Ermal Qori është i riu nga Shqipëria që ka nisur qysh herët të punojë.

Me një vullnet të mirë solli në tregun e lexuesve një libër me "Aforizma", i cili u pëlqye nga lexuesit.

I atashuar pranë medias, duke sjellë në ekran show dhe materiale të tjera, Ermali se fundmi është autori i serialit televiziv me 10 episode "Lokomotiva".

Ermal Qori (Instagram)

Ermal Qori (Instagram)

CMG : Ermal sa e vështirë është të përkufizojmë veten?

Ermal Qori: Më pëlqen shumë kjo pyetje, sepse me pëlqen që t’i jap vetes një përgjigje. E kam pak të vështirë ta përkufizoj veten se kush jam unë. Ndoshta angazhimet e mia kanë qenë të shumta ndaj dhe ka qenë pak e vështirë që ta shoh veten në një fushë të caktuar, si vetëm ekspert i diçkaje.

Shpesh unë i them vetes se nuk e di kush jam tani, por e di se kush do të bëhem në të ardhmen, ndoshta më të shkurtër se ajo që shpesh themi.

Sigurisht tani unë jam profilizuar në media, por kërkoj një të ardhme të ndritur.

CMG : Kush do të bëheni? Ku e shihni veten pas disa vitesh?

Ermal Qori :Nuk di të them tani në këto momente, sepse është një planifikim i gjatë. Dua të them që jam fokusuar tepër në profesion dhe atë që unë e shoh punën e të ardhmes, por pa lënë mënjanë kërkimin dhe formimin akademik.

Parë dhe nga gjërat e tjera që bëj, regjisura është një pikësynim i radhës.

Do të kaloj në të njëjtën rrugë që kanë kaluar edhe të tjerë para meje, por me i pjekur e më i dhënë në punë, sepse çdo gjë ndryshon me kohën.

CMG : Sido që të jetë, unë ja dola... Ja thoni vetes shpesh këtë frazë?

Ermal Qori: Po. Njerëzit që më njohin e dinë realisht se si jam dhe e dinë që kam përherë një plan B... Nëse nuk e kam këtë planin B do ta krijoj, sepse kështu i krijohen vetes mundësitë.

Kur ka një projekt, apo qoftë edhe në situata që krijohen spontanisht, unë përpiqem të kem një plan B, që gjërat mos të dalin jashtë kontrollit.

Jo në të gjitha rastet, je ti ai që del fitues absolutisht. Kemi nevojë që vetes t’i krijojmë një klimë. Kjo klimë të ndihmon shumë të analizosh veten në raporte profesionale, por mbi të gjjtha humane.

CMG : Njerëzit janë produkt i punës, apo i fatit?

Ermal Qori dhe ekipi realizues i serialit

Ermal Qori dhe ekipi realizues i serialit

Ermal Qori : Janë produkt absolutisht i punës. Njerëzit duhet të punojnë për të arritur atë gjë që ata duan. Që gjjthçka të jetë ekzistenciale kërkon patjetër ndërthurjen e të dyjave, por që të paktën fatin ta besosh, ndërsa për punën nuk duhet të rreshtim kurrë.

Një pjesë e fatit është e rëndësishme, por puna është patjetër finale. Vetëm ajo të ngre në çdo aspekt. Të dyja si elementë janë të rëndësishme dhe janë si kompromis mes tyre, një kompromis i heshtur.

Unë mendoj që është punë dhe më pas nis të kesh fat në vendin e duhur, duke punuar!

CMG: Cilat janë tiparet që nuk janë tjetërsuar kurrë tek ju?

Ermal Qori: Këmbëngulja ka qenë gjithnjë tipar tek unë dhe në fakt asnjëherë nuk kam hequr dorë nga gjërat që kam pasur në plan të bëj dhe që bëj aktualisht.

Që në fëmijëri kam pasur një vullnet të mirë për të bërë gjërat e mia.

Një dëshirë për të njohur gjërat që më përkasin, por edhe ato që nuk më përkasin. Kokëfortësia ime është aty për të çuar çdo gjë deri në fund.

Këtë kam kuptuar nga vetja gjithnjë, që pavarësisht nga rrethanat unë nuk i kam lënë në mes projektet. Kam një kërkesë njohje për gjëra të reja apo njohje intelektuale, sepse ato të japin një formim e të bëjnë një person tjetër nga ai që je.

CMG: Si ka qenë fëmijëria juaj? Me ëndrra, apo e qetë dhe gjjthçka ka rrjedhur natyrshëm.

Ermal Qori: Unë jam rritur në një zonë të largët të Beratit dhe si i tillë unë kam qenë një fëmijë i veçantë, për vendin ku rritesha dhe ëndrrat që kisha.

Por s’u dorëzova kurrë, pavarësisht paragjykimeve apo atyre që vinin nga pas. Isha fëmija i vetëm që ëndërroja fort dhe e doja kaq fort jetën.

Kërkimi s’ka ndaluar kurrë edhe kur kam qenë fëmijë. Me kujtohet kur isha 12 vjeç njihja të gjjthë aktorët apo çdo film shqiptar.

Në atë moshë unë mbaj mend që kam tentuar të vija në skenë një shfaqje në pallatin e kulturës. Sigurisht unë nuk e vura në jetë në atë moshë, por njerëzit më dëgjuan dhe më mbajtën pranë.

Shfaqja e parë ka qenë 14-vjeç e nga ajo ditë gjithçka rrodhi për t’u bërë dhe për t’u arritur.

Ermal Qori dhe aktorja Margarita Xhepa gjatë xhirimit të serialit Lokomotiva

Ermal Qori dhe aktorja Margarita Xhepa gjatë xhirimit të serialit Lokomotiva

CMG: Më kujtohet kur... Një ngjarje që ka shënuar tek ju kthesë..

Ermal Qori: Më kujtohet kur një drejtues i një prej mediave në Shqipëri u soll me mua shumë keq. Ai më hapi derën që unë të bëja një provë dhe duke qenë që isha në fillimet e mia, ma përplasi derën dhe më tha " Ti nuk bën për këtë punë! ". Nga ajo ditë unë i vendosa qëllim vetes dhe u bëra! Tani pres momentin që të përballemi si kolegë...

7 minuta në zyrën e tij ndryshuan jetën time, për t’u inkurajuar me veten...

CMG: A keni ju pengje në raport me kohën?

Ermal Qori : Po. Nëse do kthehesha pas do të ndryshoja nivelin e këmbënguljes në raport me veten dhe punën, ndërsa nëse do vij afër në kohë nuk do doja të bëja njëkohësisht kaq shumë gjëra, sepse jam i përhapur shumë. Ndërsa nëse do isha i fokusuar në një vend do kisha përqindje më të lartë për ta bërë shumë mirë atë gjë.

CMG: Hapi në kinematografi, "Lokomotiva" si u prit si projekt?

Ermal Qori: Unë e kam testuar veten në këtë aspekt dhe mund të them që u prit mire. Jo shumë mire, pasi ka vend për përmirësim.

U prit mirë pjesa e parë e filmit, ndërsa pjesa e dytë vijon në proces. Është bërë një investim i dytë me më shumë rëndësi dhe një strukturë më e mire, madje kemi krijuar edhe një bashkëpunim në Itali që të kemi mundësi të shkojmë atje për të xhiruar.

Thelbi është i njëjtë: duam të përcjellim një mesazh që i jep vlera Shqipërisë!

Nuk duam ta ushqejmë vendin me komercialin, por duam të pasqyrojmë vlerat e vendit dhe ta ruajmë këtë subjekt. Ky subjekt do të jetë deri në serinë e 10 dhe ky film do të shfaqet në Shqipëri dhe gjithë diasporën.

Intervistoi Megi Latifi