. Rruga e shtruar, pamja mahnitëse mes bredhash, është vetëm fillimi i një parajse 3 orë larg Tiranës. Fillimisht do t’i drejtoheni veriut, dhe ndërsa i afroheni Shkodrës, do të kërkoni për tabelat në të djathtë të rrugës, për të marrë drejtimin e fshatit Kosmaç. Duke ndjekur rrugën e këtij fshati do të kaloni edhe të tjerë fshatra njëri pas tjetrit, Vaun e Dejës, Gomsiqen dhe tabelat do ju orientojnë për të vijuar rrugën drejt Pukës. Po ngjiteni për në Pukë. Rruga është e mrekullueshme me pyje dhe gjelbërim të pafund, ajër të pastër dhe qetësi zogjsh. Jeni në 883 m mbi nivelin e detit. Ju këshillojmë të udhëtoni me makinë të lartë, pasi deri në qendër të qytetit të Pukës nuk do të hasni vështirësi, por nëse dëshironi të bëni edhe rrugë rurale për të eksploruar sa më shumë nga zona, atëherë duhet të dini se jo të gjitha rrugët janë të asfaltuara.

Çfarë të bëni në Pukë

Ndodheni në pjesën qendrore të Shqipërisë Veriore, për gjatë krahut të majtë të Drinit. Në veri keni Fushën e Dugagjinit, ndërsa në jug, Mirditën.

Vetë qyteti është i vogël, por shumë pikturesk. Ndërtesat janë të ulëta, me pullaze të kuq, ka një shëtitore kryesore ku njerëzit mblidhen për festat e tyre dhe ku vizitorët pëlqejnë të shëtisin. Mos e humbisni as ju këtë rutinë! Bëni një shëtitje në shëtitoren e bukur! Në fund të saj, do të shihni liqenin artificial dhe një ndalesë aty është gjithmonë impresionuese. Soditeni nga brigjet, ose merrni një varkë për të bërë një shëtitje mbi liqenin që ofron një peizazh alpin plot harmoni.

Aty rrotull ka plot lulishte, shëtitore dhe vendpushime që ofrojnë një pamje fantastike, sidomos gjatë perëndimeve. Një piknik pranë liqenit, është një propozim shumë i mirë për një fundjavë në Pukë. Për një guidë më interesante të qytetit mund të shëtisni me trenin me rrota, ndërtuar nga një sipërmarrës i turizmit. Treni në fjalë është kthyer gjithashtu në një aspekt tjetër tërheqës për qytetin.

Një atraksion shumë impresionues për qytetin e vogël të Pukës, është shtëpia në nder të shkrimtarit të madh të viteve ’30, Migjeni. Poeti i mirënjohur shqiptar Migjeni kaloi disa vite në Pukë si mësues, pasi vuante nga mushkëritë dhe mjekët i këshilluan që të shpërngulej atje për ajrin e pastër që ka. Duke qenë mësues në Pukë, Migjeni shkroi disa nga poemat më të famshme të tij kushtuar mjerimit dhe varfërisë.

Në nder të tij qyteti ka ruajtur në një muze të veçantë disa sende që lidhen me Migjenin, si tavolina ku punonte, tabela ku shpjegonte apo dhe sendet që mbanin nxënësit e tij. Për të gjithë të pasionuarit pas letërsisë, apo dhe aspekteve historike vizita në këtë muze nuk duhet humbur.

Për ato që e duan shumë natyrën dhe e pëlqejnë adrenalinën, mund të ngjiten në kodrën e Hanit për të eksploruar pistën e skive ose livadhet dhe luginat, të cilat nuk janë shumë larg nga qendra e qytetit.

Përveç kësaj, qyteti gjithashtu ofron mundësinë e ekskursioneve alpinizmi, siç është mali i Munellës, ai i Krrabit dhe Bjeshkët e Tërbunit.

Nëse dëshironi të bëni aktivitete të tilla sportive që kanë një lloj rreziku, ju mund të përfitoni nga guidat lokale, të cilët do ju ndihmojnë në eksplorimin e shpellave, ku duhet pasur kujdes, pasi jo të gjitha shtigjet janë të shënjuara.

Ku të flini dhe çfarë të hani

Mund të shkoni edhe për vetëm një ditë në Pukë, megjithëse të kaloni natën këtu, është një kënaqësi më vete. Ka shumë mundësi akomoduese, duke filluar nga Hotel Turizmi klasik, që ndodhet në shëtitoren kryesore dhe ku çmimi për person është 2 mijë lekë përfshi edhe mëngjesin. Hotel Kabashi ku një natë kushton 1 mijë lekë për person, apo Hani i Përparim Laçit, ku një natë bashkë me mëngjesin kushton 1500 lekë. Hani ndodhet vetëm 3 minuta me makinë larg qendrës së qytetit. Me një stilizim tradicional të mjedisit, ku mund të shërbehen edhe gatimet tipike të Pukës si maze apo fli, kjo bujtinë merr nga qetësia e kodrave përreth dhe ofron mundësi për një pushim përrallor. Këtu keni mundësinë të zgjidhni shtëpizat e vogla prej druri, kudo ku ju dëshironi.

Gjithashtu një vend ku ia vlen të ndaloni është edhe Agroturizëm Devin. Ajo çfarë e bën të veçantë është se këtu mund ti gatuani vetë mëngjeset tuaja me produktet bio që këpusni direkt nga kopështi. Edhe këtu nata bashkë me mëngjesin kushton 1500 lekë.

Ushqimi është një nga pikat e forta të turizmit në Pukë, pasi gjithçka që do hani këtu është organike.

Puka njihet për kultivimin e kërpudhave dhe mjaltin e gështenjave. Gjithashtu për rakinë e kumbullës, gështenjat dhe lëngun e thanës. Këtu do të hani mish të mirë të pjekur, të rritur në malësi dhe djathra cilësor. Mos harroni se këtu ujin nuk ka nevojë ta blini, pasi ka disa burime natyrore që furnizojnë qytetin dhe fshatrat përreth. Madje këtu ka edhe stabiliment të ujit të pijshëm që pasi ambalazhohet shpërndahet në të gjithë veriun e më gjërë. Dhe mos u largoni pa provuar birrën Puka. Është një birrë artizanale që bëhet me dorë. Nuk e gjeni në treg me shishe, pasi ofrohet e hapur, vetëm me kriko. Eshtë një birrë me shije fantastike. Një arsye më shumë për të ardhur në Pukë e për të mësuar e shijuar gjëra që nuk keni mundur më parë. Neritana Kraja