25 kilometra nga qendra e Tiranës, mali i Dajtit, si pjesë e parkut kombëtar me të njëjtin emër, është vendi ideal për t’u fshehur në natyrë, kur doni t’i largoheni kaosit të kryeqytetit shqiptar, për disa orë, ose gjatë një fundjave. Gjithmonë është konsideruar si “mushkëria e gjelbër e Tiranës”, apo si “ballkoni panoramik” i saj. Të dy këto përcaktime qëndrojnë, sikundër qëndron edhe fakti se është një ndër destinacionet më të dashur për kryeqytetasit.

Harta e kompleksit në Dajt- Foto facebook nga Dajti Adventure Park

Harta e kompleksit në Dajt- Foto facebook nga Dajti Adventure Park

Si të shkoni

Mënyra më e shkurtër dhe më argëtuese për të shkuar në Dajt është përdorimi i teleferikut, më i gjati në Ballkan, i cili ju çon në destinacionin tuaj për rreth një çerek ore. Pika e nisjes së teleferikut është në afërsi të Bunk'Art të famshëm, muzeu që është i vendosur brenda një bunkeri anti-atomik dhe që zhvillohet në disa kate nëntokësore. Stacioni ndodhet vetëm 20 minuta me makinë ose autobus nga qendra e Tiranës.

Pasi keni marrë teleferikun, në vetëm 15 minuta ju e gjeni veten në Fushë Dajt, 1050 metra lartësi. Gjatë ngjitjes do të shijoni pamjen panoramike të qytetit, fshatrave, pyjeve dhe shtëpive tradicionale, si dhe pamjet e bunkerëve të mbetur si relike.

Teleferiku Dajti Ekspres- Foto Facebook nga Dajti Ekspres

Teleferiku Dajti Ekspres- Foto Facebook nga Dajti Ekspres

Çdo stinë ofron skenarë unikë: nga tonet e ngrohta të vjeshtës, kur pemët ngjyrosen me të verdhë, portokalli dhe të kuqe deri në muajt e dimrit, kur maja e malit zbardhet nga bora deri në shpërthimin e gjelbërimit në pranverë, pamja e pyjeve është gjithmonë e pabesueshme. Kostoja e biletës për teleferikun është 800 lekë për të rriturit, 500 lekë për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç dhe falas për fëmijët nën 5 vjeç.

Por, një alternativë për të shkuar në Dajt, është edhe rruga tradicionale, të cilën mund ta bëni me makinën tuaj, ose me autobusin që niset nga stacioni i autobusëve në qendër të Tiranës. Eshtë një rrugë e ngushtë, malore, e asfaltuar, që të çon në majë të malit Dajti, e mbushur me restorante të shkëlqyera, ku mund të shijoni në veçanti pjatat me mish dhe perime të stinës si dhe të pini ujë të freskët direkt nga burimet.

Harta e atraksioneve të parkut - Foto Facebook- Dajti Ekspres

Harta e atraksioneve të parkut - Foto Facebook- Dajti Ekspres

Dajti

Mali Dajti pëlqehet shumë nga qytetarët e Tiranës dhe në fakt një nga arsyet për të shkuar atje është se mund të shikoni pamjet e Tiranës nga lart dhe t’i bëni fotografi të bukura qytetit. Por jo vetëm!

Parku Kombëtar përbëhet nga Mali Dajtit, Mali Priska në jug dhe vargmali Brari në veri. Mali Priska arrin një lartësi prej 1353 ndërsa mali Dajti arrin 1613 metra. Parku ofron pyje të bukura halore, pyje ahu dhe peizazhe malore me lule të egra. Shumë kafshë jetojnë në park, përfshirë disa gjitarë të mbrojtur: midis kafshëve që mund të shihen ka derra të egër, ujku euroaziatik, dhelpra e kuqe, lepuri evropian, arinjtë kafe dhe macet e egra. Qytetarët e Tiranës e përdorin zakonisht Dajtin si vendin ku shkojnë për piknik, eksplorojnë natyrën, bëjnë ecje, si vendin ku fëmijët takojnë natyrën, apo ku të dashuruarit i shmangen syrit kureshtar të jetës urbane për më shumë intimitet.

Por ajo çfarë po tëheq së fundmi të rinjtë dhe familjet, është Parku i Aventurave.

Nga Parku i Aventurave në Dajt - Foto Facebook nga Dajti Adventure Park

Nga Parku i Aventurave në Dajt - Foto Facebook nga Dajti Adventure Park

Parku i Aventurave Dajt

Parku i Aventurave në Dajt është vendi ideal për ata që udhëtojnë me fëmijë. I hapur në vitin 2017, Parku i Aventurave është i vetmi park aventure në Shqipëri dhe një nga atraksionet më të dashura për ata që duan aktivitetet në natyrë. Parku është i përshtatshëm për të rriturit dhe fëmijët e moshës 5 vjeç e lart, të cilët mund të argëtohen duke ecur përgjatë shtigjeve të ndara në shkallë të ndryshme vështirësish: për fëmijët e moshës 5 deri në 8 vjeç, janë në dispozicion katër rrugë të nivelit të lehtë dhe të mesëm, për fëmijët më të mëdhenj, nivelet janë pak më kërkuese, ndërsa për të rriturit ka rrugë më të rrezikshme që arrijnë edhe lartësinë 10 metra. Të gjitha rrugët karakterizohen nga një përzierje elementësh të tillë si litarë, rrjeta dhe zip-line dhe janë të vendosura në zemër të një pylli të bukur ahu.

Kostoja e biletës së Parkut e Aventurave është 1400 lekë për moshën 8 vjeç e lart, ndërsa për fëmijët nga 5-7 vjeç kushton 1000 lekë. Duhet të dini se transporti me teleferikun e Dajti Ekspres është falas, nëse blini një biletë për Parkun e Aventurave në Dajt.

Restorant Ballkoni i Dajtit - Foto Web

Restorant Ballkoni i Dajtit - Foto Web

Ku të hani dhe ku të flini

Pasi të argëtoheni në Parkun e Aventurave ju do të keni dëshirë të hani. Mund të zgjidhni njërin nga shumë restorantet që ofrojnë shërbimet e tyre në këtë zonë, por ne mendojmë t’ju propozojmë Restorantin Ballkoni i Dajtit.

Nga ky restorant, 1000 m mbi nivelin e detit mund të admironi një pamje të mrekullueshme të të gjithë Tiranës, liqenit Farkë aty pranë dhe natyrës përreth. Këtu mund të porositni pjata të gastronomisë tradicionale shqiptare, në veçanti, këshillojmë që të provoni pjata të Shqipërisë së Mesme, si tava tiranase, me gjizë, spec dhe copa të mishit të viçit, mishin e gatuar me kërpudha, fara pishe dhe bimë të tjera pyjore. Mos harroni të provoni qumështorin, një ëmbëlsirë e shijshme që të gjithë e pëlqejnë. Para se të ktheheni në qytet, idealja është të luani një lojë me mini-golf në fushën e veçantë, disa metra nga stacioni i teleferikut, ndërsa admironi, edhe një herë, panoramën në të gjithë bukurinë e saj.

Pamje e mrekullueshme nga Ballkno i Dajtit - Foto web

Pamje e mrekullueshme nga Ballkno i Dajtit - Foto web

Në park do të gjeni gjithashtu disa hotele ku mund të qëndroni në fresk, një alternativë interesante nëse planifikoni të vizitoni Tiranën gjatë verës, kur nxehtësia në qytet mund të jetë mbytëse. Por gjatë dimrit mund të shijoni edhe borën, pasi Dajti mbulohet çdo vit nga bora, ndryshe nga Tirana, e cila borën e ka mysafire të rrallë. Për të fjetur ne ju propozojmë Hotel Panorama Dajt, i cili është vërtet në një vend të mrekullueshëm.

Udhëtim në çift në malin e Dajtit - foto Facebook nga Dajti Adventure Park

Udhëtim në çift në malin e Dajtit - foto Facebook nga Dajti Adventure Park

Trekking në Parkun e Dajtit

Përveç “Ballkonit të Tiranës”, tashmë i njohur edhe nga turistët, parku ofron shumë atraksione për ato që pëlqejnë natyrën, por edhe që adhurojnë historinë. Gjurmët e vendbanimeve dhe fortifikimeve parahistorike nga epokat e kaluara janë zbuluar në zonë dhe mund të zgjojnë interesin tuaj, ndërsa përgjatë lumit Erzen ndodhet Shpella e Pellumbasit, Kanioni i Erzenit dhe Diga e Peshkasheshit. Ka edhe atraksione të tjera natyrore si ujëvara e Shëngjinit pranë fshatit Shëngjergj dhe zona e Malit me Gropa, në zonën e Martaneshit, një zonë e mbrojtur me livadhe malore, pyje dhe burime uji.

Ky udhëzim shërben për ato që e duan natyrën dhe e pranojnë të papriturën. Kjo pasi shtigjet nuk janë gjithmonë të shënuara mirë. Megjithatë ka disa operatorë turistikë që organizojnë udhëtime shumë-ditore në Shqipëri, ku përfshihet edhe Parkun Kombëtar i Dajtit. Nëse dëshironi, mund t’u drejtoheni edhe atyre.

Neritana Kraja

Fëmijë duke provuar sfidat në parkun e Aventurave - foto Facebook nga Dajti Adventure Park

Fëmijë duke provuar sfidat në parkun e Aventurave - foto Facebook nga Dajti Adventure Park