Nëse keni ndarë mendjen për të kaluar një fundjavë në Çorovodë, duhet të jeni të përgatitur shpirtërisht se do të gjeni një natyrë të mrekullueshme, ushqim të gatuar me shumë shije dhe mbi të gjitha raki rrushi ekselente.

Rruga nga Tirana drejt Çorovodës ndryshon pamje sapo kaloni qytetin e Beratit, pas të cilit gjarpëron rrëze malit të Tomorrit dhe përgjatë lumit Osum, me një pamje për t’u shijuar, nga të dy anët, deri në Çorovodë.

Si të shkoni

Nëse niseni nga Tirana për diçka më shumë se tre orë do të mbërrini në Çorovodë. Por ju mund ta ndani turin tuaj në dy pjesë, duke u ndalur fillimisht në Berat e të nesërmmen, nga Berati të niseni drejt Çorovodës. Në këtë rast udhëtimi do t’ju duket më i shkurtër dhe jo shumë i lodhshëm, sidomos nëse po udhëtoni me fëmijë, pasi rruga deri në mbërritje ka shumë kthesa dhe është malore. Gjatë rrugës, ju mund të bëni ndalesa, si përshembull, mund ta ndaloni për një kafe në qytezën e Poliçanit, një qytezë fare e vogël, por që mbahet mend si vendi ku prodhoheshin municionet luftarake para viteve ’90, prandaj jo aq për aspektin natyror, por më shumë për aspektin njohës dhe historik, ia vlen të bëni një ndalesë të shkurtër, në qytezën ku një kafe kushton 30 qindarka. Njerëzit do të gëzohen kur do t’ju shohin, do ju përshëndesin dhe janë të gatshëm t’ju japin çdo informacion ose këshillë, nëse ju duhen për të vazhduar udhëtimin tuaj. Këtë ndalesë mund ta bëni nëse udhëtoni me mjetin tuaj, sepse nëse udhëtoni me autozubët e linjës, që nisen edhe nga Tirana por edhe nga Berati, ndalesa e organizuar disa minutëshe, është vetëm në Bogovë, për një pauzë në natyrë.

Ndaloni në Bogovë

Pak kilometra, para se të mbërrini në Çorovodë, një pikë ndalimi me patjetër është Bogova. Një mrekulli e natyrës, ku sidomos verës, freskia, mishi i mirë dhe rakia e Skraparit, janë një ftesë mjaft joshëse. Në mos për një drekë, ia vlen të ndaloni thjesht për të pirë ujë nga burimi, që vjen nga ujëvara e Bogovës.

Por nëse keni mundësi me makinën tuaj të ndaleni pak më gjatë në Bogovë, mos e humbisni mundësinë për të parë ujvarën e Bogovës. Rruga për në fshatin Bogovë është shumë e qetë. Nëse po vini nga drejtimi i Beratit, shenja blu dhe kthesa në rrugën lokale drejt ujëvarës do të jetë në të majtën tuaj. Mund ta parkoni makinën tuaj kudo në fshat. Ju do të duhet të ecni rreth 2 km më tej. Për të gjetur ujvarën, nëse keni dyshime se ku ndodhet ajo, mjafton të ndiqni rrjedhën e lumit. Kur të arrini aty, mund të notoni dhe kërceni, nëse nuk e keni problem ujin aq të ftohtë.

Më në fund në Çorovodë

Çorovoda është një qytezë që ndodhet mes malesh, 260 m mbi nivelin e detit, pikërisht në vendin ku del nga kanionet lumi i Osumit, i cili rrugës deri aty i ka krijuar tashmë mrekullitë e tij, kanionet më të thella dhe më të gjata në Shqipëri, por me famë shumë më të gjërë.

Çorovoda është një qytezë e bukur, në një grykë malore që shtrihet përgjatë lumit dhe ngjitet si me shkallë përgjatë shpatit të malit.

Fshatrat e shumtë janë rreth e rrotull qytezës, të fshehura mbas njerit dhe tjetrit, në shpat të malit.

Rrugët drejt këtyre fshatrave janë të pashtruara dhe janë të arritshme vetëm me makina të larta, ose me kafshë, të cilat ende shërbejnë si mjete transporti për fshatarët e zonave përreth.

Afërsia me fshatrat e zonës bën që qyteza të ketë ndjesinë e fshatit me komoditetin e një qyteti.

Qyteti ka rreth 4000 banorë, shumë miqësorë, përgjithesisht mosha të thyera, pasi të rinjtë kryesisht kanë emigruar drejt Tiranës apo jashtë vendit. Pleqtë bien në sy nga kasketat apo borsalinat që mbajnë në kokë pothuajse të gjithë, një traditë kjo e para viteve 90 e vijuar ende sot në këtë zonë. Kur mbërrini në qendrën e Çorovodës, do të ndesheni pikërisht me këta pleq dashamirës, që ende lexojnë gazetat në mëngjes dhe pinë kafen me një raki. Po aty ndalojnë udhëtarët që shkojnë e vijnë, vendasit që kthehen nga Berati, Tirana apo zonat përreth. Aty priten e përcillen bashkë me haberet e secilit. Megjithëse qendra ka lëvizje, po aty, në lokalet mbi lumë, mes fëshfërimës së gjetheve të rrapeve të lartë që gjenden kudo në qytezë, mund të hani pilafin me kosin që pritet si me thikë, e të merrni forcat për aventurat që ju presin.

Kanionet

Një ndër gjërat unike që mund të bëni, është të sodisni Kanionet e Osumit, të cilat janë një monument natyre dhe më i madh në të gjithë Shqipërinë. Ndodhen në sektorin Çorovodë-Hambull dhe janë rreth 13 km të gjatë, me një gjerësi nga 4-35 m dhe një thellësi prej 70-80 m.

Nën muret vertikale të kanioneve, Osumi rrjedh me shpejtësi. Ujërat e tij, me forcën e tyre gërryese, ngadalë dhe pa ndërprerje kanë depërtuar në strukturën e shkëmbinjve të Çorovodës, duke formuar këtë kanion me bukuri mahnitëse.

Kanionet mund t’i vizitoni në dy mënyra, ose duke kaluar ujërat e tij me kajak ose rafting, ose nga toka, duke udhëtuar në majë të mureve të tij të pjerrët me makinë ose në këmbë.

Në të dy rastet do të mahniteni nga sharmi i mureve vertikale gëlqerore me bimësinë e gjelbër që reflektohet në ujërat e lumit. Gjatë vizitës përmes kanionit të Osumit do të hasni ujëvara të bukura, të cilat derdhen në lumë nga një lartësi e madhe. Nëse zgjidhni të bëni kajak ose rafting, duhet të zgjidhni guida me ekspertë të fushës. Kujdes, sigurohuni që të keni me vete të gjitha paisjet e duhura për emergjenca dhe mbështetuni fort tek fryma e grupit.

Një mënyrë tjetër për të admiruar kanionin është nga lart. Në shpatet e tij, erozioni ka krijuar shpella të vogla, disa prej të cilave kanë emra veçanërisht imagjinativë si Katedralja, Syri dhe Porta e Demonit.

Ju mund të shijoni një pamje të rrallë të kanionit nga ura e vetme në fshatin e afërt të Blezencke. Këtu është pika më e ngushtë, e cila gjithashtu arrin lartësinë maksimale nga shtrati i lumit.

Pranë fshatit Dhores është e mundur të vizitoni një vend të shenjtë për besimtarët bektashi, "gjurmët e Imam Aliut". Shenjtërorja ndodhet në pjesën e sipërme të kanionit, ku, në masivin shkëmbor, në të dy anët e lumit, gjurmët e këmbëve të një njeriu, një kali dhe një shkopi janë mjaft të dukshme. Sipas legjendës, këtu Imam Aliu kaloi kanionin me një kërcim të kalit të tij.

Shëtitje në natyrë

Një fundjavë në Çorovodë, nuk është e thënë të jetë impenjative dhe domosdoshmërisht të bëni kanoe ose rafting. Mund të bëni edhe një shëtitje të thjeshtë mes lëndinave me bar e lule, mjafton të lini makinën diku, në ndonjë cep e të sodisni mrekullinë e një natyre të virgjër. Mund të këpusni ndonjë frut nga pemët, pasi askush nuk do ju thotë gjë. Mjafton të mos tregoheni invaziv e të papërgjegjshëm. Madje njerëzit do ju ftojnë vetë në kopshtet e tyre, edhe pse nuk ju njohin, duke ofruar dhallë të freskët, qumësht, arra e mollë për fëmijët, ndërsa kafe dhe raki për ju.

Ku të akomodoheni

Në Çorovodë në fakt ka disa vende ku mund të akomodoheni, por ne ju sugjerojmë “Hotel Kanionet” dhe jo pa qëllim. Pozicioni i tij është perfekt për të vizituar qytetin dhe për të eksploruar kanionet. Hoteli është i ndërtuar me gur dhe dru, por ka edhe elementë modernë si përshembul fasada madhështore e xhamit, e cila ofron një pamje panoramike të jashtëzakonshme.

Gjithashtu aty do të gjeni të gjitha facilitetet e nevojshme për ta bërë qëndrimin tuaj komod. Hoteli është i arreduar mjaft mirë, plotëson çdo standard të dëshiruar dhe mbi të gjitha është mjaft mikëpritës. Aty do të gjeni njerëz me shumë buon sens, të cilët do ta bëjnë qëndrimin tuaj edhe më të këndshëm. Përveç dhomave ka dhe një suite fantastike për familje, të cilën është fat ta gjeni të lirë. Zakonisht ky hotel është gjithmonë plot, prandaj duhet të prenotoni në advancë e të mos ia lini rastësisë, sidomos nëse jeni me fëmijë. Tek Hotel Kanionet do të shijoni gatime tradicionale të zonës dhe rakinë e mrekullueshme të Skraparit. Mos e lini pa provuar kulaçin me përshesh, mishin në hell, apo lakrorët e ndryshëm me shije fantastike, apo si ëmbëlsirë bakllavanë ose reshedinë. Koha më e mirë për të bërë një udhëtim në Çorovodë, është pranvera, vera dhe vjeshta. Por nëse ju ofrohet një mundësi për ta vizituar edhe në dimër, asnjëherë mos thoni jo.

Neritana Kraja