Brikena Qama jeton prej disa vitesh në Athinë, ku përveç përditshmërisë është pjesë e veprimtarive kulturore dhe artistike. Ajo shkruan poezi dhe ka botuar katër vëllime që janë promovuar jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri. Në një intervistë për CMG Brikena na tregon për jetën e saj në emigracion, arritjet, si dhe mallin që ka për Shqipërinë të cilën e viziton shpesh.

CMG: Çfarë keni studiuar?

Brikena Qama: Të gjitha herët që më bëhet kjo pyetje, unë e kam shumë të vështirë për të thënë një gjë. Gjithësesi unë kam studiuar për laborante, profesion që nuk e kam ushtruar, pasi kam fituar profesionin e të marrurit me fëmijët e moshave parashkollore, që kam 20 vjet që e ushtroj dhe ndjehem shumë e kënaqur. Ndërkohë aktiviteti im jashtë profesionit ka të bëjë me vullnetarizmin, në përgjithësi në fusha të ndryshme, qoftë art apo dhe në fushën e kulturës, aktivizmit etj.

CMG: Puna që bëni me fëmijët parashkollorë, erdhi si dëshirë dhe më pas u kthye në profesion?

Brikena Qama: Ka qenë thjesht nevojë mbijetese, pasi u shpërngula nga Shqipëria dhe shkova në Greqi, dhe aty unë menjëherë u identifikova si një emigrante që është krah pune. Kështu që puna që unë mendova se më përshtatej më tepër ishte kjo. E adhurova këtë punë dhe e vazhdova.

CMG: Si ka qenë jeta juaj në këto 24 vite emigrimi në Greqi?

Brikena Qama: E them shpesh dhe aty ku edhe më bën të përlotem, por dhe më bën të kënaqem. Në 24 vite që unë jetoj në Athinë, nuk ka patur ditë dhe natë që mos të mendoj kthimin në atdhe. E mendoj këtë që gjithkush nga emigrantët, kudo që ka zgjedhur të jetojë e ka këtë ndjesi. Jeta është ajo që të merr rutina, pastaj ditë pas dite fillon të krijosh shoqërinë, krijon ambientin e punës dhe arrin në një pikë që nuk di të zgjedhësh se cili është atdheu yt.

CMG: Çfarë ndjesie përjetoni sa herë që vizitoni Shqipërinë?

Brikena Qama: Në Shqipëri më duket frymëmarrja ndryshe, më duket kafja ndryshe, më duken të gjithë njerëzit sikur janë miqtë e mi të afërt. Iki gjithmonë duke lënë një copë timen, kështu që të gjitha herët që vij unë le copëzat e mia në atdhe.

CMG: Flasim pak për angazhimin tuaj në vullnetarizëm.

Brikena Qama: Unë gjithmonë e nis nga vetja dhe nuk ka të bëjë me punë egoizmi këtu, por është thjesht tek mbushja jote personale. Unë e kam të nevojshme të merrem me diçka, dhe pse jo me diçka që të ketë një efekt pozitiv tek dikush tjetër. Kështu ka nisur kjo punë duke dashur të mbush veten, duke zgjedhur gjërat më të bukura për të mbushur veten. Aq më mirë pastaj kur e fillon dhe reklamon, duke filluar të bëhet një zinxhir i madh ku dhe gjërat bëhen më të bukura. Vullnetarizmi vetëm kështu ka nisur për mbushje të vetvetes.

CMG: Çfarë aktivitetesh keni realizuar në diasporë, por dhe në Shqipëri?

Brikena Qama: Në Greqi unë jam pjesë e dy organizmave letrare, Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve në Greqi dhe klubi “Drita”. Aty jam marrë me promovime librash, me konkurse të fjalës artistike, konkurse të fjalës së shkruar, krijime të antologjive të ndryshme me autorë shqiptarë në Greqi, por edhe jashtë Greqisë. Ndërkohë që veç këtyre kemi pasur edhe promovime të autorëve me banim në Shqipëri, Zvicër, Gjermani apo kudo tjetër. Gjithashtu dhe unë kam bërë promovime të miat në shtete të ndryshme si Zvicër, Itali dhe Gjermani. Ky është aktiviteti im që ka të bëjë pikërisht me artin në përgjithësi, sepse unë e gjej veten aty dhe mendoj se arti është gjëja më e bukur për të mbushur tjetrin.

CMG: Ndalemi pak te një tjetër pasion i juaj në fushën e letërsisë. Keni botuar disa libra. Në çfarë zhanri keni shkruar?

Brikena Qama: Unë kam katër vëllime me poezi, duke filluar nga “Pëshpërimat brenda meje”, “Bota poshtë takave” dhe “Dëshirat e mia përfundojnë çdo mbrëmje”. Poezia më ka rrëmbyer, ndërkohë që tentativat e mia janë edhe në skica dhe tregime.

CMG: Ku i keni promovuar librat tuaj?

Brikena Qama: Librat i kam promovuar në Greqi, por edhe në qytetin tim të lindjes Çorovodë, në Tiranë dhe Korçë. Është më tepër ajo që dua t’i kthej diçka atdheut tim.

CMG: Keni menduar ndonjëherë që të ktheheni në Shqipëri edhe pse keni vite jashtë?

Brikena Qama: E kam bërë këtë tentativë para disa vitesh, ka qenë një kënaqësi e madhe ato pak muaj në Tiranë. Jam ndjerë shumë e lumtur dhe e gëzuar dhe ndoshta e pashë këtë zgjedhje të mire, deri në momentin që më filluan disi ato vështirësitë ekonomike, pagat e ulëta, me një tjetër të mësuar kush jeton jashtë. Mendoj se dështova, sepse duhet të kisha bërë pakëz durim, por gjithësesi jemi këtu dhe këtu vazhdojmë.

CMG: Në Athinë keni dhe një emision tuajin. Çfarë temash trajtoni në këtë program?

Brikena Qama: Para disa vitesh është krijuar një kanal televiziv në YouTube me qendër në Athinë, i emërtuar TV Tribuna me drejtoreshë Juli Ndriko dhe me gazetarin e njohur Robert Goro. Unë u bëra pjesë e stafit sepse të dy i kam miq të mire, por dhe ata e dinë ëndrrën time për t’u marrë me ekranin. Kështu që filluam me një reportazh që kishte të bënte me temat e komunitetit shqiptar në Greqi, jo vetëm problematike. Së bashku me gazetaren Juli Ndriko kemi një emision të përbashkët që quhet “Show”.

CMG: Brikena, jeni e kënaqur deri tani me arritjet tuaja në fusha të ndryshme të jetës?

Brikena Qama: Asnjëherë! Kur e kthen kokën mbrapa dhe i sheh gjërat, thua se këtë duhet ta kisha bërë. Ne jemi njerëz ambiciozë, që pikën e synimit tonë e kemi shumë larg. Kështu që duke u përpjekur të arrijmë atë, vërtetë arrijmë rrugës gjëra të vogla, por gjithmonë duhet të arrijmë më lart sepse duket sikur nuk je përmbushur asnjëherë. Jam e kënaqur, por do të doja dhe shumë gjëra të tjera.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.

Brikena Qama: E kam zakon që t’ju drejtohem të gjithëve me fjalinë: Qeshni se nuk ka kohë!. Merreni gjithçka me pozitivitet! Jeta është kjo dhe ndodhin gjëra të ndryshme, por në fakt me një buzëqeshje edhe dhimbja zvogëlohet. Kështu që: Qeshni se nuk ka kohë!

Intervistoi: Gazmend Agaj