Franc Koruni është këngëtar shqiptar. Ai ka kënduar që në moshë të vogël dhe në repertorin e tij numërohen mbi 10 këngë , mes të cilave dhe pjesmarrje në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar. Franci ka studiuar për Filozofi dhe ndjek në vijim studimet master. Aktualisht Franci është moderator në Radio Tirana, ku drejton emisionin "Tingëllon bukur".

Franc Koruni në intervistë për CMG

CMG : Franci, për çfarë e njeh veten?

Franci Koruni : Është e vështirë dhe e veçantë që të flasësh për veten. Por sot do të flas si një i ri që e do jetën. E quaj veten të ri edhe pse 29 vjeç. Pranoj që punët t’i bej me ndergjegje dhe korrektesë. Batuta e parë që më vjen në mendje për veten është ai "Qerosi me mjekër". Përpiqem të shkoj tek me e mira ime. Muzika, filozofia, media, radio e përcjell të vërtetën dhe unë kam zgjedhur gjërat e vërteta për të bërë. Unë e njoh veten përmes veprimtarive të mija dhe ato i bëj më së miri. Ne duhet të mendojmë për veten tingëllon pak egoiste, por në fakt duhet menduar për veten.

CMG : Në çfarë periudhe emocionale je ?

Franc Koruni : Jam në fazën që sapo kam mësuar, që nuk ka ditur asgjë deri tani dhe duhet të punoj për të mësuar gjëra teorike që mund t’i dija, por që nuk i kam jetuar gjera të tilla. Kam kuptuar që shumë gjëra i di në teori dhe jo në praktikë.

CMG : Një histori nga fëmijëria që ka lënë tek ti shenjë kujtimesh?

Franc Koruni : Kam kënduar mbi krevat ( qesh)... Kur isha i vogël unë merrja telekomandën dhe këndoja mbi këngët. Kjo ka qenë një indicje për t’u bërë këngëtar. Pastaj kam kujtimet e shkollës. Kur kam qenë fëmijë më ka shqetësuar fakti që duhet të shkoja çdo ditë në shkollë. Kam përshtypjen që duhet t’ja shpjegosh fëmijës pse duhet të shkojmë në shkollë. I bëra bashkë të gjitha përjetimet e mija. Më ka shënjuar kitara, kur me të në dorë kuptova rëndësinë e muzikës.

CMG : Kënga “Dua të jem shi”...Pse ky titull?

Franc Koruni : Flet për atë që njerëzit ndiejnë. Simbolika është shiu dhe të fton për diçka më hyjnore më specifike. Flet me zemër kjo këngë, duke bërë edhe një thirrje për gjërat që vijnë nga larg. Qielli ka mistere!

CMG :Kush e ka dëgjuar këngën tënde të parë?

Franc Koruni :Kam bërë dikur këngë shumë naïve, por nuk u dorëzova sepse këngët e para nuk dolën siç duhet. Të parët kanë qenë familjarët dhe më kanë mbështetur! Por e sjell këtë pasazh për t’ju treguar që të mos dorëzoheni kurrë. Ne mundemi t'ia dalim të arrijmë pas shumë përpjekjeve.

CMG : Franci, cilat kanë qenë sfidat e tua ndër vite?

Franc Koruni : Sfidë është kur ti nis të mendosh a po bej te duhurën dhe ne duhet të zgjedhim. Të jemi ky që jemi, apo të ndjekim të kaluarën. Nëse ne kalojmë nga një sfidë tek tjetra edhe në kohë na vjen diçka e re dhe më e bukur. Unë kam kaluar nga muzika klasike tek muzika trendy, por mendoj që kam bërë mirë. Në pamje të parë duket sikur të tremb ndryshimi, por më pëlqeu si sfidë dhe u përpunua mirë.

CMG : A beson në fat?

Franc Koruni : Puna jote përcakton fatin tënd! Unë jam i bindur që i thërrasim gjërat në jetë dhe besoj në rimisherim. Ne kemi shumë potencial për të jetuar aq pak. Trupi ka kufi, por jo gjendja... Unë i kam dhënë zgjidhje në veten time, por për ta ndarë me këmbë në tokë mendoj që fëmijëria është shumë e rëndësishme. Pra nëse je në kryqëzim dhe bën një zgjedhje dhe të del e gabuara, mos u pendo për rrugët e tjera. Destini është i rëndësishëm, por mbështetja që duhet t’i japim fëmijëve është shumë e rëndësishme.

CMG : Si e menaxhon kohën?

Franc Koruni : Gjëja e vetme që kemi në dorë ne është koha, projeksion emocional. Ne duhet të zgjedhim cilësinë e menaxhimit të kohës. Ka njerëz që nxitojnë, vallë përse? Ka njerëz që janë të ngadaltë, vallë përse? Ne duhet të kemi mirëkuptim për këdo që takojmë në jetë, sepse nuk ja njohim atë që ka kaluar.

CMG : Franci, njerëzit që nuk të kane lënë kurrë vetëm?

Franc Koruni : Patjetër që familja. Familja ka qenë ajo që më ka dhënë krahë dhe e ka bërë këtë në formë të moderuar, sepse mund të ishin edhe imponues. Kanë qëndruar kudo me mua sa ndonjëherë mendoja, bezdisje! Por jo, ata e kanë pasur nga dashuria për mua! Këta janë mbështetësit që na duhen në jetë.

Intervistoi: Megi Latifi