Me përmirësimin e mjedisit, fotografi Wu Haizhan, nga provinca Shanxi e Kinës Veriore, kalon më shumë kohë për të fotografuar qiellin xixëllues në një park pyjor vendor.

“Yjet, që ishte e vështirë të shikoheshin më parë, mund të vëzhgohen lehtësisht tani,” tha Wu, që ka shkuar shpesh në Parkun Kombëtar Pyjor “Taihang Honggu” gjatë pesë vjetëve të kaluar.

Në këtë park ndodhet një e ashtuquajtur “zonë e mbrojtur për qiellin e errët”, e cila u përfshi në Listën e Vendeve të Qiellit të Errët të Botës nga Bashkimi Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës në vitin 2020.

Provinca Shanxi ka qenë provinca më e madhe e prodhimit të qymyrgurit në Kinë dhe ka vuajtur për një kohë të gjatë nga shkarkimi i lartë i karbonit dhe ndotja. Por vitet e fundit pushteti vendor ka pakësuar ndotjet nga qymyrguri në kalimin drejt zhvillimit të gjelbër.

Kina synon të arrijë kulmin e shkarkimit të karbonit para vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit para vitit 2060. Sipas Ministrisë së Ekologjisë dhe të Mjedisit, pesha specifike e qymyrgurit në strukturën e energjive të Kinës u ul nga 72.4 për qind në vitin 2005 në 56.8 për qind në vitin 2020. Ndërkohë, intensiteti i shkarkimit të karbonit u ul 48.4 për qind gjatë këtyre 15 vjetëve.

Në kontenë Qinshui, vëllimi i prodhimit të qymyrgurit pritet t’i kalojë 35 milionë tonët këtë vit, por ajo kontrollon prapëseprapë cilësinë e ajrit. Të gjashtë treguesit e cilësisë së ajrit arritën standardet kombëtare vitin e kaluar.

Pushteti vendor u kërkon minierave të qymyrgurit ta magazinojnë dhe ta transportojnë qymyrgurit në mënyrë të mbyllur, që të pakësohet ndotja prej pluhurit. Gazi i qymyrit, një shkak kryesor i shkarkimit të karbonit gjatë nxjerrjes së qymyrgurit, riciklohet në shumë miniera, në vend që të shkarkohet drejtpërdrejt në ajër.

Qinshui ka ndërtuar centralin e energjisë nga gazi i qymygurit më të madh në Kinë, duke shfrytëzuar 2.74 miliardë metra kubë gaz qysh nga viti 2008 dhe duke pakësuar me 41.09 milionë tonë shkarkimin e dyoksidit të karbonit.

Gazi i qymyrgurit gjithashtu inkurajohet të përdoret për kuzhinë dhe ngrohje në dimër, në vend të qymyrgurit. Vlerësohet se 92 për qind e ngrohjes në këtë konte do të vijë nga gazi deri në fund të këtij viti.

60-vjeçarja Zhang Xiaopu ndaloi përdorimin e qymyrgurit për tetë vjet. Pa tym dhe pluhur, fshati i saj me afro 510 banorë, që vuante nga pluhuri në ditët me erë, gëzon tani rrugë të pastra dhe ajër të freskët.

Për një metër kub gazi, fshatarët shpenzojnë 1.3 juanë (afro 20 centë amerikanë) dhe çdo fshatar mund të marrë një subvencion prej 800 metrash kub gaz në vit.

“Përdorimi i gazit për ngrohje është më i lehtë se i qymyrgurit,” tha Zhang.

Gjatë tre vjetëve të kaluar, kapaciteti i instaluar i elektricitetit të prodhuar nga energjia e erës dhe ajo diellore në kontenë Qinshui arriti 200 megavat. Dy projekte të energjisë së erës janë në ndërtim e sipër dhe një projekt tjetër i biomasës është në përgatitje.

Ma Jinyu, kreu i centralit të erës “Yuanshang” pranë Koorporatës së Investimeve në Inxhinierinë Energjetike të Kinës, tha se energjia elektrike e prodhuar nga centrali që ai drejton, mund t’i kalojë 200 milionë kilovat-orët sivjet, duke u ofruar energji elektrike 170 mijë familjeve. Energjia elektrike që prodhon ky central në vit është baras me atë të prodhuar nga 64.5 mijë tonë qymyrgurë standard, duke pakësuar 188 600 tonë dioksid karboni.

Përmirësimi i mjedisit në kontenë Qinshui ka nxitur edhe turizmin dhe turistët u kanë sjellë më shumë të ardhura fshatarëve që banojnë rreth Parkut Kombëtar Pyjor “Taihang Honggu”.

Në fshatin Xiangyang, që gjendet afër parkut, 50-vjeçari Yan Fangqin, pronari i një bujtine, mund të fitojë deri në 100 mijë juanë në tre muajt gjatë sezonit të pikut.

“Falë mjedisit gjithnjë e më të mirë, kam pasur më shumë klientë të rregullt. Për më tepër, janë dukur edhe kafshë të egra, si majmunët dhe leopardët e Kinës Veriore etj.,” tha Yan. (Wang Lei/ Artan) foto nga Xinhua/ VCG