Akademia e dansit e R.Çukos dhe balerini Ilir Shaqiri

Akademia e dansit e R.Çukos dhe balerini Ilir Shaqiri

Rexhina Çuko është artistja e kërcimit, e cila pasionin për kërcimin e ka kthyer në profesion. Ajo ka arritur që gjatë këtyre viteve të hapë tre akademi vallëzimi në Tiranë, duke ju mësuar grupmoshave të ndryshme artin e vallëzimit. Në një intervistë për CMG Rexhina tregon për pasionin e saj të vallëzimit dhe mësimdhënies si dhe vështirësitë që ka hasur për të arritur deri këtu.

CMG: Rexhina përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Autostradë.

Rexhina Çuko: Ju falënderoj shumë për ftesën dhe është kënaqësi të jem pjesë e emisionit tuaj. Jam e lumtur që do të tregoj sesi kam arritur deri këtu, është një sukses dhe mund të jetë një motivim shumë i mirë për moshataret e mia.

CMG: Si e keni nisur vallëzimin dhe sa e vështirë ka qenë për ju të arrini deri këtu?

Rexhina Çuko: Rrugëtimi është pak a shumë i gjatë, por dhe i vështirë me sakrificat e veta, të cilat i takojnë edhe ndryshimit të sistemit kohor që ne jetojmë sot. Nuk është e lehtë që të bësh paralelisht shkollën dhe kurset si dhe të ndjekësh imponimin pak a shumë që mund të të bëjnë prindërit për të ndjekur një shkollë të lartë, siç kam bërë unë për administrim në politikë sociale, ndërkohë të ndjekësh edhe pasionin tënd që është kërcimi.

Raxhina Çuko

Raxhina Çuko

Unë e kam filluar kërcimin që gjashtë vjeç dhe vazhdimisht me kurse intensive, duke nisur te pallati i pionierit dhe më pas me mësuese Moza Bekteshin në shkollën e saj private dhe vazhdimisht jam duke u trajnuar edhe sot me anëtarët e jurisë së programit Italian “Amici”. Kam bashkëpunuar me Ilir Shaqirin dhe Albi Nakon, por dhe me Kozeta Bakiun që jemi tani në master në Akademinë e arteve dhe kam arritur të ndërtoj një background shumë të mirë artistik. Duke u bazuar në arritjet që kemi pasur, në shkollën dhe fëmijët e talentuar që kemi nxjerrë brenda dhe jashtë vendit, ata sot na përfaqësojnë denjësisht dhe jam e lumtur për këtë. Do të thoja që kjo arrihet vetëm me një sakrificë të cilën unë sot nuk është se e kam peng, por duke u fokusuar në objektivin dhe qëllimin që i kisha vënë vetes për të arritur këtu ku jam sot dhe për të ndërtuar një akademi timen.

CMG: Ju thatë se keni studiuar për administrim në politikë sociale por duke pasur pasion kërcimin tani vazhdoni masterin në Universitetin e Arteve.

Rexhina Çuko: Administrim në politikë sociale është një degë e cila të ndihmon shumë për të dhënë mësim, pra në metodologjinë e mësimdhënies. Nuk është e thjeshtë të merresh me grupmosha të ndryshme fëmijësh, t’i orientosh ata gjatë orës së mësimit dhe t’i menaxhosh në klasë. Sociologjia dhe psikologjia që kam studiuar në këtë degë ka qenë një shtysë shumë e mirë që unë të adaptohesha shumë lehtë pastaj në mësimdhënie dhe në atë që unë kisha pasion. Sot jam shumë e lumtur që e bëj atë punë sepse e bëj me shumë dëshirë dhe jo me detyrim.

Rexhina Çuko me nxënësit e akademisë së vallëzimit

Rexhina Çuko me nxënësit e akademisë së vallëzimit

Rexhina Çuko në akademinë e saj të vallëzimit me nxënësit

Rexhina Çuko në akademinë e saj të vallëzimit me nxënësit

CMG: Si arritët që të keni tashmë tre akademi vallëzimi në Tiranë?

Rexhina Çuko: Edhe aq e lehtë nuk ka qenë sepse kam pasur tentativa të pasuksesshme deri diku, pasi në fillim akademia e parë ka qenë në qendër të Tiranës por nuk pati rezultatet që unë prisja. Gjithësesi nuk u dorëzova sepse e pashë se nuk ishte diçka që nuk shkonte me mua, por ishte thjesht vendndodhja e gabuar. Më vonë zhvendosja për në zonën e Astirit ishte momenti i duhur dhe pikërisht ajo për të cilën unë kisha nevojë dhe fëmijët u gjendën aty dhe kishin nevojë për artin modern të cilin unë përfaqësoj dhe atë latin. Më vonë unë hapa dy akademi të tjera në dy zona të tjera të Tiranës.

CMG: Në cilat grupmosha janë fëmijët që vijnë në akademitë tuaja të vallëzimit ?

Rexhina Çuko: Grupmoshat janë nga më të voglat 4 vjeç deri në 17 vjeç, por kemi pasur raste shumë interesante të cilët kanë qenë fëmijë dy vjeç e gjysëm dhe që na kanë mrekulluar. Kanë qenë fëmijë të pjekur, shumë të qëndrueshëm dhe që e donin jashtë mase baletin dhe sot kanë 4-5 vjet në akademinë time dhe përfaqësojnë denjësisht me arritjet, ndryshimin emocional që kanë, me shpërthimin, me vetëkontrollin e emocioneve. Ata janë bërë fëmijë vërtetë shumë socialë dhe që do të japin një kontribut shumë të mirë shoqëror nesër.

CMG: Besoj se vallëzimin nga hobi që e kishit kur ishit e vogël tani e keni kthyer në profesion.

Rexhina Çuko: Po. Tashmë janë bërë 10 vite që jap mësim me fëmijët. E kam nisur që 17 vjeç dhe gradualisht po fillonte të më pëlqentë shumë mësimdhënia dhe e ndjeja veten shumë më mire, sesa të isha balerinë në një trupë baleti. Kam qenë balerinë sepse po nuk hodhe këmbët e tua nuk mund ta japësh mësim. Janë 10 vite gati të cilat domosdoshmërisht do kthehen në profesion dhe akoma më tepër.

Rexhina Çuko në intervistë për CMG

Rexhina Çuko në intervistë për CMG

CMG: Pandemia ka ndikuar në punën tuaj më fëmijët?

Rexhina Çuko: Pandemia ashtu si në çdo sektor artin e ndikoi, por jo aq sa sektorët e tjerë. Unë veçanërisht nuk e kam ndjerë shumë rrezikun e pandemisë, fëmijët janë gjenduar gjithmonë dhe e kanë dashur artin. Ne jemi gjendur edhe online me fëmijët, ka qenë pjesëmarrje masive dhe nga prindërit. Prindërit janë pjesë e akademisë sime dhe i falënderoj sepse janë vërtetë prindër që i orientojnë fëmijët në rrugën e duhur, pra të bëjnë gjërat që atyre ju duhen në jetë.

CMG: Rexhina çfarë qëllimesh keni për të ardhmen në fushën e vallëzimit?

Rexhina Çuko: Qëllimet ndryshojnë vazhdimisht, por edhe koha ndryshon, pëlqimet dhe trendet e vazhdimësisë. Por ajo që unë nuk do e ndryshoj kurrë është qëllimi im që unë do të bëj gjithmonë art, nuk do t’i futem komercializmit për asnjë arsye. Gjithmonë do t’i qëndroj artit dhe baleti im do jetë ai që do të frymëzojë breza, por dhe do japë një kontribut social më tepër. Qëllimet e mia do të jenë kontributi social, tematika sociale, mbi të gjitha temat që prekin sot, siç mund të jetë emigrimi, varfëria apo arsimi. Pra do të jenë tematika që ndikojnë nëpërmjet artit.

Rexhina me balerinin e njohur Kleidi Kadiu

Rexhina me balerinin e njohur Kleidi Kadiu

CMG: Ju falënderoj për këtë bisedë dhe ju uroj suksese.

Rexhina Çuko: Ju falënderoj dhe suksese edhe ju.

Intervistoi: Gazmend Agaj