Në qytetin e Pogradecit përfundoi këto ditë edicioni i 11-të i Festivalit Ballkanik të Filmit “Balkan Film Food Festival”, një veprimtari që tashmë ka krijuar një traditë të pasur në hapësirën kulturore të qytetit liqenor. Gjatë 5 netëve në Odeonin e qytetit u sollën 40 prodhime ballkanike nga regjisorë të afirmuar, por edhe të rinj.

Çmimi për “Filmin më të mirë” shkoi për "Efekti i Lumturisë", i realizuar nga regjisori nga Maqedonia e Veriut, Borjan Zafirovski.

Ndërsa Shqipëria mori çmimin “Shpirti më i mirë Ballkanik” për filmin “Liqeni im”, nga regjisori i ndjerë Gjergj Xhuvani.

Në edicionin e sivjetëm konkurruan rreth 35 filma nga Shqipëria, Greqia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia. Sipari i festivalit u hap me një film kushtuar një prej bukurive natyrore të këtij qyteti, pikërisht Liqenit të Prespës, “Liqeni im”, një realizim që mban firmën e mjeshtrit të filmit bashkëkohor shqiptar Gjergj Xhuvani, në skenar dhe regji. Sipas drejtorit artistik të festivalit, Eno Milkani, në programin e këtij edicioni u shfaqën edhe 4 filma artistikë me metrazh të gjatë.

Një juri profesionistësh e përbërë nga Vincenzo Filippo, producent “Lupin Film Itali”, Eloise Verekeen aktore nga Franca dhe Marco Cicolini “Artinvita Festival Selector”, Itali, por dhe emrave të njohur të kinemasë shqiptare si aktorja Tinka Kurti, regjisori Piro Milkani dhe regjizori Mevlan Shanaj.

Në ekranin e madh publiku i pranishëm në 4 netët e festivalit pa filmat “Shpia e Agës” nga Lendita Zeqiraj, një bashkëproduksion mes Kosovës dhe Shqipërisë. U shfaqën dhe fimi rumun “Mia misses her revenge” prodhim i vitit 2020, si dhe një film prodhim maqedonas “The happiness effect” dhe ky i vitit 2020.

Freskia e festivalit filmat e shkurtër dhe të studentëve

Në festivalin “Balkan Film Food Festival” filmat me metrazh të shkurtër konkuruan të ndarë në dy seksione. Seksioni i parë dhe i dytë, janë të ndarë në nënkategori, film student, film i shkurtër i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, film dokumentar dhe fiction dhe filma vizatimor.

Sipas drejtorit artistik, Eno Milkani, në këtë program morën pjesë rreth 30 filma të shkurtër, që gjithashtu u përfshinë në në konkurrim.

“Balkan Film Food Festival” solli këtë vit dhe shtatë filma të realizuar nga studentët e gazetarisë së Elbasanit dhe të Shkodrës.

Në ditën e fundit të festivalit u shfaqën pesë filma të shkurtër fitues nga festivali i Strumicës, që u zhvillua para dy javësh.

Odeoni i qytetit liqenor shërbeu si skena të shfaqjes së filma pjesmarrës në edicionin e 11-të të “Balkan Film Food Festival”

Çmimet e “Balkan Film Food Festival”

-Çmimi për Filmin më të mirë me metrazh të gjatë të Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë iu dha filmit "Efekti i lumturisë”, nga regjisori Borjan Zafirovski, Maqedoni e Veriut.

-Çmimi “Best Balkan spirit” iu dorëzua filmit nga Shqipëria "LIQENI IM", me regji të Gjergj Xhuvani.

-Çmimi për “Kinematografinë më të mire” shkoi për filmin nga Kosova "Shpia e Agës", me regji te Lendita Zeqiraj.

-Çmimi “Filmi i shkurtër më i mirë” iu akordua filmit slloven, "Bits ", me regji të Aron Horváth Botka. ".

-Çmimi Special i Jurisë për Animacionin, shkoi për filmim nga Turqia "Boshllëku", me regji të Berna Yildiz.

Festivali ka dhe një pjesë të rëndësishme, atë të kulinarisë, që në këtë edicion u përfaqësua me një tur shijimi të tryezave tradicionale të fshatrave liqenorë, tashmë të njohur dhe jashtë vendit si Lini, Driloni apo Tushemishti. Kineastët e ftuar në festival kryesisht ballkanas si grekë, maqedonas, turq e rumunë, por dhe të tjerë patën rastin që veç bukurive natyrore të Pogradecit të shijonin dhe gatimet tradicionale të tij, një vlerë e shtuar kjo, e pse jo dhe një gjetje origjinale e këtij festivali filmi.

Neritana Kraja