Lejlekët qafëzinj në Nyingchi të Rajonit Autonom të Tibetit të Kinës Jugperëndimore, 36 mars 2021. (foto nga Zhang Ning/Xinhua)

Lejlekët qafëzinj në Nyingchi të Rajonit Autonom të Tibetit të Kinës Jugperëndimore, 36 mars 2021. (foto nga Zhang Ning/Xinhua)

Vera është e nxehtë në pjesën dërrmuese të Kinës, por në Nagqu, një qytet me një lartësi mesatare më shumë se 4500 metra mbi nivelin e detit në Rajonin Autonom të Tibetit në Kinën Jugperëndimore, temperatura ulet deri në 3 gradë celsius.

Klima e ftohtë e bën një burim gjeotermik në Nagqu një destinacion të kërkuar për shumë njerëz, përfshirë Kama Dorjen, një banor i Nagqu-së që punon në kryeqendrën e Tibetit, Lhasë.

“Banja në ujërat termale përmirëson qarkullimin e gjakut. Puçrrat në fytyrë më ikën,” thotë 26-vjeçari, që vjen në burimin gjeotermik çdo tre ditë, kur kthehet në shtëpi.

Duke shfrytëzuar burimet natyrore dhe kulturore, shumë zona në Tibet kanë zhvilluar turizmin rural, i cili u ka sjellë bujqve e blegtorëve të ardhura shtese.

Burimi gjeotermik në fshatin Tonglung të kontesë Nyainrong të Nagqu-së, me temperaturën e ujit rreth 60 gradë celsius, është ndër më të lartat në botë.

Fshati ka krijuar një kooperativë për funksionimin e burimit gjeotermik, e cila tërheq afro 10 mijë turistë nga qyteti dhe kontetë përrreth çdo vit, sipas Chophe, kreu i fshatit. Vitin e kaluar kooperativa dhuroi 12 mijë juanë (afro 1 850 dollarë amerikanë) për çdonjë prej 75 familjeve të fshatit si dividend.

Gjithsej 35 fshatarë, përfshirë ata që jetonin në varfëri, punojnë në kooperativë.

“Me një punë pranë shtëpisë, mund të kujdesem më në fund për nënën time të sëmurë në shtëpi,” shprehet 20- vjeçarja Chimed Wangmo, që dikur punonte në qytetin Nagqu. Me punën si arkëtare dhe pastruese në kooperativë, ajo fiton tani 2 500 juanë në muaj.

Në Tashi Chodan, një lagje që njihet për operën tibetiane në qytetin Shannan, një trupë prej mbi 30 interpretuesish jep shfaqje çdo ditë për grupet turistike nga mbarë vendi.

Opera tibetiane, me një histori 600-vjeçare, ndërthur të folurin, këndimin, interpretimin, vallëzimin dhe letërsinë. Ajo vlerësohet si “fosil i gjallë” i kulturës tibetiane dhe u përfshi në listën e Trashëgimive Kulturore Jomateriale të UNESCO-s në vitin 2009.

Një aktor interpreton operën tibetiane në distriktin Diolungdeqen të Lhasës, kryeqendra e Rajonit Autonom të Tibetit të Kinës Jugperëndimore, 25 janar 2020./ foto nga Xinhua

Një aktor interpreton operën tibetiane në distriktin Diolungdeqen të Lhasës, kryeqendra e Rajonit Autonom të Tibetit të Kinës Jugperëndimore, 25 janar 2020./ foto nga Xinhua

“Në sezonin më të ngarkuar, kemi gjashtë deri shtatë shfaqje në ditë. Të ardhurat mujore mund t’i kalojnë 2 mijë juanë vetëm nga shfaqjet,” thotë fermeri 38-vjeçar Purbu Kelsang.

Për të pritur grupet turistike, 58 familjet e fshatit merren me biznesin e bujtinave.

63-vjeçari Dawa s’ka nevojë më të bëjë punë të rëndë ndërtimi në qytete. Me bujtinën e tij me tetë shtretër, ai mund të fitojë mbi 30 mijë juanë në vit. Ai ofron falas çaj me gjalpë dhe i bie fyellit për mysafirët.

“Atyre u pëlqen shumë shtëpia ime. Disa prej tyre më telefonojnë edhe kur kthehen në shtëpi, duke premtuar se do të vijnë përsëri çdo vit,” rrëfen ai, duke shtuar se turistët e tij janë nga provincat Anhui, Hubei dhe Hunan të Kinës Qendrore.

Në vitin 2020, të ardhurat neto për frymë në këtë lagje arritën në 24 mijë juanë, 13.1 për qind më shumë se në 2019-n.

Wang Huadong, zv.kryebashkiaku ekzekutiv i Shannanit, tregon se bashkia e qytetit ka planifikuar të pajtojë një kompani palë të tretë në ndihmë të lagjes për të zhvilluar turizmin rural në mënyrë më profesionale.

“Kompania palë e tretë ka mundësi të përgjigjet për marrjen me qira të arave afër nga fermerët dhe t’i kthejë ngastrat e elbit në fusha me lule galsangu, për tërheqjen e më shumë turistëve,” tha ai.

Në Tibet, turizmi rural ka krijuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, 86 mijë vende pune për bujqit e blegtorët vendës, duke u sjellë atyre një rritje të të ardhurave vjetore për frymë prej 4300 juanë (afro 664 dollarë amerikanë) deri në vitin 2020.

Me optimizmin për perspektivën e turizmit, fshati Tonglung po zgjeron kooperativën e burimit gjeotermik, duke ndërtuar tre pishina të reja. Fshati planifikon ta shndërrojë vendpushimin në një kompleks që përfshin turizmin, dëfrimin dhe akomodimin, që t’u shtojë më shumë të ardhura fermerëve.

Nyima Degyi, zv.kryetarja e kontesë Nyainrong, tha se pjesa e një autostrade kombëtare, që kalon nga konteja, është në ndërtim e sipër.

“Ky segment autostrade, që do të lidhë kontenë Zadoi, provincën Qinghai dhe Nagqu-në, do të na sjellë patjetër më shumë turistë,” shprehet ajo. (Wang Lei/ Artan)