Metropoli i veriut të Shqipërisë Shkodra, si një nga qendrat e lashta të rajonit, me shkëmbime tregtare e kulturore, që datojnë në historinë e hershme europiane me të drejtë gëzon një emër të madh. Shumë shqiptarë ndoshta janë surprizuar bukur, ndërsa duke shetitur në Venecia të Italisë, në Stamboll, Londër a Francë kanë lexuar emrin Shkodër. Janë tre rrugë në botë që mbajnë emrin e qytretit të lashtë shqiptar, por së fundmi janë zbuluar dhe disa rrugë të tjera, madje deri në Amerikën Latine, që janë pagëzuar me emrin e Shkodrës, të latinizuar.

Shkodra ka në gjenezë të saj mbretër si Agroni e Teuta, histori betejash të famshme përgjatë historisë, të plazmuara në vepra epokale si “Rrethimi i Shkodrës”, kur qyteti u bëri ballë osmanëve edhe për 15 vjet mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Jehona e qytetit verior që në lashtësi ka kapërcyer kufijtë për të mbetur si një ikonë qytetërimi anembanë botës.

Shkodra njihet më shumë me emrin italian “Scutari” në afro 8 qytete në botë dhe rrugë të këtyre qyteteve mbajnë këtë emër.

“Via Scutari” (Rruga e Shkodrës) në Venecia të Italisë

Ju do të gjeni në Venecia të Italisë, e njohur historikisht dhe si Venedik, një rrugë kryesore të qytetit me emërtesën “Via Scutari”. Emri i kësaj udhe të vjetër e mjaft të vizituar nga turistët domethënë “Rruga e Shkodrës.” Nuk ka asgjë për t’u çuditur! Ashtu si në Shkodër ka gjurmë të kontakteve të shumta me Republikën e Venedikut edhe ky qytet, emblemë e kulturës dhe historisë italiane, mban në gjirin e tij emrin e Shkodrës. Italia ka disa toponime që nderojnë Shkodrën sin ë Katania, Kozenca, Milano, Massa dhe Viareggio.

“Skadarlija” në qendër të Beogradit

Në kryeqytetin serb Beograd lagjja më e vjetër dhe zona më e vizituar sot nga turistët quhet “Skadarlija”. Emrin ia kanë vënë banorët e dikurshëm që shpresonin që lagjja e tyre t’i ngjante sadopak Shkodrës. Në disa kronika të hermeshme thuhet se serbët kërkonin të imitonin qendrën më të njohur të Ballkanit të kohës, Shkodrën.

“Uskudar” (Shkodra) në Stamboll

Stambolli, kryeqendra e Perandorisë Osmane ka në rrugët e tij emra të të pafund, por nuk kishte si të mungonte në metropolin turk një emër nga Shqipëria. Lidhjet mes dy vendeve për fat të keq kanë shënuar shumë beteja e luftëra, por historia bart dhe shumë shkëmbime shqiptaro-turke në kulturë, shkëmbime njerëzore, tregtare, arsimore e miqësore. Çdo shqiptar që viziton Stambollin mund të përballet lehtësisht me emrin “Uskudar”, që është varianti osman i emrit latin “Scutari”. Ky “pagëzim” është kryer për nder të famës së Shkodrës, siç dëshmojnë kronikanët e kohës. Një tjetër provë që përforcon këtë lidhje me shqiptarët është fakti që përballë rrugës “Uskudar” ndodhet lagjja Arnavutköy, që domethënë “Fshati Shqiptar.” Këto dy lagje i ndan vetëm ngushtica e Bosforit.

Rrugë të tjera “Shkodër” nëpër botë

“Skadarske Ulice” (Rruga e Shkodrës) në Zagreb

Kryeqyteti kroat Zagreb ka në hartën e tij një rrugë me emrin “Skadarske Ulice”, që në shqip përkthehet “Rruga e Shkodrës.” Për shkak të afërsisë gjeografike dhe shkëmbimeve shekullore mes dy vendeve me siguri kjo rrugë dikur të çonte në Shkodër, një traditë kjo edhe shqiptare e emërtesave të rrugëve.

“Scutari Road” (Rruga e Shkodrës) në Londër

Emërtesa Shkodër në vendet fqinjë si Italia, Serbia apo Turqia është mëse e kuptueshme, por interesant paraqitet fakti se edhe kryeqyteti britanik, Londra ka gjithashtu një rrugë me emrin e Shkodrës. “Scutari Road” gjendet në zonën e vjetër dhe mjaft të pasur të qytetit.

Francë- Në hartën e një qyteti të vogël në jug të Francës një tjetër rrugë shkodrane. Në Aïcirits-Camou-Suhast ndodhet “Rue Escutary” që duket mjaft interesante për faktin se ndodhet në një zonë baske përgjatë kufirit me Spanjën.

Kili-Në Hualpen të Kilit të largët ka po ashtu një rrugë me emrin e Shkodrës. Ajo quhet “Escutari”, mjaft e ngjashme me emërtesën latine “Scutari”.

Historia e emrit “Shkodër”

Si emër është hasur qysh në lashtësi në formën Skodra nga latinishtja “Scodra” si dhe greqishtja e vjetër, çka vërtetohet ndër monedhat antike qëi përkasin shekullin 2 para erës sonë, ku dallohet qartë emri i gdhendur “Scodaris”.

Prej vitit 1287 shihet një formë tjetër e emërtesës së qytetit verior e pikërisht “Scutarum”, që është më pas emri I përshtatur në italishte si “Scutari”, formë e cila qe mjaft e përhapur në anglishte deri në shekullin e 20-të. Një formë tjetër është ajo në gjuhën serbokroate “Skadar” (Скадар) që daton fundin e shekullit të 14-të. Ndërsa në osmanisht dhe në turqishten e sotme e gjejmë me emërtesën “İşkodra”.

Gjatë sundimit gati pesëshekullor Osman, qyteti i Shkodrës është quajtur dhe “Işkenderiyye” nga “ Işkender” që mund të përkthehet si “bijtë e Skënderit”, për nga trimëria që shfaqnin në beteja. Madje historiani i njohur i kësaj periudhe Marin Barleti ka hedhur idenë se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh. Kjo tezë ka qarkulluar dhe më vonë, e përmendur nga udhëpërshkuesi osman Evlija Çelebi. Gjuhëtarët e shquar shqiptarë prof. Eqerem Çabej dhe prof. Shaban Demiraj në studimet e tyre theksojnë se përzhvillimi i emrit “Shkodër” nga trajta e vjetër deri në ditët tona duhet konsideruar si një vijim i natyrshëm i gjuhës shqipe.

Neritana Kraja