Neptun Gjata është një artist nga qyteti bregdetar i Vlorës, i cili prej 30 vitesh jeton në Itali. Pasioni që ai kishte për muzikën e lehtë që në fëmijëri dhe veçanërisht dëshira për të interpretuar këngë italiane bënë që Neptuni të integrohej shpejt në jetën artistike të shtetit fqinj. Një një intervistë për CMG Z.Gjata na tregon për karrierën e tij artistike në Itali, por edhe vështirësitë që ka kaluar gjatë këtyre 30 viteve në emigracion.

Neptun Gjata në intervistë për CMG

Neptun Gjata në intervistë për CMG

CMG: Z.Gjata ju përshëndes dhe faleminderit që jeni i pranishëm në Autostradë.

Neptun Gjata: Faleminderit shumë dhe ju përshëndes ju dhe të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.

CMG: Ju keni gati 30 vite që jetoni në Itali. Si ka qenë jeta juaj këto vite në shtetin fqinj?

Neptun Gjata: Fillimi ka qenë pak i vështirë si të gjithë emigrantët, sepse emigracioni në fillim është shumë i vështirë, pastaj fillon ngadalë duke njohur rregullat dhe të integrohesh me jetën atje ku shkon. Pastaj nëpërmjet njohjeve fillon të kërkosh punën. Unë më shumë kam punuar si teknolog qumështi në fabrikën e qumështit të qytetit të Udines.

Neptun Gjata ne Piza te Italise (facebook)

Neptun Gjata ne Piza te Italise (facebook)

CMG: Që kur u larguat nga Shqipëria, vendosët të jetoni përgjithmonë në Itali dhe mos të lëvizni në ndonjë vend tjetër?

Neptun Gjata: Unë kam në Itali 32 vite dhe për momentin nuk e mendoj të lëviz me gjithë vështirësitë që kam për arsye të pandemisë, por Covid është në të gjithë botën, nuk është vetëm në Itali.

CMG: Keni pasur vështirësi në fillimet tuaja për t’u përshtatur me një jetë ndryshe në Itali?

Neptun Gjata: Për t’u përshtatur me jetën italiane jo sepse familja ime më kishte dhënë një edukatë pak të hapur, unë merresha me art në estradën e Vlorës dhe me pallatin e kulturës të qytetit të Vlorës, ku kisha profesor Haxhi Dalipin dhe Oleg Arapin. Kështu që unë isha i përgatitur dhe nuk më bënte përshtypje integrimi me jetën jashtë shtetit.

Neptun Gjata duke interpretuar ne festivalin Festa e kenges (Facebook)

Neptun Gjata duke interpretuar ne festivalin Festa e kenges (Facebook)

CMG: Po në lidhje me artin, si u përshtatët me muzikën në Itali?

Neptun Gjata: Fillimisht kur mbërrita në Itali unë isha shkëputur nga arti për gati 10 vite. Ndërkohë pata një rast në një dasëm të një mikut tim që më kishte ftuar dhe atje ishin dy profesoresha të muzikës së lehtë, ato duke më parë një performancë timen më thirrën dhe po më pyesnin se si ishte e munduar që unë këndoja kaq mirë. Unë i thashë se jam këngëtar, por e kam ndërprerë këto 10 vite. Ato më thanë se nuk ndërpritet kurrë arti dhe se unë duhet të filloja të merresha me muzikën. Më ftuan në studion e tyre dhe dalëngadalë fillova të merrja leksione të muzikës për të rimarrë rrugën aty ku e kisha lënë.

Neptun Gjata gjate nje eventi ne Itali (Facebook)

Neptun Gjata gjate nje eventi ne Itali (Facebook)

CMG: Keni shumë këngë të regjistruara dhe disa prej tyre janë këngë italiane. Ju ka pëlqyer gjithmonë muzika italiane?

Neptun Gjata: Muzika italiane më ka pëlqyer që i vogël dhe i dëgjoja në mënyrë të fshehur para viteve 90, shikoja në televizor Rai Uno, Radi Duo me motrat e mia sepse unë isha i vogël. Pra më ka pëlqyer jashtë mase muzika italiane dhe kur mbërrita atje unë isha i përgatitur me muzikën italiane sepse e kisha mësuar veshin. Kur shkova në Itali duke mësuar dhe gjuhën fillova pastaj që t’i këndoja atje dhe natyrisht e kisha më të lehtë për t’i kënduar. Më pëlqenin shumë të këndoja këngët e Minës, Eros Ramazzotit, Gianni Morandit e shumë këngëtarë të tjerë. Pastaj fillova të impostohesha më shumë, sepse unë jam këngëtar liriko modern dhe duke marrë leksione nga një tenor shumë i mirë në Itali, fillova të këndoja këngët e Boceli-t që i përshtateshin edhe vokalit tim.

CMG: Në Itali keni marrë pjesë dhe në kompeticione të ndryshme të muzikës, pra keni hyrë në botën e artit të mirëfilltë italian dhe këtë besoj e keni arritur pas disa vitesh atje?

Neptun Gjata: Nëpërmjet leksioneve të muzikës dhe duke ndjekur në mënyrë private kurset, ato më futën në organizimin e shumë konkurseve në Itali në zonënë e Mantos ku zura vendin e tretë te “The voice”. Pastaj kam marrë pjesë në Pisa, në Pesaro në një konkurs të këngës. Kam marrë pjesë në Imperia në një konkurs muzike, ku shkova deri në finale.

Neptun Gjata me kengetarin Bashkim Alibali (Facbook)

Neptun Gjata me kengetarin Bashkim Alibali (Facbook)

CMG: Jeni i kënaqur me arritjet në fushën e artit?

Neptun Gjata: Nuk e besoja në fakt që të ecja kaq shumë sepse gjithmonë e kam nënvlerësuar veten time. Më vlerësonin më shumë të tjerët, por unë ndaj vetes kisha shumë kërkesa edhe nuk më pëlqente shumë vetja ime. Kjo më ka bërë që të më shtyjë më shumë përpara dhe të punoj fort.

CMG: Çdo vit jeni i ftuar në edicionin e festivalit “Festa e këngës shqiptare”. Cfarë emocioni përjetoni kur vini në Shqipëri për të marrë pjesë në evente të muzikës?

Neptun Gjata: Unë e kam pasur gjithmonë ëndërr muzikën. Rasti që ika në Itali dhe u vendosa në Udine dhe Trieste, ku aty u njoha me Hektor Lekën. Gjergji Leka duke ndjekur këngët e mia që i postoja në Facebook, më thirri dhe më ftoi në festivalin e tij. Unë kam marrë pjesë në festivalin e vitit 1990 të këngës në RTSH, me këngën e Alfons Balliçit në kuartet me Gjergji Tasen, Irena Cicerin si dhe Mustafa Mehja. Para se të vija në festivalin e vitit 1990 kam marrë pjesë dhe në një eveniment tjetër muzikor me këngën që e ka kënduar Gëzim Çela “Mbaj në dorë fotografinë”, ku dhe aty morëm çmimin e tretë ku unë isha në kuartet, por për mua ishte e rëndësishme të merrja pjesë dhe nuk e kisha problem se isha si solist apo në kuartet. Kur ika në Itali kisha humbur shpresat dhe kisha ëndërr që të kthehesha një ditë dhe Gjergj Leka më krijoi këtë mundësi.

Neptun Gjata gjate nje koncerti (facebook)

Neptun Gjata gjate nje koncerti (facebook)

CMG: Si është një ditë e zakonshme e jetës tuaj në Itali?

Neptun Gjata: Unë bëj jetë normale dhe nuk bëj abuzime me veten, bëj një shëtitje dhe pastaj merrem me punë. Kohët e fundit për arsye të krizës fabrika ku unë punoja është shitur dhe na pushuan të gjithëve nga puna. Në atë periudhë unë u kujdesa për jetën e mamasë sime, sepse ishte shumë sëmurë dhe vitin e kaluar e humba. Kam filluar të punoj me njerëz që janë me sëmundje të rënda dhe tani po kujdesem për një person me probleme shëndetësore dhe dal shëtitje me të, duke e çuar nëpër restorante ose ku ai ka nevojë. Pra jeta ime është normale, dal shëtitje buzë detit, kthehem në shtëpi dhe merrem me punët e shtëpisë.

CMG: Keni menduar ndonjëherë të ktheheni në qytetin tuaj të lindjes, Vlorë apo do të qëndroni përgjithmonë në Itali?

Neptun Gjata: Dëshirën e kam të madhe, por nuk më ka ofruar asgjë deri tani, kështu që nuk shoh ndonjë interes nga qyteti im i Vlorës drejt meje. Ndoshta në të ardhmen nëse më ftojnë patjetër që do të vij sepse është vendi im.

CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit.

Neptun Gjata: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, duke ju uruar shëndet dhe suksese në jetë dhe në punë.

Intevistoi: Gazmend Agaj