Më 26 gusht u celebrua ditëlindja e shënjtores Nënë Tereza. Me rastin e 111-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh të rëndësishme, të cilat sollën në kujtesë aktivitetin dhe rëndësinë e veprës së humanistes së madhe me origjinë shqiptare.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar letrat që Nënë Tereza, i dërgoi qeverisë shqiptare më 29 gusht 1989, ku shprehte dëshirën që të vinte e të takonte nënën dhe motrën e saj në Shqipëri. Letra e shkruar nga dora e Nënë Terezës, u ekspozua për herë të parë, në vazhdën e aktiviteteve të kësaj përkujtimoreje.

Gjithashtu, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, organizoi aktivitetin “Nënë Tereza, Kujtesa, Kombi”. Aktiviteti u shoqërua dhe me hapjen e një ekspozite me më shumë se 400 ekzemplarë të ndryshëm librash, kushtuar jetës dhe veprës së shenjtores nga autorë shqiptarë.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qëndrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në ceremoninë që i parapriu ekspozesë së librave, foli për rëndësinë që kanë ditë të tilla kujtese për kombin shqiptar. Janë ditë të bukura reflektimi, jo vetëm shpirtëror, por ditë që na lidhin me nevojën për tu mbështetur tek mesazhet, nënvizoi ajo.

“Stili i jetës së saj ishte një stil modest dhe e gjithë jeta e saj ishte një përkushtim drejt një ideali dhe siç ajo shprehej, “Shqipëria mund të bëhej vetëm duke qenë bashkë dhe secili duke bërë punën që di të bëjë më mirë”.

Pjesë e koleksionit të librave kushtuar Nënë Terezës janë tituj në kohë të ndryshme, nga autorë të ndryshëm, të cilët vijnë si një pasuri para publikut shqiptar. “Kur shfletoja këto libra mbi jetën e saj, të cilët reflektojnë dhe mendimin bashkëkohor shqip mbi fenomenet, ajo që më përshkronte ishte ndjeshmëria e saj poetike. Ndoshta se lutja vetë të çon tek poezia. Uroj që ky takim të mos jetë vetëm një çast kujtese, por të lërë gjurmë në ndjeshmërinë tonë”, tha Bardhyli.

Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës ishte Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi). Ajo ishte një humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor të vitit 2003 u shpall si shenjtore nga Vatikani. Nënë Tereza vinte nga një familje shqiparësh, babai i saj ishte nga rrethinat e Shkodrës, ndërsa e ëma nga Gjakova, ndonëse jetonin në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Pasionet e rinisë së Gonxhe Bojaxhiut ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.

Shenjt Tereza, por që në mbarë botën thirret “Nënë Tereza”, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, u njoh në mbarë botën për përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të rrugës”.

Nënë Tereza themeloi misionin katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Misioni i themeluar dhe drejtuar prej saj, shpejt u bë i njohur, pasi ofronte shtëpi për njerëzit që ishin duke vdekur nga HIV/AIDS, lebra dhe tuberkulozi; ato ofronin ushqime dhe shërbime klinike ambulatore. Ato ofronin programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimoret dhe shkollat. Anëtarët duhet t’i përmbaheshin betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe kushtit, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”. Ky parim kaq human dhe i vërtetë i Nënë Terezës, e udhëhoqi atë gjatë gjithë jetës, duke u kthyer në shëmbull frymëzues. Libra biografik, dokumentarë, albume fotografisht, monografikë, etj, janë shkruar për të në mbarë botën, 400 prej tyre të ekspozuar në këtë ekspozitë.

Në fjalën e tij, Dom Gjergj Meta, foli për vlerën e misionit të Nënë Terezës për shoqërinë ton dhe mësimi që i ka dhënë e jep kësaj shoqërie. Puna e madhe që ajo ka përfaqësuar për mbarë njerëzimin, është një angazhim, e cila përveç përkushtimit dhe vokacionit të saj, është kryer edhe për shkak të “kokëfortësisë” së saj, për t’i shkuar gjërave deri në fund, cilësi kjo e përbashkët e Nënë Terezës dhe e shqiptarëve, nënvizoi Dom Gjergj Meta.

“Nënë Tereza e preku botën, sepse bota e kishte harruar këtë dimension. Dhe sot Nënë Tereza mund ta preki në momentin që neve, në atë luksin e jetës ndonjëherë, në pretendimin që jemi diçka, harrojmë ato që janë “më pak se ne”, të anashkaluarit e shoqërisë, që janë të varfërit e shoqërisë…Dhe Nënë Tereza na e kujtoi këtë dimension të solidaritetit…”

Nënë Tereza e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989. Ajo e ka nënvizuar disa herë faktin se është shqiptare.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë në vitin 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe në vitin 1979, Çmimin Nobel për Paqe.

Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Kjo mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016.

Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo mbajti qëndrime lidhur dhe me çështje delikate si abortin dhe kontracepsionin, duke ndikuar që bota të bëhej edhe më e ndjeshme ndaj këtyre fenomeneve. Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chawla dhe u botua në 1992, libër që ka shërbyer edhe si subjekt i filmave dhe librave të tjerë.

Ekspozita e hapur në ambientet e Qëndrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është e hapur për publikun deri më 5 shtator, që shënon dhe ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Neritana Kraja