Tirana International Film Festival ka ulur siparin, ndërsa ka shoqëruar për 6 ditë dhe netë magjinë e vjeshtës nëTiranë.

Imazhe, personazhe, histori, drita e projeksioneve dhe mijëra frame film u bënë portat e kryeqytetit shqiptar, në edicionin e 19 të Tirana International Film Festival. Festivali i këtij viti ishte një hibrid - do të thotë një rikthim i madh i auditorit në kinema ndërsa një pjesë e madhe u zhvillua në internet.

Ndërkohë një numër i madh regjisorësh nga bota, përtej pritshmërive, erdhën fizikisht në festival, si nevojë e kontakteve artistike dhe ballafaqimit të drejtpërdrejtë me publikun dhe kritikën e jurisë, me dëshirën e madhe për të qenë prezent gjatë ditëve të festivalit, pas dy vitesh të izolimit për shkak të pandemisë.

Në përfundim të tij, edicioni i 19-të i TIFF ka kurorëzuar edhe fituesit, pas konkurrimit të pjesmarrësve në 15 kategori.

Kategoria më e rëndësishme Best Feature Film ose “Bufi i Artë” i këtij edicioni u fitua nga filmi i regjisores meksikane Fernanda Valadez, i titulluar “Identifying Features”. Një film jashtëzakonisht i fuqishëm, i cili portretizon një realitet të ashpër e mizor të kohëve tona, i cili nxjerr në pah për herë të parë një regjisore femër.

Ky film trajton temën e rreth 70 mijë personave të zhdukur në Meksikë. Një mama vihet në kërkim të djalit të saj, që nuk dihet nëse ka vdekur rrugës drejt emigrimit në Amerikë. Juria e festivalit e vlerësoi filmin për forcën e fuqishme për të portretizuar një realitet të ashpër e mizor të kohëve tona.

Ndërkohë një tjetër kategori e rëndësishme në këtë edicion Best Shorts Film, i cili do të radhitet edhe në listën e gjatë të kandidatëve për çmimet e Oscars, u fitua nga regjisorja Lillah Hallaa, me filmin “Menarca”. Juria e vlerësoi këtë film për përdorimin mjeshtëror të imazhit femëror të elektrizuar nga një atmosferë shumë poetike, por në të njëjtën kohë kuptimplotë.

Në kategorinë e Regjisores më të mirë titullin e fitoi Eliza Petkova, ndërsa çmimin për skenarin më të mirë e fitoi Shaëkat Amin Korki. Çmimin Bufi i Argjendtë e fitoi filmi “Botox” nga Kaveh Mazaheri. Çmimi i filmit të shkurtër më të mirë Aksion iu akordua filmit “Titan” të regjisores Valery Carnoy. Çmimi i filmit më të mirë të animuar iu akordua “Heart of Gold” nga regjisorja Simon Filliot.

Çmimi i filmit më të mirë studentor iu akordua “Fall of the Ibis King” nga regjisori Mikai Geronimo dhe Josh O’Caoimh. Ndërkohë tek dokumentarët, Bufi i Argjendtë iu akordua filmit “A cifle and a Bag” nga Cristina Hanes. Dokumenti më i mirë i shkurtër u shpall “Scars” nga Alex Anna. Një tjetër kategori e veçantë ajo Filmit më të mirë shqiptar, shpalli si fitues filmin “Disco Funeral” nga regjisori Benart Laze, ndërsa filmi më i mirë në Ballkan u shpall “Kriminelët” nga regjisori turk Serhat Karaaslan. Filmi i zgjedhur nga Audienca ishte “Un/Dogmatic” i regjistruar nga Shoqëria Daneze e Kinemasë.

Por, a ishte, i njëjti festival siç jemi mësuar ta shohim gjithmonë? Edicioni i 19-të i TIFF erdhi në një moment të vështirë për të gjithë botën dhe pas një edicioni, i cili u realizua pothuasje i gjithi online. Përgjithësisht gjatë dy viteve të pandemisë, të gjitha festivalet më të rëndësishme të botës kaluan online. Nga na tjetër, nga organizatorët e Festivalit, këtë vit ishte një frikë nëse do të binte prodhimi dhe nëse se do të kishte më pak prurje. Në fakt, themeluesi dhe drejtori artistik i festivalit, kineasti Agron Domi, pohon të kundërtën, duke nënvizuar se kishte një rritje të filmave pjesmarrës nga e gjithë bota.

“Seleksionuam mes rreth 3000 filmash, ishte e pamundur ta imagjinonim sepse vinim nga një periudhë izolimi. Regjisorët kishin gjetur mundësi, frymëzim për të bërë filma. Në qershor ishte 40% më shumë se në vitet normale. Kjo më dha një shtysë që ky edicionin do të bëhet”, u shpreh Domi.

Salla kryesore ku u shfaqën filmat ishte ajo e Millenium, ndërsa pati edhe shfaqje open air për të kompensuar programin dhe për t’i dhënë mundësi një publiku më të gjërë, të cilët nuk kishin mundësi për të ardhur në kinema për të ndjekur filmat dhe që donin t’i shmangeshin takimeve të afërta për shkak të pandemisë. Risia e këtij festivali sipas Agron Domit është paketa prej 12 filmash në shqip.

“Këtë vit kishte një garë të fortë në kompeticionin “In Albanian” Kemi një paketë prej 12 filmash shqip, kësaj here kemi një dominim të filmave nga Shqipëria, një dominim të filmave të shkurtër, filma shumë të mire dhe me kënaqësi vëmë në dukje një rritje të kualitetit”, nënvizon Domi. Ndërkohë që sllogani i festivalit vijon të jetë ai që ka pasur në krye të herës “Mendojmë ndryshe, shohim njëlloj”.

Dy ceremoni të bukura, në kinema Millenium, njëra e hapjes dhe ajo e përfundimit, nisën dhe përfunduan festivalin që zgjati 6 ditë. Në ceremoninë e mbylljes ku u dhanë edhe çmimet, ishte e ftuar vetë Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, që dha edhe një nga çmimet për fituesit. Ndërkohë producentë, kineastë, aktorë, si dhe rreth 40 regjizorë të ardhur nga jashtë, u bënë pjesë e këtij eventi.

Si në çdo mbrëmje të tillë ku në qendër është filmi, nuk munguan takimet, bisedat informale dhe shtrëngimet e duarve mes miqve apo kolegëve. Sigurisht edhe pak muzikë e pije, por ashtu siç e përshkruajnë rregullat: me maska.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë është ngjarja më e rëndësishme kinematografike që zhvillohet në Shqipëri. Jo vetëm sepse është më i vjetri dhe më me përvojë, por edhe për numrin më të madh të aplikacioneve, filmat selektivë, programi i pasur, zbulimet magjepsëse dhe premierat e tregut të filmave më të rëndësishëm kinematografikë sot në botë.

Një tjetër aset i rëndësishëm i festivalit, është se Fituesi i Best Short Action/ Animation nga ky festival, fiton automatikisht të drejtën të renditet në listën nga e cila del fituesi i Oscar® për këtë kategori. TIFF është renditur ndër 94 festivalet më prestigjiozë në botë, si: Kanë, Berlin, Venecia, Lokarno, Sundance, Tribeca, etj duke i dhënë kështu një shans më të madh filmave të prodhuar në Shqipëri, rajon dhe jo vetëm, për të konkurruar për këtë Çmim të madh.

Të gjithë e dimë se jemi në prag të dimrit dhe beteja me virusin nuk ka përfunduar, por besimplotë që ky nuk do të jetë një vit i jashtëzakonshmë si 2019, duke shpresuar që festivali i filmit të tregojë rrugën e normalitetit dhe ngjarje të tjera të mëdha të artit të fillojnë të kthehen në Tiranë.