Ka nisur më 9 gusht, ndërsa ndalesa e radhës ishte në Tamarë e Vermosh, dy skaje mahnitëse të alpeve shqiptare… Aty ku pingrojnë Orët e Zanat, ku mrizojnë grigjat e kumbon lahuta! Pikërisht aty “Festivali i Jazzit” ka lënë takimin e radhës, për të treguar histori të reja të muzikës, duke shpalosur “Albanian Sounds”.

Mbrëmje gati të pabesueshme, ireale, mes malesh, aty ku lahuta ka shtëpinë e vet shekullore, ndërsa jazz-i lodron në shtëpinë e re, që i rri aq mirë për shtat. E gjitha kjo, e kombinuar në lojën e mjeshtërve popullorë, si rapsodi, Pretash Nila dhe virtuozëve të së parës dhe të vetmes shkollë arti në Shqipëri, që prodhon jazz.

Bardh Jakova në fizarmonikë – instrumentisti i njohur shkodran që sot me sukses zhvillon aktivitetin e tij artistik në Itali dhe Sokol Prekalori - emër i afirmuar në violinë, me drejtues Markelian Kapedani, i etiketuar si princi i jazz-it shqiptar, si dhe violinistin e talentuar Paçalin Pavaci, nën drejtimin artistik të Florian Jakaj, janë protagonistët e këtij projekti dinjitoz, ambicioz, të guximshëm dhe të adhurueshëm njëkohësisht.

Zakonisht për një performancë jazz-i, duhet një skenë me drita të ulura, perde prej kadifeje të rënda, një piano, mikrofon dhe shumë shpirt. Por iniciativa e këtij grupi profesionist pasionantësh dhe virtuozësh, e solli jazz-in, krahas shfaqjeve udhëtare gjatë një muaji, edhe në një shfaqje në një mjedis të ri, të pazakontë, ku skenë u bë lëndina me barin e gjelbër dhe perde u bënë shpatet e jeshiluara të maleve, duke krijuar nota edhe më sublime dhe ndjesi emotive të paprovuara më parë. Akustika ishte e garantuar në këtë teatër natyral. Ndërsa mjeshtri i orkestrës një tjetër garanci absolute.

Të brumosur me një kulturë muzikore për t’u pasur zili në Shkodër, djem të këtij qyteti dhe të formësuar në shkollat më të mira të muzikës në Europë dhe Amerikë, nga ku ushtrojnë aktivitetin një pjesë e tyre, ato ia kanë dalë që përmes një pune mbi dhjetë vjeçare, të ndërtojnë këtë institucion të rëndësishëm të muzikës, “Festivalin e Muzikës Jazz”.

Në këtë punë plot pasion e dashuri, qëndon jo vetëm talenti por edhe qytetari e tyre, dëshira e madhe për t’i dhënë qytetit, një hapësirë më shumë për artin, një mundësi më shumë për ta shënuar në agjendat ndërkombëtare të muzikës së vërtetë, një shtysë drejt promovimit turistik dhe integrimit social. Florian Jakaj, violinist, është organizator i eventit dhe ideues i Festivalit të muzikës jazz. Një ide ambicioze dhe kurajoze për të ndërhyrë e ndihmuar realitetin artistik e muzikor të Shkodrës, nëpërmjet këtij eventi ndërkombëtar:

“Krijuam diçka të re për Shkodrën dhe jo vetëm, krijuam Akademinë e parë të Jazz-it në Shqipëri. Falë ndihmës së madhe të muzikantëve që kanë lindur në këtë qytet dhe jashtë botës janë transformuar në nivel ndërkombëtar, jo vetëm në muzikën jazz, por edhe për rryma të tjera, përmes “Rrok Academy”, kemi risjellë në Shkodër, frymën e disa personazhe të cilët u formuan, por u edukuan më tej, përtej kufinjve”, thotë ai

Festivali i jazz -it në Shkodër, është një ngjarje kulturore e verës, një festival që tanimë është bërë traditë në këtë qytet që prej vitit 2005. Jakaj thotë se nga viti në vit, Festivali ka ardhur vetëm duke u rritur.

“Një pjesë e publikut, ekzistonte që më përpara. Ka pasë njerëz që e ndiqnin muzikën jazz…. Sa i takon pjesmarrjes, ka pasur artistë nga e gjithë bota, që në vitin e parë kemi pasur 31 artistë ndërkombëtarë që vinin nga New Yorku, Parisi dhe shumë vende të tjera, të cilët u mahnitën për atë që gjetën në Shkodër, sepse nga një vend ku nuk ekzistonte diçka e tillë dhe të gjesh në pak kohë, një numër jo të vogël spektatorësh, është një mrekulli”, thotë ai.

Grupi organizativ i festivalit ka sjellë vazhdimisht artistë të cilët i kanë dhuruar Jazzdashësve shkodranë, momente emocionuese. Loja mes artistëve me prejardhje të ndryshme është motori gjallërues i këtij festivali. … ky në fakt është aspekti Jazz i muzikës!

Këtë vit audienca e tejkaloi qytetin dhe shkoi në male. Së fundmi në Tamarë e Vermosh, Koncerti i fundit do të jenë në Tiranë.

Sipas një kalendari, artistët udhëtojnë për të dhënë koncerte në pika atraktive të ndryshme të qytetit, në rrugë, sheshe dhe clubet kryesore, për një muaj veror me jazz. Florjan Jaka, tregon për risitë e këtij viti:

“Shkodra Jazz Festival” si në të gjitha vitet është munduar që në vende të ndryshme të vazhdojë turin e tij, për të çuar përtej kufinjve, edhe të Shqipërisë, emrin e tij. Kemi fatin që këtë vit kemi të përfaqësuar thuajse të gjithë Ballkanin në veglën e fizarmonikës. Kemi instrumentistë që kanë ardhur nga Serbia, nga Kosova, nga Mali i Zi, nga Italia dhe Bullgaria”.

Interesant është fakti se artistët që marrin pjesë në Festivalin e Muzikës Jazz, gjatë një muaji, kanë dhënë edhe leksione për të rinjtë muzikantë që vijnë të perfeksionojnë instrumentin e tyre në Akademi, e cila është themeluar si strukturë akademike e rëndësishme, në dy drejtime, në Jazz Modern dhe Jazz Klasik. Kjo master klasë po kthehet në një traditë. Instrumentistë të rinj, kryesisht nga Ballkani, vit për vit bëhen pjesë e mësimeve në Akademi. Gjatë një kursi intensiv disa ditor, studentët njihen njëri me tjetrin, fitojnë një eksperiencë të re dhe njihen me një vend të ri. Shumica e artistëve që vijnë për herë të parë në Shqipëri, janë të mahnitur nga bukuritë e vendit, virtuoziteti i mësuesve të tyre dhe ngrohtësia dhe interesi i publikut. Sepse ato, tur pas turi, me interpretimet e tyre, bëhen pjesë e programit, që shoqëron mbrëmjet e muzikës jazz.

Shkodra Jazz Festival është një ndër festat e bukura të qytetit të Shkodrës dhe kjo festë, po zgjerohet dhe rritet, për të arritur dimensionet e duhura që i përkasin asaj të festivaleve ndërkombëtare.

Ky festival në dukje i vogël, po rritet bashkë me qytetin e madh, duke u bërë një ndër emblemat e shkëlqyera të vendit.

Shkodra Jazz Festival lindi si një ëndërr e lënë në mes nga artisti i njohur Rrok Jakaj, ëndërr qe sot vazhdon nga vëllai i tij Florian Jakaj, ndërkohë që Shkodra Jazz ka kryefjalë një mesazh “Andrra Vazhdon”.

Neritana Kraja