Shfaqjet teatrale shqiptare të zhanrit komedi, janë kaq të dashura për publikun, saqë edhe sot nuk i zvendësojmë dot me asnjë film apo shfaqie tjetër që shohim.

Në fakt koherenca tematike e të treja komedive të përzgjedhura, me problematikat e kohës ku jetojmë, pa nënvlerësuar aspak punën mjeshtërore të realizuesve të tyre, ka bërë që të treja komeditë të rënditen, si më të mirat e skenës teatrore shqiptare.

Pas vdekjes (Facebook Teatri Andon Zako Cajupi)

Pas vdekjes (Facebook Teatri Andon Zako Cajupi)

“Pas vdekjes”

Ndonëse Çajupi e ka shkruar këtë komedi në 1910, kjo vepër vazhdon të mbetet shumë simpatike dhe e këndshme për publikun. "Pas vdekjes" është një komedi politiko-shoqërore, që në kohë të ndryshme është vënë në skenë nga trupa të ndryshme teatrore.

Ngjarjet zhvillohen në zyrat e gazetës "Liria", por kuptohet se përmbajtja e komedisë është shumë më e gjerë dhe më e thellë. Ajo zbulohet përmes një situate komike, të gjetur me mjeshtëri prej shkrimtarit. Doktor Adhamudhi vjen në zyrat e "Lirisë" t'i tregojë Skëndo beut abetaren e tij shqipe. Atje doktori sheh rastësisht një nekrologji për një deputet që ende s'ka vdekur dhe i lind dëshira të dijë edhe ai se ç'do të shkruhet për të pas vdekjes. Këtë dëshirë e shfrytëzon me zgjuarsi shërbëtori i klubit, Zeneli, i cili fut në vrullin e shakasë së tij dhe të tjerë, mësonjësen Lulushe dhe gazetarin Vurko, i cili shkruan nekrologjitë dhe njëkohësisht i vjen rrotull asaj.

Por dy janë personazhet më të goditura të veprës: dr. Adhamudhi dhe Zeneli. Përmes doktor Adhamudhit, Çajupi ka demaskuar tipin e politikanit sharlatan por edhe mendësinë e njerëzve mendjemëdhenj që, ndonëse e kanë kokën e zbrazët dhe shpirtin e varfër, kujtojnë se asnjë punë nuk vlen nëse s'kanë qenë ata të pranishëm. Kjo komedi, bashkë me “14 vjeç dhëndërr”, shkruar po nga Çajupi, e cila edhe është përshtatur në film, përbëjnë themelet e satirës shqiptare. Përmes batutave dhe situatave inteligjente, komedia “Pas vdekjes”, ngelet ndër komeditë më të bukura, ndonëse pas personazhit të Adhamudhit, në të vërtetë, sipas historianëve dhe studiuesve, fshihet figura e një mjeku të nderuar të kohës, të cilin Çajupi, për arsye tërësisht personale, vendosi ta satirizojë. Pavarësisht këtij fakti, komedia përfaqëson një ndër komeditë më të mira shqiptare, shkruar me finesë, elegancë dhe koherencë. Në arkivat e RTSH, interpretimi i një grupi të studentëve të Akademisë së Arteve, atëherë Instituti i Lartë i Arteve, ngelet si një nga realizimet më simpatike që e kemi parë të shfaqur me dhjetëra herë në ekran.

Pallati 176 (google)

Pallati 176 (google)

“Pallati 176”

“Pallati 176” është një nga komeditë teatrale më të bukura shqiptare. Edhe sot mbetet një nga komedi-romancat më të bukura. E kush mund ta harrojë lëmshin që bën Jovan Bregu, interpretuar nga aktori Roland Trebicka. E bija e tij guximtare dashurohet në fshehtësi me djalin e fqinjit të tyre, i cili ishte edhe drejtori i Jovanit. Megjithatë, ngjarja fillon edhe komplikohet edhe më tepër për shkak të një letre që Jovani shkruan.

Vepra u shkrua nga Adelina Balashi dhe u drejtua nga regjisori Alfred Bualoti. Komedia u shfaq në vitin 1986.

Ka kaq shumë batuta të paharruashme, saqë tashmë janë plotësisht pjesë e komunikimit urban.

Situata, batuta, humor elegant, lojra fjalësh, dhe një kast aktorësh i mrekullueshëm, “Pallati 176” ngelet komedia me numrin më të madh të shfaqjeve në sallë dhe më e transmetuara nga televizori.

Veçori e komedisë është se ajo është interpretuar vetëm nga Trupa e Teatrit Kombëtar dhe rolin kryesor e ka interpretuar vetëm Roland Trebicka.

Poster Shi ne Plazh (google)

Poster Shi ne Plazh (google)

“Shi në Plazh”

“Shi në plazh” është një komedi që sa herë ta shohësh, vë buzën në gaz. Një situatë, ku dy të dashuruar, shkojnë me pushime në plazh, me qëllim që t’i bindnin prindërit, që të kurorëzonin lidhjen e tyre. E shkruar me mjeshtëri nga Teodor Laço dhe vënë në skenë nga Trupa e Aktorëve të Akademisë së Arteve në vitin 1984, me regji të Gëzim Kames, përbën shfaqjen e tretë, më të sukseshme ndër vite.

Aktorë si Robert Ndrenika, Agim Shuke, Birçe Hasko, Viktor Zhusti, Vera Zheji, Elvira Diamanti, Elmira Gjata, me interpretimin e tyre shumë elegant kanë arritur të dhurojnë një shfaqje shumë të mirë për publikun e atyre viteve, e cila vazhdon të jetë koherente dhe e dashur edhe sot.

Neritana Kraja