59-vjeçarja Jin Xiuying duke bërë pozën e jogës “Luftëtari III”, 10 tetor 2017 / foto nga Zhao Zhannan

59-vjeçarja Jin Xiuying duke bërë pozën e jogës “Luftëtari III”, 10 tetor 2017 / foto nga Zhao Zhannan

Në fund të vjeshtës, një shtresë e hollë dëbore mbulon fushën e pafund. Pranë një peme të madhe buzë arës, një grua fshatare me shami flokësh në ngjyrë blu, qëndron më një këmbë, ndërsa këmba tjetër, krahët dhe trupi i saj janë paralelisht me tokën. Ajo po u demonstron bashkëfshatarëve pozën e jogës “Luftëtari III”.

Kjo është një vepër që u paraqit në Festivalin e 20-të Ndërkombëtar të Fotografisë të Pingyaos, të zhvilluar në shtator 2020. Në pavijonin “Fshatrat tona”, kjo fotografi tërhoqi shumë vizitorë. Autorja e saj, Zhao Zhannan, zbuloi rastësisht këtë “fshat të jogës” në vitin 2017. E dhënë pas këtij fshati, Zhao e ka vizituar atë çdo muaj gjatë katër vjetëve dhe regjistroi ndryshimet dita-ditës atje me aparatin e vet fotografik.

foto nga Zhao Zhannan/cppfoto.com

Yugouliang, që ndodhet në provincën Hebei të Kinës Veriore, ka qenë një fshat i varfër në rang kombëtar. Numri i banorëve të përhershëm në fshat nuk e kalonte 130. Gjatë shumë vjetëve, pjesa dërrmuese e të rinjve dilnin jashtë fshatit për punësim, ndërsa mbi 70 për qind e banorëve të tij ishin të moshuar dhe shumë prej tyre vuanin nga sëmundje kronike.

foto nga Zhao Zhannan/cppfoto.com

Në vitin 2016, Lu Wenzhen, që ishte pedagoge në Kolegjin e Teknologjisë së Postë-Telekomunikacionit të Shijiazhuang-ut, u ngarkua me detyrën e sekretarit të parë të fshatit Yugouliang. Kur pa vuajtjet e shumë të moshuarve nga sëmundjet, ai ishte i ndërgjegjshëm se pa banorë të shëndetshëm, nuk do të kishte një jetë relativisht të begatë. Si mund të përmirësohej gjendja shëndetësore e fshatarëve?


Lu Wenzhen në shtëpinë e fshatarëve të Yugouliang-ut/foto nga Zhao Zhannan cppfoto.com

Lu Wenzhen në shtëpinë e fshatarëve të Yugouliang-ut

Gjatë vizitave te shtëpitë e fshatarëve, Lu zbuloi se të moshuarit mund të uleshin gjatë këmbëkryq në “kang”, një lloj shtrati tullash me ngrohje në Kinën Veriore, dhe nga kjo atij i shkuan ndër mend pozat e jogës. Për t’i bindur fshatarët ta pranonin këtë risi, Lu krijoi një komples gjimnastikor të veçantë, duke i ndërthurur në pozat e jogës lëvizjet e punëve të përditshme, si korrja e grurëve, rrotullimi i çikrikut, hapja e mbyllja e shakullit të ajrit etj.

Lu Wenzhen e mësoi fshatarin të ushtrojë jogën

Protagonistja e fotografisë në krye të artikullit, Jin Xiuying, kishte vuajtur nga artriti për shumë vjet me radhë dhe kishte dhembje të mëdha ku rrinte më këmbë gjatë. Me këshillat e Lu-së dhe të së bijës, që ndoqi asokohe shkollën e lartë në Pekin, Jin filloi të provonte jogën. Asaj nuk i shkonte ndër mend se, pas tre muajsh, dhembja në këmbë do t’i lehtësohej shumë. E favorizuar nga joga, Jin filloi ta promovonte atë në fshatin e vet. E kështu, gjithnjë e më shumë të moshuar filluan ta ushtronin jogën. Më e moshuara prej tyre është mbi 80 vjeçe.

Gradualisht, fshati Yugouliang, që kishte qenë i zymtë, u rigjallërua. I moshuari 73 vjeç që mund të qëndrojë kokëposhtë me duar, 73-vjeçarja që mund të bëjë sparkatën... ata u bënë protagonistët e fotografive.

Sipas Jin Xiuying-ut, ndryshimi më i madh është në mënyrën e jetesës. Në të kaluarën, gjatë kohës së lirë në dimër, pjesa dërrmuese e fshatarëve qëndronin vetëm në kang, duke luajtur letra dhe duke bërë muhabet. Por tani joga është bërë mënyra kryesore për dëfrim dhe çlodhje.

foto nga Zhao Zhannan/cppfoto.com

foto nga Zhao Zhannan/cppfoto.com

foto nga Zhao Zhannan/cppfoto.com

Me përmirësimin e shëndetit, të moshuarit në fshatin Yugouliang janë bërë vitalë dhe me ndihmën e grupit të punës për të varfërit, fshati doli nga varfëria vitin e kaluar. (Wang Lei/Artan) foto nga Zhao Zhannan

foto nga Zhao Zhannan/cppfoto.com