I vendosur në Theth, 1.2 km nga Parku Kombëtar i Thethit, Hotel Restaurant “Alpet Theth” është i vetmi hotel, që ofron një shërbim me standard të lartë për vizitorët. Mes gjelbërimit, klimës e ajrit të pastër, “Alpet Theth” është kthyer në një shtëpi të ngrohtë për këdo që e viziton. Fatmir Berishta, themeluesi i saj tregon për Radio Ejani fillimet e këtij atraksioni turistik dhe se si kanë qenë kërkesat e pushuesve.

“Ne kishim filluar që në 2008 te bujtina, te shtëpia e gjyshit dhe kishte shumë kërkesa dhe ne menduam të zgjerohemi . Kështu lindi ideja të bëjmë një hotel, i vetmi ne Theth për momentin. Këto 5 vitet e fundit ka pasur goxha turizëm, deri në 2019-n ka qenë shumë mirë. Normalisht 2020-a me virusin na dëmtoi shumë. Por këtë vit ka filluar puna dhe shumë mirë është. Shpresoj të jetë edhe më mirë. “- tha sipërmarrësi Berisha

Kërkesat e të huajve dhe vendasve bënë që të ndertohej ky hotel.

“Fillimisht kemi filluar me bujtinën në vitin 2008. Në 2014 kemi ndërtuar hotelin sepse u zgjerua turizmi dhe kishim shumë kërkesa. Deri në vitin 2014 kemi bërë biznes familjar ndërsa kur hapëm hotelin kemi marrë staf, si kamarjerë, në kuzhinë dhe menaxhim.Ky vit ka filluar mirë pas një viti shumë të vështirë të 2020-s që kishte një rënie shumë të madhe. Normalisht që është rregulluar, ka pasur shumë të huaj që po vijnë. Në krahasim me 2020 është shumë mirë.”- tha Berisha

Tashmë banorët në këto zona janë ndërgjegjësuar për rëndësinë që ka turizmi dhe bekimi që kanë me natyrën në Theth, ndaj shumë prej tyre këtë praktikë po ndjekin. Shtëpitë e vjetra janë kthyer në shërbim të turizmit.

”Zona është zhvilluar goxha mirë, banorët e zonës kanë investuar nëpër shtëpitë e vjetra që kanë pasur, i kanë restauruar dhe i kanë kthyer në bujtina. Është shumë mirë në krahasim me fshatrat e tjera, Thethi ka marrë një standard shumë më të mirë. Natyra është shumë mirë dhe ne vetë e kemi mbrojtur, nuk e kemi dëmtuar.”

Harta e vizitorëve sa vjen e zgjerohet.

“Interesi është nga gjithë bota, që vijnë në Theth. Normalisht ka dhe nga Shqipëria, këto dy tre vitet e fundit janë shtuar shumë, por ne vitet e fundit kemi punuar gjithmonë me të huaj nga Gjermania, Franca, Australia, Kanadaja, Zvicra. Ka pasur në maksimum njerëz të interesuar për Thethin. “

Edhe infrastruktura është përmirësuar dhe e bën më të thjeshtë lëvizjen në “Alpet Theth”.

“Këtë vit rruga është asfaltuar përfundimisht. Normalisht që mund të vijë kushdo, kurse për pjesën e informacionit ne kemi një vajzë që merret me informacionet për klientët tonë, rezervimet, për çdo gjë që është e nevojshmë përsa i përket pjesës së infromacioneve për Thethin ose nëse dikush ka nevojë për transport ose për të bërë hiking. Ne kemi dhe djem që bëjnë guida lokale.”

Vetë sipërmarrësit besojnë se turizmi pritet të zhvillohet edhe më tej në zemrën e alpeve shqiptare, në Theth.