Ata që janë në kërkim të jetës së natës ose jetës kulturore, duhet të themi që në fillim, se kanë bërë zgjedhjen e gabuar: Në Ferma Sotira kryefjala është heshtja.

Ferma Sotira është një vend krejtësisht i zhytur në natyrë, i rrethuar nga lugina të gjera dhe male të mbuluara me bredha të gjatë e të zinj. Në fakt, është vendi ideal për dashamirët e aventurave në fshat, për ata që duan të shkëputen nga kaosi i qytetit, ose nga rutina dhe duan të pushojnë.

Ferma Sotira Agroturizëm është një shtëpi në fermë në Shqipërinë e jugut, e vendosur rreth njëzet km larg qytetit të Leskovikut, jo shumë larg nga Erseka, diku mes Përmetit dhe Korçës dhe jo shumë larg nga kufiri grek. Një zonë e virgjër, e pa abuzuar nga turizmi masiv, që ofron fundjava ose ditë qëndrimi të mrekullueshme për ju.

Si të shkoni

Mund të shkoni me furgonat publik nga Gjirokastra/Përmeti/Leskoviku për në Ersekë/ Korçë (ose anasjelltas) që kalojnë pranë. Pyesni shoferin që t’ju zbresë te Ferma Sotira. Për më shumë rehati në udhëtim, mund të përdorni makinën tuaj private.

Me makinë, ferma ndodhet në një kthesë në rrugën nacionale Leskovik-Ersekë SH75, e sinjalizuar gjatë rrugës dhe në hyrje të fermës. Rruga si nga Korça ashtu edhe nga Përmeti është e gjatë dhe fryn shumë erë, por pavarësisht kësaj, kjo është rruga e vetme kryesore përmes zonës, ka pak trafik dhe peizazhi natyror është absolutisht mahnitës.

Çfarë duhet të dini para se të niseni

Para se të niseni duhet të dini se Ferma Sotira ndodhet 1100 m mbi nivelin e detit. E quajtën Sotira si një fshat që ndodhej dikur këtu, por që u braktis pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjithashtu duhet të dini se duke qenë një destinacion jo shumë i afërt (i referohemi Tiranës), nuk është një destinacion që mund ta bëni brenda ditës. Duhet të flini atje dhe nëse keni mundësi, do ta shijoni në maksimum, nëse qëndroni dy, ose tre netë. Eshtë mjaft e këndshme, si për të shkuar me famijet me fëmijë, ashtu edhe për grupe shoqërore, pasi secila kategori ka shumë mundësi për aktivitete që e bëjnë qëndrimin të bukur dhe interesant.

Por idealja që t’i kushtoni të paktën një javë eksplorimit të zonës duke filluar nga Korça ose Përmeti, sidomos nëse udhëtoni me fëmijë. Në këtë mënyrë, ata, por edhe ju, do të kenë mundësinë të pushoni dhe të argëtoheni me kafshët e fermës në vend që të kaloni shumë kohë në makinë dhe të lodheni.

Si të akomodoheni

Ferma Sotira ofron akomodim me vila prej druri, ushqim të prodhuar në ambientet e fermës dhe kamping me kushte bashkëkohore. Ju mund të akomodoheni në shtëpiza komode njëkatëshe prej druri me banjë private, duke filluar nga 30 euro nata, me furgon kampingu personal, ose në kabina të thjeshta prej druri me banjë të përbashkët.

Aktivitete

Gjatë verës, mysafirët mund të shijojnë facilitetet e Barbecue-s dhe të notojnë në rezervuar. Ndërsa ecja mbi kalë dhe peshkim mund të jenë aktivitete që sjellin gëzim tek të gjithë. Pronari i fermës, me veshje dhe kapele kaubojsi, udhëheq kalërimin me kalë, duke kaluar mes shtigesh të ngushtë dhe baltë. Katër nga njëzet kuajt e fermës mund të përdoren për shëtitje me kalë, dhe raca relativisht e vogël është ideale për terrenin malor, përfshirë përrenjtë, shtigjet e ngushta pyjore dhe shpatet me bar.

Fëmijët mund të vrapojnë të shkujdesur në natyrë, mund të ushqejnë lopët dhe delet e rritura me bar, në një mal në liri të plotë dhe në harmoni me mjedisin që rrethon fermën. Më të lexuarve, kjo eksperiencë unike, mund t’í sjellë në mendje, aventurat e të mirës Hajdi.

Nëse fëmijët e ndiejnë veten si një personazh libri, ju do ta ndieni veten si në shtëpinë e gjyshes në fshat. Po të ecni nëpër prone, ddo të shihni kafshë që lëvizin lirshëm, të cilat i kënaqin vizitorët e rinj, të ngazëllyer për të ushqyer rosat, pulat dhe patat, për të përkëdhelur macet dhe qentë dhe pse jo, edhe për të admiruar derrkucët e lezetshëm që ndjekin të ëmën në kërkim të ushqimit. Stallat e kuajve dhe stallat e dimrit për lopët dhe delet gjenden prapa një tufe pemësh dhe matanë një përroi të vogël.

Fshati i afërt pothuajse i shkretë i Gërmenjit, kreshta malore dhe lugina anash përgjatë kufirit grek në lindje të fermës, janë disa vende interesante për t’u eksploruar. Për dashamirësit e natyrës, kjo është një zonë ideale për të parë shqiponjat, ose për të gjurmuar gjurmët e kafshëve, të tilla si, ujqërit dhe arinjtë.

Një vend i përsosur për familjet me fëmijë të vegjël.

Pak para arritjes në Ferma Sotira, ndodhet liqeni i Shelegurit dhe një pyll me bredha të gjatë që i ngjan një pylli amerikan për tu admiruar në të gjithë bukurinë e tij. Ju këshillojmë të mos e humbisni as këtë mundësi.

Ushqimi

Një ndër gjërat që do ju impresionojë këtu, është ushqimi. Një ndër pikat e forta të agriturizmit. I bollshëm dhe i freskët. Ushqim i gatuar në shtëpi në një sobë tradicionale me dru. Ka një bar dhe restorant që shërben specialitete tradicionale shqiptare në vend. Kopshti i harlisur dhe tarraca janë të pajisura me tavolina dhe karrige dhe ofrojnë hije natyrore të rehatshme.

Ferma e peshkut qëndron në qendër të agriturizmit, prandaj ju do të shihni përreth vaskat me ujë ku rriten troftat të cilat shijojnë shumë si dhe mund të gjeni hapësira për tu ulur në natyrë, të mbuluara, me tavolina, të ndërlidhura me ura të vogla. Mëngjesi është kryesisht vegjetarian, ndërsa dreka dhe darka të pasuruara me mish ose peshk, lakror, pulë me pilaf, etj. Vera, rakia, kafja, janë ndër më të mirat.

Sezoni kryesor turistik zgjat nga prilli deri në tetor, por familja jeton në fermë dhe i mirëpret vizitorët gjatë gjithë vitit, madje edhe në dimrat me dëborë me temperatura që arrijnë -20 °C.


Neritana Kraja