Helidon Haliti është një piktor i njohur, i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura për në vitin 1993. Punët e tij janë të njohura jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij. Kontributi i tij në artin bashkëkohor shqiptar merr një rëndësi të veçantë edhe falë krijimit të shoqatës kulturore VIZart, e cila organizon edhe Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit. Siç thotë i mirënjohuri Ismail Kadare, “Pikturat e Helidon Halitit e bëjnë një njeri të ndalet para tyre, mbase as duke mos ditur emrin, moshën apo vendlindjen e tij. Ky është akti i parë i papërsëritshëm i artit”.

Piktori Helidon Haliti (web)

Piktori Helidon Haliti (web)

Këtë vit Helidon Haliti ishte kurator i eventit më të bukur në Tiranë “Mural fest 2021”. Në një intervistë ekskluzive për radio Ejani ai rrëfen suksesin e këtij eventi, që mblodhi artiste nga bota dhe stolisi fasadat e kryeqytetit.

CMG: Cila është rutina juaj ?

Helidon Haliti: Sapo kam parë që kryetari i bashkisë së Tiranës publikoi edhe një pamje tjetër nga Tirana Mural Fest 2021 dhe më vjen shumë mirë pasi pati një impakt shumë të mirë këtë herë.

Rutina e ditës të krijon pak ngërç dhe nis e mendoj të mos kem një ditë të ngarkuar dhe takime shumë, por është e pamundur sepse ne sapo kemi nisur edhe të shkojmë në universitet. Ndaj rutina nga aktivitetet e mia nuk shkëputet dot.

Mural Fest 2021 (web)

Mural Fest 2021 (web)

CMG : Sa zgjati festivali këtë vit?

Helidon Haliti : Ky nuk është një festival që zgjat 1 ose dy ditë, apo një javë. Është një festival prestigjioz që zgjat goxha. Janë 10 mure për t’u bërë dhe një artisti i janë dashur 10 ditë për të realizuar një mur.

E gjitha ka zgjatur 45 ditë. Zgjati kaq shumë për faktin e një infrastrukture tepër të vështirë dhe në fakt muret që ne zgjodhëm ishin më të mëdhenjtë në Tiranë.

Ndaj mund të them që edhe në botë nuk ka më mure kaq të gatshëm për t’u pikturar.

CMG : Cilat janë arsyet që zgjodhët këto mure?

Helidon Haliti: Arsyeja e parë është sepse mendova t’i krijoj Tiranës një tjetër pamje të bukur dhe të rëndësishme, për t’u bërë e kthyer në imazh.

Gjithashtu në qëllimet e mia ishte të tërhiqja artistët të vinin, sepse ata nuk vijnë për pagesën, por edhe nëse i mungon Shqipëria në eksperiencën e tyre. Të gjjthe artistët pranuan dhe patën konsideratë për murin e zgjedhur, përveç artistëve që nuk erdhën nga Covidi.

CMG: Jemi kuriozë të dime se kur ka nisur kjo traditë. Pra, "Mural Fest 2021"?

Helidon Haliti: Mural Fest 2021 ka nisur nga “Dekor Tirana” para 3 viteve dhe ka pasur kuratorë të ndryshëm.

Vitin e dytë patëm një përplasje, pasi unë bëja një festival me shumë sukses në Patos me një skuadër vërtet shumë të mirë. Sigurisht pati një lloj superimi nga ana jonë, pasi është e vërtetë ajo shprehja :" Punë ka, por nuk ka profesionistë " secili duhet të jetë në pozicionin e tij.

Unë kam përfunduar për pikturë monumentale dhe atë lëndë jap ende në Universitetin e Arteve. Sigurisht që ne e njohim më mirë këtë.

Përveç vështirësive për të përzgjedhur artistët, pasi unë vendosa një tematikë që ishte " 100 vite Tirana".

Absolutisht kisha lirinë për të bërë atë që doja dhe mendoja unë, sepse pata mbështetjen e “Dekor Tirana”, e cila ka tepër vizion.

Ndërsa sa për festivalin, ka vende paralele si Kanadaja apo Berlini që aplikohet dhe ne ecim në ato gjurmë.

MURAL FEST 2021 në Tiranë

MURAL FEST 2021 në Tiranë

CMG : Terreni dhe vështirësitë realizuese, sa i kujdesshëm duhet të jesh?

Helidon Haliti : Duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Gjithçka lind nga zgjedhja e murit, më pas e artistëve dhe ajo që unë aplikova ishte përshtatja e artistëve me temën e më pas i lija të lirë të vepronin.

CMG : Sa ju afruan ata tematikës " Tirana 100 vjet"?

Helidon Haliti : Ata më njohin dhe e kanë pranuar koncept -idenë që unë ju dërgova e ku u shpjegova historinë e Tiranës.

Sigurisht që ky festival ishte i vështirë, sepse ka të papritura rrugës.

Përzgjedhja pati vështirësi, sepse nëse një artist kishte vështirësi duhet të gjenim një tjetër. Nuk patëm shumë shpresë që do e realizonim sepse Covid 19 na sprovoi disa herë dhe në këtë kontekst pritëm deri në momentin që Tirana u hap. Në fakt artistët ishin shumë të emocionuar që gjetën terren për të punuar në botën e tyre artistike.

CMG : Sa sfiduese është më pas lartësia në të cilën pikturohet?

Helidon Haliti: Tre artistë në të gjithë botën mund të përballojnë lartësinë e murit, që u përzgjodh në qendër të Tiranës.

Vinçi ishte diku 46 meter dhe duhet t’i përshtatej. Kushtet atmosferike gjithashtu janë një tjetër sfidë e duhet të jenë në sinkron të gjitha.

Dietat e artistëve janë shumë strikte gjithashtu. Vinçi që ne kishim është nga më të mirët në Ballkan, sepse nëse nuk do ta kishim nuk do ta realizonim festivalin.

Ajo që më impresionon është mirëkuptimi nga qytetarët, sepse ne bllokuam rrugën, por ata patën durimin e duhur për ta parë Tiranën e stolisur.

CMG: Cila pikturë pati metaforën me të bukur?

Helidon Haliti : Të gjitha kanë veçantinë e tyre, por ajo që spikati ishte një nga simbolet e “Mural Fest”, pra puna e artistit gjerman Kejs Meklein, pranë rrugës së Barrikadave që është kujdesi i nënës kundrejt fëmijës së saj.

Ai studioi mirë pallatin dhe pa këtë metaforë, pasi sapo kishte ndodhur edhe tërmeti dhe e pa në këtë formë. Njëkohësisht duke njohur edhe mitin e Rozafës bëri një ndërthurje në simbolike, duke treguar që nënën e ke gjithnjë pranë. Kjo krijoi një impakt shumë të ngrohtë edhe për qytetarët.

Helidon Haliti në intervistë për CMG

Helidon Haliti në intervistë për CMG

CMG : A ka artistë shqiptarë me premisa që mund të pikturojnë në këto lartësi?

Helidon Haliti : Nje javë para se të fillonte festivali më ndodhi diçka e çuditshme. Nuk kisha informacion, por kur vija nga aeroporti shoh një mur të madh të pikturuar. Nuk e dija, sepse unë i njihja të gjithë artistët dhe u habita. Kështu Arlind Pepi është një tjetër talent shqiptar, të cilin unë e ftova për t’u bere pjese e skuadrës sonë.

Pra, ka elementë edhe në Shqipëri me një pasion të tillë. Por do përmendja edhe Frankon, një tjetër të ri që i jep Tiranës pamje të bukur.

E gjithë botë është një projekt që pasurohet me vitet. Ne sapo kemi nisur për t'ia dhënë këtë pamje pas shumë e shumë vitesh.

CMG : Duke qenë që jepni leksione në auditor, cili është leksioni i jetës për ju?

Helidon Haliti : Vazhdimësia! Nuk ka rëndësi ta fillosh diçka, por ka rëndësi ta vazhdosh e mos ta lësh në gjysmë, pra të kesh disiplinë pune.

Intervistoi : Megi Latifi