Big Brother Vip është rrjedhojë e shfaqjes shumë të suksesshme të një reality show, të konceptuar në fund të viteve nëntëdhjetë në Holandë, që u titullua Big Brother dhe që u shfaq në shumë vende të botës, duke përfshirë disa vite më vonë edhe Shqipërinë. Programi u realizua nga Top Channel në vitin 2008, si fenomen i suksesshëm televiziv. Fillimisht ishte një gjë e panjohur, një skemë e guximshme dhe inovatore, e diskutuar dhe e kritikuar, e vlerësuar dhe glorifikuar, si kudo në botë edhe tek ne, por programi arriti të bëhej shumë popullor, pasi arriti të prodhonte nga njerëz anonimë, personazhe që ia dolën të bëheshin në suksesshëm në botën e medias dhe televizionit.

Logo e spektaklit

Logo e spektaklit

Nuk duhet të harrojmë që Arbër Çepani, fitues i Big Brother-it të parë, u bë një moderator dhe njeriu mediatik i rëndësishëm, po ashtu Arjon Muça, moderator në ekran, Adi Pojana moderator radiofonik, Adelajda Xhamani gazetare, etj. Këto janë vetëm disa nga emrat e atyre të rinjve që spikatën si pjesmarrës në edicione të ndryshëm të Big Brother dhe ia dolën të identifikoheshin e të nisnin një karrierë të re.

Ndërkohë, sërish në ekranin e Top Channel, pas një pauze 4 vjeçare, ka ardhur në ekran versioni kushtuar VIP -ave. Në të dy versionet, protagonistët, meshkuj dhe femra, jetojnë në një shtëpi, ku filmohen 24 orë në ditë nga kamerat.

Shtëpia ku po jetojnë banorët Vip - Foto Web - Top Channel

Shtëpia ku po jetojnë banorët Vip - Foto Web - Top Channel

Qëllimi, si për konkurrentët e panjohur, ashtu edhe për ata tashmë të famshëm, është marrja e pëlqimit të publikut derisa të mbetet banori i fundit, të cilit i shkon një çmim i konsiderueshëm në para.

Për të panjohurit, përveç çmimit, nis edhe një karrierë e re, prandaj kuptohet se ëndrra e tyre është të jenë pjesmarrës dhe ta përdorin më pas si trampolinë drejt suksesit. Por kur suksesi, apo njohja, vjen me personazhin, për çfarë dhe a ndihmon realisht Big Brother Vip? Përse një personazh gjysmë apo totalisht Vip, duhet të ndërmarrë një aventurë të tillë? Lind pyetja, përveç parave, njerëzit që e kanë famën, përse u duhet të hyjnë në atë shtëpi e të bëjnë publike gjithçka?

Në fakt 14 konkurrentë Vip që tashmë kanë hyrë në shtëpinë e “Big Brother VIP” e kanë një arsye dhe përgjigje. Personazhet do të kalojnë plot 100 ditë në ambientet luksoze dhe do të konkurrojnë me njëri-tjetrin për çmimin e madh prej 100 mijë eurosh.

Një nga skemat e votimeve javore - foto facebook - Big Brother Albania

Një nga skemat e votimeve javore - foto facebook - Big Brother Albania

Patjetër që shpresojnë për ndikim më të madh social, për të menaxhuar më mirë suksesin, që në fund konvertohet me para. Sot jetojmë në një botë ku gjithçka përfundon e publikuar në rrjetet sociale. Artistët vetë janë mjaft të hapur dhe publikojnë vazhdimisht nga jeta e tyre për të qenë sa më afër dhe të pranueshëm për publikun. Në këtë aspekt, duhet kuptuar edhe nevoja e tyre për të hyrë në një eksperiment të tillë televiz dhe njerëzor. Por, ka një dallim, nëse kur publikojnë në rrjetet sociale, kanë mundësi të filtrojnë paraprakisht gjërat e tyre më të mira, të jetesës, sjelljes dhe përformancës, ekrani televiziv 24 orë live, i nxjerr ata zbuluar me të mirat dhe dobësitë e tyre.

Detajet e shtëpisë - Foto web - Top Channel

Detajet e shtëpisë - Foto web - Top Channel

Nëse publiku i adhuron personazhet për talentin dhe arritjet e tyre, ç’mund të ndodhë nëse ky publik kupton se personazhi në jetën reale është tjetër njeri, mbase edhe zhgënjyes. Kjo është në fakt, si thika me dy presa, që nga simpatik një personazh mund të kthehet në të kundërtën, dhe nga antipatik, mund të krijosh një simpati të madhe për një personazh që mund ta kesh nënvlerësuar.

Gjithsesi, të gjitha këto, janë faktorë ndikues, por jo dominant në vlerësimin e një artisti, i cili si i tillë, duhet peshuara me vlerën e arritjeve të tij e jo me mënyrën se si ha, apo çfarë ha.

Por njerëzit janë mjaft kureshtarë, u pëlqen të vëzhgojnë dhe të dinë për jetën e tjetrit, e sidomos kureshtja bëhet më e madhe, kur bëhet fjalë për personazhe Vip. Pikërisht këtë gjë e kanë kuptuar televizionet, të cilët po i mëshojnë shumë programeve të llojit “reality”. I tillë është programi “Big Brother Vip”, të cilin Top Channel e përcakton si një nga programet kryesore në strukturën e programacionit. Kasti i personazheve brenda shtëpisë është përzgjedhur më shumë kujdes.

Dy konkuurentë, Semi Jaupaj dhe Donald Veshaj gjatë spektaklit - foto web - Top Channel

Dy konkuurentë, Semi Jaupaj dhe Donald Veshaj gjatë spektaklit - foto web - Top Channel

Të profesioneve, të natyrave, të statuseve konkurrentët VIP në shtëpi janë: Ilir Shaqiri, Sheila Haxhiraj, Donald Veshaj, Rudina Demneri, Arjola Demiri, Elhaid Cufi, Beniada Nishani, Sabiani, Kledi Hysa, Semi Jaupaj, Granit Cana, Monika Lubonja, Fifi dhe Ardit Çuni.

Në udhëtimin e tyre banorët do t’u nënshtrohen kushteve të pazakonta, brenda një shtëpie, larg habitatit të tyre privat, social dhe krijues dhe rutinës së përditshme.

Përveç ambienteve luksoze, në shtëpinë e Big Brother VIP ka edhe një “dhomë dënimesh”, në të cilën do të qëndrojnë banorët që thyejnë rregullat. Ajo pasqyron shtëpitë në Shqipëri vite më parë, pasi çdo objekt është i vjetër.

Jeta e personazheve Vip brenda shtëpisë - Foto web - Top Channel

Jeta e personazheve Vip brenda shtëpisë - Foto web - Top Channel

Do të ketë një përmbledhje javore çdo ditë, pa harruar forumin “Big Brother Fun Club”, i cili transmetohet çdo të dielë, në orën 12:30. Pritet të ketë një nivel rekord shikueshmërie dhe kjo vërehet edhe nga interesi i shikuesve gjatë ditëve të para të transmetimit.

Organizatorët premtojnë të sjellin një spektakël madhështor dhe fillimi duket i tillë. Ambienti ku jetojnë, studio e reja ku është ndërtuar edhe shtëpia e famshme, hapësirat që kanë në dispozicion, kushtet teknike të transmetimit, të gjithë shkojnë sipas kërkesave të “Endemol”, kompania që zotëron shpikjen e formulës së këtij programi dhe shumë të tjerëve të një suksesi botëror.

Pjesë nga jetesa e banorëve brenda shtepisë - Foto Web - Top Channel

Pjesë nga jetesa e banorëve brenda shtepisë - Foto Web - Top Channel

Kur mbërriti Big Brother për herë të parë në Shqipëri, pati një diskutim të madh, të shumtë ishin ata që pretenduan se ishte një program që thyente kufijtë e moralit prandaj njerëzit që hynë aty, fillimisht u paragjykuan. Por fituesit që dolën vit pas viti dhe njerëzit që arritën të demostrojnë vlerat e tyre të mira, duke u bërë edhe ndikues në jetën shoqërore, treguan se e mira ngelet dhe lë shenjë. Edhe vetë zgjedhja e prezantueses Arbana Osmani, nga viti në vit, modeli i një vajze dhe gruaje me këmbë në tokë, ishte thelbësore, në zbutjen e ndikimin kritik, në një shoqëri si kjo e jona. Ishte fytyra e duhur për të kombinuar të lartën me të ultën, për t'i dhënë një mantel borgjez dhe të respektueshëm një shfaqje popullore dhe të kritikueshme prej disave.

Drejtuesja e programit Arbana Osmani - Foto facebook- Big Brother Albania

Drejtuesja e programit Arbana Osmani - Foto facebook- Big Brother Albania

Këtë vit kemi një tjetër tabllo, personazhet që duhet të përballen janë Vip, ndërsa prezantimi i është besuar sërish eksperiencës së Arbana Osmanit, e cila dashur pa dashur, duhet të përballet me një tjetër sfidë, atë të tekave të konkurrentëve, që një pjesë mund t’i ketë njohur edhe ajo vetë, jashtë formatit, si pjesë e muzikës, sportit, apo spektaklit.

Gjithsesi, ne jemi publiku dhe na ngelet për të parë se si do të shkojë ky eksperiment televiziv i Top Channel me personazhet Vip.

Nga spektakli - Foto web Top Channel

Nga spektakli - Foto web Top Channel

Në shtator të vitit 1999, John De Mol, shpikësi i Big Brother në Holandë, shqiptoi një frazë emblematike: "Big Brother do të jetë për “Endemol” ajo çfarë Mickey Mouse është për “Disney”. Ne jemi duke punuar në diçka që do të bëhet e madhe: pas njëzet vitesh, kur flasim për televizionin, do të flasim për TV para Big Brother dhe TV pas Big Brother ". Dhe duke gjykuar nga ndikimi në media dhe mënyra e të menduarit rreth argëtimit, kësaj radhe me personazhe Vip, kjo frazë sot tingëllon si një profeci.

Neritana Kraja