Nga mesi i muajit gusht, kur bregdeti ka thithur pushuesit e panumërt në brigjet e tij, një festë lokale për nga organizimi, por mjaft masive nga pjesmarrja, zhvillohet në Korçë, qytetin juglindor të Shqipërisë. Ofrohet birrë dhe produkte lokale. Mblidhen njerëzit nga brenda dhe jashtë. Trokiten gotat, derdhet rrëke birra dhe dëgjohet muzikë e mirë. E gjitha kjo nën logon “Festa e Birrës”.

Fakti që në Korçë kemi një festë të tillë, lidhet me traditën e hershme të korçarëve në prodhimin e birrës dhe gjithashtu me faktin tjetër se birra vazhdon edhe sot të jetë në krye të prodhimit në Korçë.

“Festa e Birrës”, e shndërruar në një festë të bukur verore, ka arritur që ta shënojë Korçën si pikë chekin-i të preferuar gjatë sezonit veror, pavarësisht se Korça detin e ka shumë larg. Prandaj ftesa jonë në Destinacion, është që të shkojmë në Korçë për festën e birrës.

Si të shkoni në Korçë

Nga Tirana, për të arritur në Korçë, duhet të kaloni qytetet Elbasan, Librazhd dhe Pogradec. Për të arritur në Korçë, duhet të merrni rrugën që kalon përgjatë liqenit spektakolar të Ohrit, një nga liqenet më të vjetër dhe më të thellë në Evropë, i vendosur mes territorit shqiptar dhe maqedonas. Pamja e liqenit dhe në sfond, malet e larta, ofrojnë një pamje unike. Ky destinacion i bukur, jo shumë larg kufijve me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, i jep Korçës një atmosferë unike: Korça, në fakt, e veçuar në Shqipërinë juglindore, është ruajtëse e traditave të lashta, të një gastronomie shumë të veçantë dhe të një arkitekture unike në vend. Por le të ndalemi tek “Festa e Birrës”, për ku edhe jemi nisur!

Festa e Birrës

Jemi në ditën e parë të festës. Rrugët e Korçës, autobusët dhe makinat, janë të mbushura plot me njerëz që vijnë të festojnë. Një herë në vit, korçarët nisin festimet e birrës, një festival që zyrtarisht zgjat pesë ditë dhe që ndiqet nga shumë mysafirë.

Qyteti zgjohet, rrugët janë të mbipopulluara, si kurrë më parë, ka radhë në dyqane. Korçarët nxitojnë të përfundojnë të gjithë punët para drekës, sepse pasdite nis “Festa e Birrës”, një paradë festive që ia ndryshon ritmin qytetit, duke i dhënë një ritëm të ri.

Sapo të arrini në Korçë do ta kuptoni se do të kaloni një festë të paharruar. Në ditë të tilla të gjitha hotelet janë të mbushura plot dhe do të ishte aventurë nëse do ia linit akomodimin tuaj, rastësisë. Të prenotuara janë jo vetëm hotelet në Korçë, por edhe në Pogradec, e Voskopojë, prandaj mirë do të ishte që ju ta keni bërë prenotimin tuaj në advancë. Por, ka edhe një mundësi akomoduese më sportive dhe ekonomike, për të gjithë vizitorët, që preferojnë të akomodohen me çadrat e tyre në zonën e përshtatur për kamping. Zona e kampingut është e pajisur me tualete dhe energji elektrike. Kjo është një mundësi e re për tu akomoduar dhe shijuar “Festën e Birrës”.

Dita e hapjes ka një ceremonial të vogël e festive, e më pas, jeni të lirë t’i gëzoheni festës.

Gjatë gjithë ditës, në çdo lokal, restorant, oborr dhe shesh ofrohet birrë. Në çdo cep pihet dhe këndohet. Nëse ditën e parë festa fillon pasdite, gjatë ditëve të tjera birra fillon e ofrohet nga ora 10 e mëngjesit deri në të zbardhur të ditës tjetër. Por kulmin festa e ka mbrëmjeve, ku në sheshin kryesor ftohen për të performuar artistët ndër më të mirët.

Në atë skenë këndojnë artistët më të mirë korçarë, por edhe të ftuar nga bota, sepse kjo festë lokale, nuk pretendon të jetë më e tillë. Ajo ka hyrë edhe në agjenda më të zgjeruara ballkanase, ndaj edhe ftuarit artistët vijnë edhe nga përtej kufinjve.

Festivali u themelua në vitin 2007 dhe në 14 vite ka tëhequr pa fund vizitorë.

Bashkohuni edhe ju me ta, shijoni shfaqje muzikore falas, shijoni lumenj birre të markave të ndryshme, shqiptare dhe të huaja dhe pranoni miqësinë e korçarëve, të cilët janë mjaft të dashur dhe fjalë ëmbël.

Fuqi, gota birre, qofte dhe kërnacka, ky është refreni i festës, ku ylli i festës është sigurisht, birra.

Argëtimi që vjen nga Festa e Birrës

“Festa e Birrës” sjell argëtim të pafund. Tek “Pazari i Vjetër” por edhe tek sheshi para Stadiumit, do të shihni me qindra tavolina druri dhe çadra të bardha, nga ku do të merrni ndjesinë e një ekskursioni në ajër të pastër. Duhet patjetër të siguroni një tavolinë për ju dhe miqtë. Dyndja e njerëzve e vështirëson në fakt pak këtë gjë. Por, me të gjetur tavolinën dhe pasi të keni shijuar birrën e parë, për tu argëtuar edhe më shumë, mund të hyni në garë me miqtë tuaj për sasinë e birrës që pini, duke dhënë edhe dënime argëtuese për njëri- tjetrin. Sigurisht pa e kaluar limitin e humbjes së aryes.

Gjithashtu, ju mund të dëgjoni muzikë të mirë tradicionale dhe të kërceni dorë përdorë me të panjohur. Ose mund të bashkoni zërin tuaj me zërin e qindra të tjerëve në serenatat korçare, apo të dëgjoni timbrin e kitarës në lojën e grupeve performues. E gjitha kjo është shumë frymëzuese për mbrëmjet e nxehta të gushtit, kur termometri njeh vetëm rritje, ndërsa ju freskoheni nga birra e ftohtë, në Korçën e dashur, ku termometri shënon gjithmonë 5 gradë më pak, për shkak të pozicionit të saj gjeografik.

Dhe për familjet me fëmijë kjo festë ka paramenduar gjithçka. Një kënd i veçantë, larg alkoolit, me lojra zbavitëse dhe animatorë në dispozicion, ku prindërit mund të zbaviten me fëmijët e tyre, me animacione dhe lojra gjithëpërfshirëse.

Përtej Birrës

Përtej birrës, “Festa e Birrës” është gjithashtu një mundësi për të gjithë turistët që të shëtisin e të ndalojnë në disa atraksionet kryesore të qytetit.

Do të magjepseni nga sharmi dekadent i shtëpive të Korçës, veçanërisht në zonën pas Katedrales Ortodokse. Kjo është një lagje magjepsëse, me shtëpi të vjetra (disa prej të cilave datojnë në epokën osmane), rrugë me kalldrëm dhe një atmosferë romantike që ka ngrirë me kohën. Po kështu shijoni arkitekturën madhështore të Katedrales Ortodokse, e cila është katedralja më e madhe në Shqipëri dhe e dyta më e madhe në Ballkan.

Përtej “Festës së Birrës”, hidhini një sy eksplorues pazarit të vjetër të Korçës, një nga pazaret më të bukur në vendet e Ballkanit, i cili pasuron qytetin me rëndësi historike dhe monumentale. Bukuria e tij daton shumë shekuj më parë, kur tregu i Korçës ishte një vend shkëmbimi për tregtarët që vinin jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia.

Enduni nëpër rrugicat e ngushta që lidhin zonat e ndryshme, të cilat nga ana e tyre janë të rrethuara nga ndërtesa të bukura dekadente që simbolizojnë të kaluarën e qytetit.

Dhe në këtë pikë të shëtitjes, mos u largoni nga Korça pa vizituar fabrikën e birrës së saj! E hapur në vitin 1929, Birrari Korça është birraria e parë e vërtetë shqiptare. Edhe pse paraqitja e saj u modernizua në 2006, ndërtesa ka ruajtur arkitekturën e saj origjinale. (Neritana Kraja)