Sapo ka kaluar me sukses premierën në kinema dhe së shpejti do të transmetohet në një kanal të rëndësishëm televiziv. Filmi i parë dokumentar i gazetarit investigativ Taulant Koplikaj titulluar “DAESH” (ISIS), kapërcen çdo vështirësi ekstreme dhe shkon tek publiku, për të pasqyruar qartazi dhe analizuar njëkohësisht, lindjen, shkëlqimin dhe rënien e një organizate terroriste, përfshirjen e disa shqiptarëve në këtë organizatë dhe fatin e grave dhe fëmijëve shqiptarë, të mbetur në kampet siriane. Një apel sensibilizues për të shpëtuar 50 gra dhe fëmijët e mbetur akoma atje, një pasqyrim analitik i realitetit dhe një shëmbull se si gazetaria duhet të jetë.

Atë që nuk e organizojnë dot stafe të mëdha televizive, e bën një profesionist i vërtetë si Koplikaj dhe stafi i tij modest.

Taulant Koplikaj, rrëfen eksperiencën e tij në kampet siriane për realizimin e dokumentarit, për të cilin në Shkodër, në vendlindjen e tij, ku dokumetari pati edhe premierën, mori një çmim të rëndësishëm.

Taulant Koplikaj është një gazetar profesionist që prej 6 vitesh punon në redaksinë e programit investigativ “Le Iene” (Hienat) që transmetohet në Mediaste në Itali. Para kësaj eksperience, ai ka punuar në disa media të rëndësishme në Shqipëri.

CMG: Sapo keni promovuar një dokumentar për kampet siriane ku gjenden akoma gra dhe fëmijë nga Shqipëria. Cili ishte qëllimi i realizimit të tij?

Taulant Koplikaj: Le të themi ka qenë një moment, i cili mund të konsiderohet edhe si zanafilla e gjithë kësaj pune, e këtij dokumentari. Zanafilla është dy vite më parë, kur ne shkuam me grupin e xhirimit të televizionit italian me të cilin punoj dhe aty, duke pasur parasysh se ishim shumë të kufizuar në punën tonë, sepse ne do të merreshim vetëm me rastin e Alvin Berishës (djali italo-shqiptar që kishte mbetur në kampin Al Hol – shën: redaksia) dhe nuk kishim asnjë mundësi tjetër për të kontaktuar, apo për të intervistuar, për të parë jetën nga afër të grave dhe fëmijëve shqiptarë dhe gjithçka kaloi me pasqyrimin e rastit të Alvin Berishës. Ai moment ishte ndoshta shkëndija e parë, për të menduar rikthimin dhe për të parë se si jetojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë në kampe, për t’i takuar ata dhe për të sensibilizuar opinionin për rikthimin sa më shpejt të tyre.

CMG: Nga kronikani tek filmi dokumentar. Si ndodhi ky kapërcim?

Taulant Koplikaj: Kryesisht në punën tonë, në emisionin që bëjmë këtu në Itali, ka një sërë historish, që mund të konsiderohen edhe minidokumentarë. Pra, vetë kronikat që ne bëjmë, janë më të zgjeruara dhe më të ndjeshme. Paraqiten para publikut me një ndjeshmëri të lartë. Dhe normalisht, mund të konsiderohen një eksperiencë, sado e vogël, për të hyrë në portën e një dokumentari. Kjo ishte eksperienca ime e parë për një dokumentar me metrazh kaq të gjatë, prej një ore e pak minuta dhe normalisht e kisha pak merakun, ose frikën, nëse do të ketë sukses. Në realitet, bashkë edhe me ndihmën e bashkëpunëtorit, operatorit tim italian, Antonio Paesano, arritëm të bëjmë një punë të mirë dhe sollëm diçka mjaft të mirë për publikun shqiptar.

Ky kapërcim ishte i natyrshëm, pasi siç thashë më sipër, duke pasur një lloj eksperience nëpër reportazhe me tema të tilla, më të shkurtëra, ishte një ndihmë e madhe, ose një eksperiencë e cila ndikoi në punën që bëmë.

CMG: Dokumentari mbështetet në shumë dëshmi dhe histori personale. Sa e vështirë ishte t’i mblidhje ato?

Taulant Koplikaj: Dokumentari mbështetet në histori personale, është e vërtetë, sepse në të gjithë minutazhin ka brenda tij personazhe të cilët, rrëfejnë jetën e tyre, rrëfejnë problematikat, rrëfejnë terrorin, të cilin kanë provuar gjatë viteve të luftës në Siri. E vështirë ishte për t’i mbledhur këto dëshmi, kuptohet, por patëm edhe një farë fati, pasi bashkëpunëtori ynë kurd, atje në terren, ishte njohës i mirë i zonës dhe i shumë personave atje dhe me ndihmën e tij, arritëm të gjejmë histori mjaft interesante, si në kampet ku ishin gratë dhe fëmijët, po ashtu edhe në qytetin e Rakas ku ne ishim dhe treguam jetën e pasluftës, jetën e pas ISIS, nëpërmjet gojës së personazheve, të cilët e kanë përjetuar vetë atje.

CMG: Cila ishte vështirësia kryesore që hasët atje?

Taulant Koplikaj: Kuptohet që në një vend që vjen nga lufta, siç është Siria, vështirësitë janë të mëdha, për të lëvizur në terren kryesisht. Sidoqoftë, arritëm të bëjmë një punë të mirë, duke patur parasysh që na u desh të lëviznim në disa zona, dhe jo vetëm në një qytet apo zonë. Kemi lëvizur në zona rreth 250 km nga njëra – tjetra, në tre zona të ndryshme dhe vështrësia, kuptohet, ishte e madhe. Por, duke pasur parasysh që kishim me vete një person i cili njohës mjaft i mirë i terrenit, arritëm të merrnim atë që deshëm.

Stafi i punës përbëhej nga unë dhe operatori, pastaj kishim koordinatorin e punës në terren, ashtu edhe një bodyguard shofer. Sepse kuptohet, një person që të ruan shpatullat është mjaft i rëndësishëm në këto zona.

CMG: Në sa kampe udhëtuat dhe çfarë ju bëri më shumë përshtypje tek gratë dhe fëmijët që ndodhen nëpër kampe?

Taulant Koplikaj: Ne kemi qenë në dy kampe, në kampin e madh e të famshëm të Al Hol-it dhe në kampin Rosh. Gjithashtu kemi qenë në qytetin e Rakas, ish kryeqyteti i famshëm i ISIS dhe në një burg të sigurisë së lartë, një burg kurd, që kuptohet, për arsye sigurie nuk mund ta bëj publik vendin se ku ndodhet.

Përshtypje në kampet ku janë gratë dhe fëmijët…. Janë shumë gjëra që të bëjnë përshtypje. Eshtë së pari, situata në të cilën ato jetojnë, në mes të shkretëtirës siriane dhe me kushte të tmerrshme higjenike. Por, ajo që ndoshta të bën më shumë përshtypje, është edhe frika me të cilën ata deklarohen. Frika nga celulat e ISIS, të cilat janë vazhdimisht aktive në këto kampe. Kuptohet që gratë dhe fëmijët atje mundohen të luajnë atë lojë që duhet për të mos rrezikuar që ditën e nesërme të mos zgjohen. Dhe kjo është një situatë tragjike për ta. Për këtë qëllim, kërkesa e vazhdueshme si e imja, por edhe kolegëve të tjerë gazetarë, të cilët janë njohur me rastet e shumta të grave dhe të fëmijëve, kuptohet edhe nga intervistat që janë marrë, ka qenë kërkesë e vazhdueshme ndaj autoriteteve shqiptare, për t’i tërhequr këta persona, të cilët rrezikojnë shumë po qëndruan atje.

CMG: Ju jeni i pari gazetar shqiptar që u përballët me historinë e Alvinit në kampin sirian dhe e sensibilizuat si rast, deri në kthimin e tij në shtëpi. Si ndiheni nga ky fakt?

Taulant Koplikaj: Historinë e Alvinit e kemi përjetuar ne që ishim atje, shumë, por edhe gjithë opinioni, si shqiptar ashtu edhe italian, nëpërmjet pamjeve që sollëm dhe rrëfimit që bëmë. Ndihem mirë, sepse kjo punë pati një fund të lumtur. Arritëm ta kthejmë këtë fëmijë, të gjithë faktorët bashkë, duke nisur nga i ati pikë së pari, i cili ishte shumë këmbëngulës në kërkimet e tij për të sjellë djalin në shtëpi, pastaj ne që shkuam bashkë me të dhe e publikuam këtë histori, autoritete italiane, shërbimet e sigurisë italiane, edhe me ndihmën e atyre shqiptare sigurisht.

CMG: Reporter lufte, apo gazetar investigative ? Si mund t’ju përkufizojmë ju dhe këtë eksperiencë jetësore dhe profesionale?

Taulant Koplikaj: Reporter lufte, nuk mund të them, se unë kam qenë në Sirinë e postluftës. Duhet të jesh në front për t’u konsideruar reporter lufte. Më shumë, gazetar investigativ. Pasi, jo vetëm në këtë rast që nuk mund të quhet një investigim i mirëfilltë, ky dokumentar sidomos, por eksperiencat si gazetar investigativ kanë qenë të vazhdueshme gjatë gjashtë viteve në redaksinë e emisionit “Le Iiene”. Më shumë gazetar investigativ, megjithëse do të doja, (qesh) do të më pëlqente titulli “reporter lufte”, por në këtë rast nuk mendoj se qëndron shumë.

CMG: Taulant, cila do të jetë sfida e radhës në profesion?

Taulant Koplikaj: Pas pak ditësh do të shfaqet në një televizion shqiptar dokumentari, pasi u shfaq premierë në kinema dhe pres me emocion se si do të pritet nga kritika. Pastaj një plan është një tjetër ide, e cila gjatë sezonit të verës së ardhshme do të bëhet publike.

Intervistoi Neritana Kraja