Në rubrikën tonë do të ndalojmë në një temë interesante që na lidh me fëmijërinë e secilit, pavarësisht moshës. Do të flasim për tre embëlsira dhe pije freskuese të traditës, që nuk i harrojmë dot: akullorja, boza dhe arançata

Akullorja

Akullorja është një ëmbëlsirë freskuese e verës që nuk do i kalojë asnjëherë moda. Të gjithë janë mposhtur prej saj, të gjithë e pëlqejnë dhe e shijojnë. Nga ëmblësirë luksi, ajo është shndërruar në ëmbëlsirën më popullore në botë.

Nëse mendoni se akullorja ka lindur në Itali, pasi atje prodhohet akullorja më e mirë në botë, e keni gabim. Pasi akullorja ka lindur në Kinë rreth 2000 vite para krishtit dhe përgatitej me oriz të gatuar shumë, me erëza dhe qumësht; e gjitha kjo mase futej pastaj në borë, sepse duhej të ngrinte aty. Në shekullin e trembëdhjetë, në rrugët e Pekinit mund të blije disa lloje të këtyre ëmbëlsirave, që shiteshin nëpër karroca. Në vitet 1300 qumështi dhe frutat e ngrira u shfaqen në Itali, të importuara nga Marco Polo. Kjo u quajt Akullore Italiane.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë akullorja gjithashtu u përhap në Angli dhe Amerikë, falë emigrantëve italianë që e shisnin atë në rrugë.

Në Shqipëri të parët që kanë prodhuar akullore janë familja Bllaca në Durrës. Në vitet 20, një përfaqësues i kësaj familje hapi të parin dyqan të akullores, formulën e të cilës erdhi nga Stambolli, aty ku kjo familje kishte lidhje të afërta familjare me njerëz që kishin një pastiçeri që prodhonte akullore. Sekretin e përgatitjes Bllaca nuk ia tregoi kujt, por ia trashëgoi sekretin pasardhësve të tij. Në vitet 1950 turistët dhe përfaqësuesit e ambasadave të huaja furnizoheshin në dyqanin privat “Bllaca”. Në vitet 60 dyqani u shtetizua, ndërkohë pas viteve 90, pronarët e morën përsëri dhe vazhdojnë të prodhojnë akulloren e tyre magjike.

Në Shqipëri deri në vitet 90 njihnim vetëm akulloren e bardhë dhe me kakao, ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar, ofrohen minimalisht 20-30 shije. Dhe secili mund të zgjedhë atë që i pëlqen. Sot gjithnjë e më tepër njerëzit kanë filluar të flasin për akulloren se si ishte një herë e një kohë.

E meqë jemi tek shija e parë, i mbani mend shitësit me karroca që vinin lagje më lagje dhe shisnin akullore dhe bozë???

Boza

Ndoshta jo shumëkush e di, por historia e kësaj pijeje, nuk do të ishte e plotë pa përmendur Haxhi Sadikun, shqiptarin që ngriti një dyqan të famshëm të prodhimit të bozës në Stamboll në vitin 1876. Dyqani “Vefa Bozacisi” ndodhet akoma aty pranë Xhamisë së Sulltan Sulejmanit.

Thuhet se të parët që e “shpikën” bozën shqiptare ishin goranët e Kukësit, të cilët krijuan një traditë të çmuar të saj. Sot, ajo prodhohet nga firma dhe familje të ndryshme gati në të gjithë Ballkanin dhe mendohet se përbën një “thesar” ende të pazbuluar mirë.

Boza është një pije freskuese e përhapur kryesisht prej tyre në vendet e Ballkanit dhe më gjerë në Lindje, aty ku gjenden profesionistët, që njihen me emrin usta, e që dinë ta prodhojnë. Boza e melit është më e mira, por sot zor se prodhohet më, pasi kushton shumë. Por edhe boza e misrit ka vlera të shumta. Boza ka katër përbërës kryesorë: kokrra meli, miell misri ose gruri, sheqer, ferment (farë buke ose bozë e mëparshme) dhe ujë. Boza shqiptare dallon nga bozat e prodhuara në vendet tjera ngaqë përbërësi kryesor i saj është misri, kurse në Turqi, Bullgari e Maqedoni mund të jetë gruri, elbi, meli dhe qiqrat. Në vendin tonë ajo prodhohet si një pije freskuese gjatë gjithë vitit.

Arançata

Të gjithë ata që kanë provuar arançatat e famshme,tregojnë për shijen e mirë të këtij produkti. Bëhet fjalë për pijen që gjithë fëmijët e donin aq shumë para viteve ‘90. Ngaqë nuk kishin pije tjetër, apo ngaqë ishte shumë e mirë, kjo mbetet ende në dilemë. Kjo pije ka nostalgjikët e saj, të cilët thonë: “S’kam shijuar në asnjë vend arançata si ato që kishim në Shqipëri”.

Arançata kishte në përbërje vetëm ujë, aromë, ngjyrues ushqimor dhe gaz. Ishte dy llojesh, me aromë pjepri dhe kishte ngjyrë jeshile të hapur, ose me aromë agrumesh dhe kishte ngjyrë portokalli. Ajo shitej e ftohtë dhe servirej me akull. Ajo prodhohej në disa fabrika ushqimore në vend, në sektorin e pijeve freskuese. Ishte pija e vetme freskuese me gaz që tregtohej dhe kënaqte të rritur dhe fëmijë. Në mendjet e njerëzve ka mbetur akoma pija e preferuar e tyre para viteve ’90. Por, pas hovit të madh të industrive të pijeve freskuese u zhduk tërësish nga tregu i konsumit shqiptar.

Neritana Kraja