Olgert Rakipllari është i riu me origjinë nga Korca i cili ushtron prej vitesh profesionin e mësimdhënies në pikturë. Kurator dhe drejtues i shumë ekspozitave brenda dhe jashtë vendit, Olgerti ka një pasion edhe për artin e rrugës, duke e preferuar së tepërmi ndryshimin dhe pamjen e një vendi të zymte. Në vitin 2018 ai publikoi projektin artistik me synim transformimin e hyrjes së tunelit nën kalanë e Gjirokastrës.Në muret anësore Rakipllari ka pikturuar motivet e një qilimi tradicional. Arti i tij synon një përdorim të ri të tuneleve të periudhës para viteve 90-të dhe rikthimin e ngjyrave të dikurshme të qytetit.
Këtë vit Olgerti vjen si kurator i një ekspozite të ndërtuar dhe konceptuar nga vetë nxënëset e tij.
Olgert Rakipllari (Facebook)
CMG : Cila është sfida më e madhe e juaja në raport me veten?
Olgert Rakipllari: Absolutisht është njohja e vetes dhe është një sfidë e përditshme. Gjithë jetës sonë ne punojmë për të njohur veten dhe këmbëngulim për të njohur diçka të re nga vetja. Nëse do ta thoja me pak fjalë nëse do duhet të prezantohesha tek të tjerët edhe kjo është tepër e vështirë, por mund të them që çdo ditë jam një piktor, mësues pikture dhe grafik design.
CMG : Në retrospektivën e viteve çfarë ka ndryshuar në profesionin tuaj?
Olgert Rakipllari: Ka ardhur një moment në jetën time ku vitet janë barazuar me moshën dhe eksperiencën. Vitet që kam punuar janë shumë dhe tashmë janë baraz me aq sa kam punuar në jetë dhe kam fituar përvojë. Janë 15 vite dhe patjetër ka ndryshuar shumëçka dhe kur kthej kokën pas shoh që : "Që prej klasës së 7-të e deri tani jetoj me këtë profesion ".
Rrugës kam ndryshuar absolutisht pasi kam bërë edhe një shkollë të dytë për Grafik Design, që më futi në një tjetër horizont.
O. Rakipllari në vitet e para të punës (Facebook)
CMG : Arti është talent, apo lindi si nevojë për ju dhe e ndoqët atë nga pas?
Olgert Rakipllari: Për mua ka një tjetër perceptim. Deri në momentin që unë nisa kursin dhe nisa ta mendoj seriozisht këtë pjesë, nuk mendoja që kisha talent. E vërteta është që nuk kisha shumë njohuri për artin.
Unë jam brezi i fëmijëve që çdo gjë e shpikte vetë, një lojë apo gjithçka tjetër dhe në këtë botë feminore krijimtarie unë spikata tek njerëzit e tjerë.
Spikata për nivelin tim të krijimtarisë tek familja, apo edhe në shkollë.
Nisën të më kërkojnë t'ju bëj detyrat apo edhe elementë dekorative.
Mësuesit më pas më orientuan që unë të ndjek kurse të ndryshme dhe kështu : "Nisi rrjedha ime".
CMG : Sa e rëndësishme është që gjatë udhës të kesh mbështetjen e njerëzve të afërt?
Olgert Rakipllari: Tepër! Është shumë e rëndësishme dhe unë kam pasur një mbështetje të tillë. Unë për herë të parë rrëfej historinë time dhe ndiej emocion që mund ta them publikisht. Prindërit e mi nuk patën arsimin e duhur për të më ndjekur e për të më udhëzuar në nivel professional, por mbështetja e tyre ka qenë aty gjithmonë.
Do doja që publikisht të falënderoj mësuesin tim të pare, që më shtyu t’i futem kësaj rruge. Ndonjëherë prindërit më mirë mos ta njohin rrugën e profesionit dhe sfidat e tij, sepse kështu s'do të ndalojnë pasi nuk e njohin rrezikun!
Mentaliteti nuk është i lehtë për t'u zhdukur dhe profesioni i piktorit ka qenë tabelë qitjeje gjithnjë. Çdo herë më pyesnin : "A do hash dot bukë me këtë profesion "?
Olgert Rakipllari intervistë për CMG
CMG : A e ruani ende edhe sot pikturën tuaj të parë?
Olgert Rakipllari: Nuk mund të veçoj një picture, sepse të gjitha nga viti në vit kanë emocionet e tyre. Unë kam punuar që nga klasa e parë edhe ato skicat në fletore me kuadratë janë vepër arti. Pra unë zgjedh t’i ruaj fort realizimet e mia.
CMG : A jeni rritur ju përmes sfidave?
Olgert Rakipllari: Po patjetër, kanë qenë momente shumë të vështira për mua. Goditjet me të mëdha kanë qenë ato kur duhet të vërtetoja të kundërtën. Sot flas me krenari tek të gjithë ata që u munduan të abuzojnë me mua dhe unë gjithnjë kam luftuar për të pasur drejtësi për ata që janë artistë dhe që e meritojnë.
Olgert Rakipllari kurator i ekspozitës (Facebook)
CMG : Ekspo Trisav, ekspozita me e fundit që ju kuroni çfarë të veçante sjell?
Olgert Rakipllari : Pas një periudhe të gjatë të artit të ngujuar prej Covid-19 ne vijmë sërish. Kjo ekspozitë është shumë e veçantë sepse vjen nga vetë studentët. Ato kanë mbledhur punimet e tyre dhe vendosën që të ishin në një ekspozitë. Janë 3 vajza të veçanta, të cilat janë bërë bashkë për t'ia ofruar artdashësve punët e tyre.
Nuk ka qenë fare e lehtë sepse u është dashur një punë goxha e madhe, por kjo ekspozitë shërben si një mënyrë për të motivuar dhe artistët e tjerë, që mund t'ia dalin.
Intervsitoi : Megi Latifi