Teatri Metropol sjell në skenën premierën absolute “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett me regji nga Arben Kumbaro. Vepra e cila është cilësuar një nga më të njohura të teatrit modern botëror, interpretohet nga Yllka Mujo, “Mjeshtre e madhe” e skenës, shoqëruar nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli.

Oh ato dite te bukura- Poster Foto nga Web

Oh ato dite te bukura- Poster Foto nga Web

Teatri Metropol shprehet rreth veprës, se duke qenë tanimë me mundësi krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij.

“Vepra ka vlera të jashtëzakonshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore”, thuhet për shfaqjen.

Regjisori i shfaqjes, Arben Kumbaro, thotë se “qëllimi i vënies së kësaj shfaqje është gjallërimi i jetës kulturore në Tiranë në këtë kohë fatkeqe të pandemisë”, duke shtuar se “vepra është në kufijtë e një monodrame dhe interpretohet nga një prej aktoreve më të shquara të traditës tonë teatrale, Yllka Mujo.

“Oh, ato ditë të bukura” e Samuel Beckett është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit Nobel.

Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat. Ajo i takon Teatrit Absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë.

Vepra është kryesisht një monodramë ku personazhi kryesor Vini shpesh krahasohet me rëndësinë që ka Hamleti në teatër.

Aktorja Yllka Mujo - Foto ATSH

Aktorja Yllka Mujo - Foto ATSH

Në pjesën e parë Vini, një grua rreth të gjashtëdhjetave është e zhytur deri në mes në një grumbull rëre në shkretëtirë, siç e cilëson dhe autori, të cilën regjisori Kumbaro e trajton si një grumbull mbeturinash rëre, dheu dhe inertesh, për të kujtuar disi shkatërrimin pas një fatkeqësie natyrore, në të cilën ajo ka ngecur aty prej kohësh që s’mbahet mend. Rreth saj zvarritet i shoqi, Vili, që lexon gazetën dhe hera herës ngrohet në diell.

Vili pothuaj nuk flet fare gjatë gjithë kohës, vetëm shumë rrallë i përgjigjet Vinit kur kërkon ndonjë mendim, disa herë thjesht murmurit.

Ndërsa Vini që e shtyn kohën duke u marrë me ombrellën e diellit, çantën e saj dhe objektet që nxjerr prej çantës kujton ditët e bukura që kish kaluar kohë më parë…. Në fakt nuk është shumë e qartë nëse vërtet ajo ka kaluar ditë të bukura në jetën e saj apo ka ëndërruar dikur se sa ditë të bukura do kalonte ajo gjatë gjithë jetës. Apo ditët e bukura janë më tepër një besim metafizik e filozofik me të cilën ajo ndihmon veten për të qenë gjallë.

Aktori Sokol Angjeli gjate shfaqjes - Foto Teatri Metropol

Aktori Sokol Angjeli gjate shfaqjes - Foto Teatri Metropol

Në pjesën e dytë ajo është e zhytur deri në grykë në tokë, vetëm me kokën përjashta dhe vazhdon të kujtojë apo të flasë për ditët e bukura. Hera herës Vini mban një maskë në fytyrë kundër një pandemie të supozuar…

Skenografia e realizuar nga Ardian Kapo është menduar sipas nevojave të diktuara edhe prej autorit. Ajo sjell në skenë vizualitetin e një toke të shkretë me stalaktite dhe stalakmite ku personazhi kryesor qëndron në qendër të skenës, i zhytur në dhé deri në mes dhe i ngecur në këtë realitet nga ku nuk mund të shpëtojë dot.

Gjithashtu dhe muzika bëhet pjesë integrale e kësaj shfaqjeje, pasi ndërthur muzikën instrumentale dhe vokale duke ruajtur atmosferën në të cilën zhvillohet shfaqja.

Aktorja Yllka Mujo gjatë interpretimit në skenë - Foto ATSH

Aktorja Yllka Mujo gjatë interpretimit në skenë - Foto ATSH

Samuel Beckett është një nga shkrimtarët modernë të shekullit të XX, njëherësh themelues i teatrit absurd. Beckett lindi më 1906 dhe u nda nga jeta më 1989. Ai ishte një shkrimtar avangrardist irlandez, dramaturg, skenarist, drejtor teatri, poet, i cili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Paris.

Ai ka shkruar në të dyja gjuhët; frëngjisht dhe anglisht.

Beckett është ndër shkrimtarët më me ndikim të shekullit të XX. Vepra e tij na sjell një këndvështrim tragji-komik të ekzistencës njerëzore, shpesh herë të shoqëruar me një komedi të zezë dhe humor vrasës.

Shkrimtari absurd Samuel Beckett

Shkrimtari absurd Samuel Beckett

Ai konsiderohet një nga shkrimtarët e fundit modernë dhe figura kryesore e “teatrit absurd”. Samuel Beckett ka shkruar shumë drama, romane, tregime dhe libra me poezi. Vepra e tij kryesore është “Duke pritur Godonë”, 1953, të cilën e shkroi në Paris dhe që është konsideruar për shumë kohë si “best seller”.

U kurorëzua me çmimin “Nobel” për letërsinë në vitin 1969. Në gjuhë shqipe janë përkthyer të paktën, 6 libra të tij.

Krijimtaria letrare e Samuel Beketit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë pasur shumë sukses. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me pjesën që po shfaqet në skenën e teatrit të Metropolit “Oh, ato ditë të bukura”.

Kjo premierë teatrore vjen në skenë në vijim të sezonit artistik të Metropol.

Neritana Kraja