Alda Bardhyli është një studiuese e letërsisë dhe publiciste e njohur. Ka studiuar letërsi në Universitetin e Tiranës dhe prej vitit 2000 ajo ka punuar si gazetare kulture e më pas si redaktore në gazeta të njohura të kohës si “Albania”, “Dita”, Shqip”. Skenariste në disa emisione të rëndësishme televizive në “Top Channel”, për një periudhë kohe ajo ka punuar dhe si drejtore programacioni në televizionin “Ora News”.

Bardhyli ka një kontribut në fushën e botimeve si drejtuese e Shtëpisë Botuese “Saras”. Ajo ka meritën e sjelljes në gjuhën shqipe të një sërë autorësh të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore si dhe nxitjen e një debati kulturor me në fokus librin si organizatore e një sërë tryezash letrare.

CMG : Si nis dita juaj?

Alda Bardhyli :Dita ime nis kështu si sot, ku ne u takuam. Unë jam çdo ditë pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit. Në fakt, gjithnjë përpiqem që të jem përpara orarit zyrtar në zyrë, që të vendos edhe punën përpara.

Më duhet patjetër që të shoh dhe programin, i cili duhet thënë që është tepër ambicioz në shërbim të librit shqip.

CMG :A mund të shkojmë në fëmijërinë tuaj? Emocionet e fëmijërisë ardhur sot të gjalla...

Alda Bardhyli : Stefan Zweig thotë se :"Njeriu është fëmijëria e tij". Është mirë që unë tÇi kthehem fëmijërisë sime, e cila patjetër ka lënë tek unë edhe zona të errëta edhe zona të bukura.

Sot shoh që jam ajo që kam projektuar, që kam lexuar dhe vazhdoj të dua atë që dikur kam dashur që është :"Një ëndërr e lidhur ngushtë me librin ".

CMG : Cilët njerëz ju kanë dhuruar mbështetje gjatë rrugëtimit tuaj?

Alda Bardhyli : Sigurisht që ne i detyrohemi shumë njerëzve të cilët gjatë gjithë këtij rrugëtimi kanë qëndruar aty. Njerëzit me jetën e tyre, me sjelljen e tyre patjetër që janë kthyer në një model për ne. Modeli i parë për mua janë prindërit e mi. Nëna e ime, e cila sot nuk jeton më, por nëpërmjet universit vijoj të marr shenja dhe një lloj pozitiviteti apo energjie të mirë që ajo kishte edhe për punën time.

Ka qenë shumë e rëndësishme lidhja që unë kam pasur me nënën time. Kjo lidhje vinte nëpërmjet shkrimit dhe më kujtohet nuk kishim shumë komunikime të shpeshta, por kishim një lidhje me të veçantë komunikimi përmes letrave. Ndoshta ky ka qenë një lloj orientimi, që ajo më jepte që unë të mbështetësha më pas tek një nga pasionet e mia, që ajo e ka pikasur herët tek unë "shkrimi".

Sot që kthej kohën dhe kokën pas më vezullojnë fytyra shumë të dashura.

Njerëz të letrave, prej së cilëve vërtet kam pasur fatin që të marr shumë. Duke e nisur me profesorin Gjergj Zheji, me të cilin muajt e fundit të jetës së tij punonim për ribotimin e librit "Skënderbeu" në apartamentin e tij të vogël, bashkë me zonjën e tij për të cilët ruaj vërtet shumë repekt. Më tej kanë qenë edhe shumë njerëz nga të cilët kam pasur fatin të mësoj.

CMG :Marëdhënia juaj me kohën. Ju e kontrolloni kohën, apo koha ju kontrollon ju?

Alda Bardhyli : Përpiqem që ta zotëroj kohën edhe pse ajo ndonjëherë është përtej nesh. Kjo është edhe beteja më e rëndësishme që kemi me veten tonë, zotërimi i kohës.

CMG :Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, çfarë ofron për libërdashësit?

Alda Bardhyli : Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit është një qendër e re në hapësirën kulturore shqiptare. Kemi më shumë se një vit jetë dhe ka qenë një vit shumë i rëndësishëm sfidash, për të rikthyer vëmendjen tek libri shqip.

Janë një sërë sfidash që ka ky institucion, por sfida kryesore e jona ka të bëjë me nxitjen e leximit shqip dhe njëkohësisht bashkëpunimi edhe me ndërkombëtarë për të rritur aktivitetet e ndryshme me në fokus librin.

Tashmë në shekullin e 21-të kultura shqiptare duhet të lundrojë për të qenë pjesë e kulturave të tjera jashtë Shqipërisë ,siç edhe kemi vite që përfaqësohemi me librin shqip.

CMG: Alda, ju sot drejtoni një institucion kaq të rëndësishëm, por cila ka qenë puna juaj e parë?

Alda Bardhyli : Puna ime e parë ka qenë gazetare kulture. E kam dashur shumë si profesion, pasi kultura ka qenë një vokacion i hershëm i imi, ndoshta qëkur zbulova magjinë e leximit.

Të punuarit me kulturën më ka ndihmuar dhe ka krijuar një perceptim, i cili vazhdon të jetë ende sot si kërkim, pasi kultura është një kërkim i cili nuk mbaron asnjëherë.

CMG : Kur ju drejtohesh të rinjve sot, çfarë ju thua në pak rreshta?

Alda Bardhyli : Ndoshta mesazhi që do t'ju thoja është, t’i duan ëndrrat dhe t’i ndjekin ato. Çdo ëndërr bëhet e bukur dhe e prekshme nëse ajo koordinohet me një disiplinë dhe punë të mirë.

CMG :Të rinjtë pranë Qendrës Kombëtare të Lbrit dhe të Leximit sa të gatshëm janë të vijnë këtu?

Alda Bardhyli : Është e rëndësishme të mëkojmë te të rinjtë përsosjen e gjuhës shqipe. Të rinjtë janë pjesë permanente e politikave tona dhe po përpiqemi që me një sërë programesh kryesisht dialog kulturor t’ i nxisim për të pasuar ëndrra.

Motivimi gjithashtu është tepër i rëndësishëm ndaj është detyra jonë t’i motivojmë ata dhe t’i kemi pjesë tonën.

CMG : Impresionet tuaja të leximit të momentit?

Alda Bardhyli : Do doja ta nisja me një shprehjen: "Lexo shqip", një moto kjo e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Duhet të lexojmë dhe të njohim autorët shqiptarë. Kështu që do t’i ftoja të gjjthë të lexojnë shqip.

Sa i përket leximit të momentit, unë sapo kam lexuar biografinë e Gabriel García Marquez, janë 3 javët e tij të fundit në jetë, rrëfyer nga i biri. Një libër i fuqishëm që tregon ikjen e një personi kaq të rëndësishëm të letërsisë.

Intervistoi: Megi Latifi