Në nëntor, një fshat i vogël në Kinën Qendrore gjeti jehonë në median sociale nëpërmjet prezantimit të jetës rurale idilike me një video që shfaq këngët tradicionale të banorëve të kombësisë dong në fshatin Gulun në provincën Hunan.

Nisma nga vlogerja e njohur Li Ziqi përbën pjesë të një projekti të rigjallërimit rural për ruajtjen e kulturës tradicionale dong dhe inkurajimin e shkëmbimeve arsimore me fëmijët vendës. Fill pas publikimit të videos, dhurime dhe kërkesa për punë vullnetare e sponsorizim kanë ardhur nëpërmjet platformave elektronike, i tha organizuesi Rrjetit Global Televizit të Kinës (CGTN).

“Është një befasi për ne numri i përgjigjeve të marra nga projekti, shumë më i madh se parashikimi,” tha Tan Yaxing, këshilltar për vazhdueshmërinë dhe themeluesi i shoqatës “BeVillage” me seli në Hangzhou, e cila mbikëqyr planin e rindërtimit të fshatit Gulun.

Një fshat i kombësisë dong në Huaihua të provincës Hunan të Kinës Qendrore./ CFP

Një fshat i kombësisë dong në Huaihua të provincës Hunan të Kinës Qendrore./ CFP

Ideja filloi me përkrahjen e një trusti privat bamirësie, i tha Tan CGTN-it, duke theksuar se interneti është në ndihmë të nxitjes së ndërgjegjësimit të publikut për kauzën e bamirësisë.

Falë festës vjetore të bamirësisë më 9 shtator, të organizuar bashkërisht nga gjiganti teknologjik “Tencent” dhe mijëra organizata bamirëse e ndërmarrje në Kinë, shumë nismave dhe organizatave ashtu si “BeVillage” u jepet mundësia për të ndikuar publikun nëpërmjet platformave elektronike viteve të fundit.

Qysh nga viti 2015, projekti i bamirësisë ka mbledhur 6.2 miliardë juanë (958 milionë dollarë) nga dhurimet. Vetëm gjatë këtij viti, ai mblodhi 3.52 miliardë juanë (545 milionë dollarë) nëpërmjet platformës së bamirësisë të "Tencent"-it dhe tërhoqi mbi 156 milionë pjesëmarrës.

Deri në shtator 2021, Ministria e Punëve Civile e Kinës ka miratuar 20 platforma bamirësie në internet, dhurimet nga të cilat kanë pasur një rritje vjetore mesatare prej 20 për qind gjatë disa vjetëve të kaluar.

Begatia e përbashkët

Prirja e fundit e bamirësisë përputhet me fushatën kombëtare për arritjen e "begatisë së përbashkët", teksa autoritetet kineze i kanë bërë thirrje sektorit të bamirësisë të luajë një rol më të madh në zvogëlimin e hendekut të pasurisë në vend.

Kina e ka vendosur begatinë e përbashkët si një objektiv kryesor të socializmit, sipas një libri të bardhë mbi ndërtimin e shoqërisë relativisht të begatë, të publikuar ditët e fundit.

Për këtë qëllim, qeveria duhet të sigurojë që i gjithë populli të gëzojë frytet e zhvillimit të vendit, pa përjashtuar asnjë individ, rajon apo grup, thuhet në librin e bardhë.

Hendeku në të ardhurat është zgjeruar në Kinë gjatë pesë vjetëve të kaluar, si pasojë e rritjes së të ardhurave në sektorët teknologjikë e financiarë, thotë Li Shi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Zhejiang-ut, i cili e ka këshilluar qeverinë për zbutjen e varfërisë. Për të zvogëluar këtë hendek, ekonomia private dhe individët e pasur duhet të luajnë një rol pozitiv dhe të japin më shumë kontribut, shton ai.

Sipas klasifikimit të "Forbes"-it në vitin 2020, në pjesën kontinentale të Kinës kishte 389 miliarderë, duke zënë vendin e dytë në botë pas ShBA-së. Pasuria private, që u rrit shpejt, nënkupton gjithashtu potencialin e madh të filantropisë në vend.

Fraza "begati e përbashkët" tërhoqi vëmendje të gjerë në gusht, kur sektori privat, veçanërisht gjigantët teknologjikë të Kinës, u nxitën të jepnin fonde për programet e përgjegjësisë shoqërore ose të sponsorizonin filantropinë.

Të dhënat nga agjencia "Bloomberg" tregojnë se ndërmarrjet dhe miliarderët kinezë kanë premtuar ose kanë dhënë mbi 37 miliardë dollarë amerikanë për institucionet bamirëse deri tani këtë vit, nëpërmjet interesave të ndërmarrjeve, fondacioneve ose pasurive personale.

Sipërmarrësi Jack Xie në kampin bazë të malit Xhomolangma më 2017. / nga Jack Xie

Sipërmarrësi Jack Xie në kampin bazë të malit Xhomolangma më 2017. / nga Jack Xie

Ngjitja në "kulmin e bamirësisë"

Jack Xie është një nga ata që korrën frytet e mrekullisë së ekonomisë kineze. Ai u pasurua nëpërmjet investimeve të ndryshme dhe tani po e fokuson vëmendjen në çështjet e bamirësisë.

"Dua të kontribuoj dhe t'i jap shoqërisë," thotë Xie, që udhëtoi në një rajon të largët malor në provincën Qinghai në vitin 2014, si përkrahës i një programi bamirësie, dhe shikoi nga afër varfërinë.

"Më preku në zemër gjendja në një shkollë fillore rurale. Isha i ndërgjegjshëm që shumë banorë në këtë vend kanë nevojë për ndihmë," tha ai.

Jack Xie me fëmijë në një fshat në Xinning, kryeqendrën e provincës Qinghai në vitin 2014./ nga Jack Xie

Jack Xie me fëmijë në një fshat në Xinning, kryeqendrën e provincës Qinghai në vitin 2014./ nga Jack Xie

Para shtatë vjetëve, kur mori vesh në një reportazh se një magnat kinez u ngjit në majën Xhomolangma, kulmi i botës, Xie-së i lindi një ide e guximshme që të përkrahtë mbi 8848 objekte bamirëse, një shifër që përfaqëson lartësinë e majës Xhomolangma.

"Nëse dikush ka miliona për ngjitjen e majës Xhomolangma, pse nuk ngjitet në kulmin e bamirësisë? Si pjesë e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, duhet të inkurajojmë më shumë njerëz të përkrahin ata që kanë nevojë dhe të ndezim fenerin e bamirësisë," shprehet Xie.

Deri në fund të gushtit, Xie ka mbështetur 8848 objekte përmes një platforme të bamirësisë në internet, duke dhuruar një shumë çdo ditë qysh nga viti 2014.

Veprimet e tij i ka bërë më të lehta përdorimi i platformës së telefonisë së lëvizshme, tregon ai, duke shtuar: "Ajo është e shpejtë, e lehtë e anonime dhe i jep çdokujt mundësi për të marrë pjesë."

Të pasurit kinezë tregojnë interes të madh për t’i dhënë shoqërisë falë përmirësimit të infrastrukturës së bamirësisë në vend vitet e fundit, i tha Xie Rrjetit Global Televiziv të Kinës.

Pak kohë më parë, Ministria e Punëve Civile e Kinës premtoi përmirësimin e masave mbështetëse, përfshirë politikën e favorizimit në taksa dhe shtimin e kanaleve në internet për shfrytëzimin e mëtejshëm të rolit shërbyes të bamirësisë. Ministria tha gjithashtu se do të forcojë edhe rregullat mbi organizatat filantropike, për të siguruar tejdukshmërinë në përdorimin e fondeve.

"Synoj begatinë e përbashkët," tha Xie, që po formon një fond bamirësie. "Kemi nevojë vetëm për vëmendjen e më shumë njerëzve."