Nëse Festivali Kombëtar i Këngës për fëmijë që mbahet çdo vit në Shkodër që nga viti 1962, ka arritur të mbijetojë, kjo është meritë vetëm e dirigjentit, artistit, djalit të Shkodrës, Kujtim Aliaj, që para disa ditësh u nda nga jeta në moshën 60 vjeçare. Të paktën gjatë tre dekadave të fundit, Kujtim Aliaj ka qenë njeriu që ka shpirtëzuar dhe mishëruar Festivalin Kombëtar të Fëmijëve me pasionin dhe përkushtimin e tij, që ka zbuluar talente dhe i ka bërë fëmijët të ëndërrojnë, duke nisur nga skena e vogël, drejt skenave të mëdha.

Të gjithë e njihnin kujtim Aliajn në Shkodër, fëmijë dhe prindër. Çdo fëmijë pa diskutim kishte kaluar nga duart e tij përmes zërit dhe veshit të muzikës. Ai i mësonte të këndonin, të luanin në instrumente, të shkonin në kurse kërcimi dhe tí bashkoheshin korit të madh të fëmijëve që vit pas viti shoqëronte këngët në festival.

Dalja e tij e fundit për media, ishte pikërisht në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër, më 4 korrik, ku u pa se sëmundja kishte lënë gjurmë në pamjen e tij, por jo në shpirt. Përtej saj, ai vijoi deri në momentet e fundit të jetës misionin e tij, për të zbuluar talentet e reja nga Shkodra, përtej skepticizmit të krijuar sot për artin, pasi sipas mjeshtrit, që tani nuk është më mes nesh, ka ende talente që premtojnë për të ardhmen.

Artistë, miq, kolegë të Kujtimit, si Bujar Qamili, Gjon Shllaku, Zef Çoba, Edmond Zhulali dhe Alfred Kaçinari, të prekur nga humbja, u shprehen për median, duke nënvizuar se ai do të mbetet i paharruar dhe se Kujtim Aliaj ka lënë pas një vepër të madhe:

“Atë çfarë ka bërë Kujtim Aliaj për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë rrallë se mund ta bëjë një muzikant tjetër. Ai i dha Shkodrës gjithçka, i dha shpirtin, sakrificën”.

“Shkodra duhet të jetë krenare për figurën e Kujtimit, ne do ta kemi përgjithmonë shëmbull, për punën, për vetmohimin e tij, për dashurinë dhe sinqeritetin karshi njerëzve dhe frymën e lartë të bashkëpunimit”.

“Ishte një njeri që në mjedisin tonë dha kontributin e tij me mendimin e madh dhe të vyer në lidhje me zhvillimin e artit dhe të muzikës në Shkodër”.

“Një artist shumë i madh, një njeri i jashtëzakonshëm, personalitet, i cili, na ka bërë nder jo vetëm ne, por i bën nder edhe qytetit të Shkodrës. Eshtë i pazëvendësueshëm”.

Të gjithë e njihin dhe e respektonin dirigjentin, drejtuesin dhe organizatorin e nderuar shkodran.

Ai vinte nga një familje qytetare shkodrane, të cilën e donin arsimin dhe artin.

Kjo ka bërë që Alija të ndjekë shkollën e muzikës për violinë për 12 vite në Shkodër. Më tej ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë për dirigjim.

Pas diplomimit, ai është rikthyer në Shkodër, ku ka filluar punën në veprimtari të ndryshme muzikore. Që nga ai moment, Kujtim Alija u kthye në simbolin e Festivalit për fëmijë në Shkodër. Përveç se dirigjent, ai u bë drejtuesi dhe organizatori, duke i dhënë mundësinë shumë brezave të vegjël artistësh të ngjiten në atë skenë.

Alija bëri që ky Festival të kalonte jo vetëm kufinjtë e qytetit, por edhe të Shqipërisë, duke mirëpritur konkurrentë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Për 36 vite, ai dha kontrubutin e tij për zbulimin e talenteve shkodranë, të cilët sot radhiten te këngëtarët më të mirë shqiptarë. Këtu mund të përmendim Ervin Bushatin, Rosela Gjylbegun, Arilena Ara, Dorina Garuci etj.

Sakaq, Kujtim Alija bëri të mundur rifunksionimin e Bandës muzikore të qytetit, e cila për vite me radhë nuk ka qenë efektive. Pas konsolidimit, në Festivalet Kombëtare të Orkestrës Frymore në Sarandë, ky formacion fiton katër herë rresht, çmimin e parë. Ndërkohë në vitin 2009 në Itali, në festivalin Ndërkombëtar të bandave Muzikore të qyteteve, Banda e Shkodrës me drejtimin e Aliaj, fitoi çmimin e parë akorduar nga Presidenti i Republikës italiane.

Ai gjithashtu riktheu në Shkodër, pas 17 vitesh, Orkestrën Simfonike, shumë të njohur në të gjithë vendin, duke kontribuar për gjallërimin e jetës artistike dhe kulturore në vend.

Në vitin 2017, Kujtim Aliajt iu akordua titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. Pas këtij vlerësimi, artisti u shpreh i kënaqur, por këto merita ia ka kaluar bashkëqytetarëve të tij. Ndërsa Bashkia e Shkodrës e ka nderuar me titullin “Mirënjohje e Qytetit”.

Nuk mjaftojnë fjalët për të treguar të gjithë vlerat që Kujtim Alija i ka dhënë kulturës shqiptare. Të gjithë brezat që do të vijnë, do të kthejnë kokën në korin e fëmijëve dhe do të shohin që gjithmonë do të ngelet një vend bosh.

Neritana Kraja