Një fëmijëri e rini e vështirë, krijimet e para i nënshkroi si minator e më pas botimi i parë poetik në vitin 1974. Demir Gjergji, një emër i njohur në letrat shqipe, për dy dekada gazetar dhe drejtues i emisioneve të suksesshme në Radio Tirana “Fjala si fillim, Fjala si flijim” dhe “Vatër shqiptare”, është nderuar me shumë çmime vlerësuese për krijimtarinë në poezi e prozë dhe me Medaljen “Naim Frashëri” të Klasit të Dytë (1988) për kontributin e tij në gazetari.

Pjergulla në kupë, poezi nga D. Gjergji (Facebook)

Pjergulla në kupë, poezi nga D. Gjergji (Facebook)

Tashmë në pension, krijimtaria e tij në prozë e poezi ka marë një dimension të ri. Pasionin për radion e poezinë e ka ndërthurur në realizimin në studion e tij “Derada” të montazheve poetike, nga krijimtaria e autorëve të njohur, por më së shumti të rinj, që kanë gjetur tek ai, mentorin dhe promovuesin.

“Njëmbëdhjetë në muaj të tetë…

Shtatëdhjetë e… tatëpjetë,

Bluzë e foshnjërisë më pret,

Dhe një herë ta vesh në jetë!”

Demir Gjergji

CMG: E nisëm bisedën me vargjet tuaja. Urime për ditëlindjen! Për fat të mirë në kohën tonë ka ndryshuar koncepti për moshën. Ndonëse 70 vjeç ka shumë si ju që ende punojnë, krijojnë. Në 70 vjet jetë, sa vite poezi ka Demir Gjergji?

Demir Gjergji: 70 vjet.

CMG: Ke lindur bashkë me poezinë?

Demir Gjergji: Ndoshta dhe më herët, ndoshta që në bark të nënës. Kur më kishte në bark nëna këndonte dhe vazhdoi të këndonte edhe pasi më lindi.

CMG: Nga një autor i njohur në poezi dhe prozë, në një nga zërat e mirënjohur të Radio Tiranës ndër vite. A është radio magjia që nuk ndahet prej jush?

Demir Gjergji me shkrimtarin Ismail Kadare (Facebook)

Demir Gjergji me shkrimtarin Ismail Kadare (Facebook)

Demir Gjergji: Këtë përgjigje do të ta jepja që kur me tetëdhjetë kilogramë shina në krah ecja kodrave të Manzës, duke çuar nëpër galeritë ajrore vagonët e qymyrit që dilnin nga nëntoka. Atëhere dëgjoja radio me një tranzistor 2800 lekësh dhe shinat në krah…

CMG: Pse shinat në krah?

Demir Gjergji: Sepse merrnim shinat në krah dhe i çonim në rrugë malore, që as mushka nuk i ngjiste. Punoja minator në minierën e Manzës. Madje dhe libri i parë më është botuar kur isha minator. Unë mendoja që nëse do të më jepej mundësia të udhëtoja në një faltore, pagodë apo në ndonjë vend të shenjtë, do të thoja të shkoj në studion e Radio Tiranës.

CMG: Një zë i njohur në emisionet e Radio Tiranës, por gjithmonë duke iu referuar medias sociale shoh se vazhdoni veprimtarinë poetiko-radiofonike. Flasim për këtë.

Demir Gjergji: Është studio “Derada” ku prej tre vjetësh unë vazhdoj të kthej në audio, shoqëruar dhe me imazh fotografik apo video krijime të ndryshme. Kam realizuar deri tani 330 autorë, pra 330 cikle poetike që i kam realizuar në studion “Derada”. Cikli i radhës është nga Frederik Reshpja, i propozuar prej një emigranti dhe i sponsorizuar prej tij, me një cikël poezish që mendoj ta realizoj këto ditë.

Poeti Demir Gjergji në një veprimtari kulturore (Facebook)

Poeti Demir Gjergji në një veprimtari kulturore (Facebook)

CMG: Pra ka raste kur njerëzit porosisin vargje të poetëve të tyre të preferuar në studion tuaj?

Demir Gjergji: Ka shumë. Madje njeri prej tyre, Zef Bardhi ka sponsorizuar shtatë autorë. Nga të cilët tre autorë i ka miq të tij dhe katër të tjerë janë autorë të cilëve iu do poezinë.

CMG: Kështu vazhdoni ta ruani lidhjen tuaj me radion.

Demir Gjergji: Po është veprimtari në studio dhe krijimtari në poezi.

CMG: Njeriu me moshë thuhet se bëhet më i urtë, më i qetë, sepse kalon në trotuar të jetës… apo bëhet më tolerant e përzgjedhës ?

Demir Gjergji: Shiko, unë kam qenë një fëmijë trazovaç, sepse nuk linim kovë pusi pa derdhur dhe linim lagjen pa ujë. Mezi e nxirrnin ujin të shkretët me çengela. Prapësitë më të mëdha unë i kam bërë në fëmijëri. Pastaj nga mosha 50 vjeç filluan të më vijnë mendtë dhe në moshën 60 vjeç jam bërë një nga burrat më të urtë, që flas më pak dhe matem shumë kur i bëj gjërat. Kjo më duket se më ka ndikuar dhe në poezi. Kam filluar të matem shumë kur shkruaj poezi, sidomos kohët e fundit. Dhe për ditëlindje shkrova vetëm një strofë.

CMG: Kjo strofë është e mrekullueshme dhe çdo njeri që po i afrohet asaj periudhe të jetës e gjen veten aty. Madje në shqip thuhet “ plaku bëhet si fëmija”

Demir Gjergji: Kam filluar të fëmijërohem në kuptimin e ndjenjës dhe i them gjërat ashtu siç janë, sepse nuk ke çfarë humb apo fiton.

CMG: A është e vërtetë shprehja “Robi s’plaket kur vjen mosha/ Robi plaket kur do vetë” ?

Demir Gjergji: Ky është një varg i Jorgo Papingjit.

CMG: Ne e përdorim shpesh këtë varg për njerëzit që mund të kenë dalë administrativisht në pension, por vazhdojnë të punojnë, të jenë aktivë. Askush madje nuk arrin ta kuptojë që ky njeri i përket moshës së tretë.

A ka një sekret moshimi me shëndet të mirë e dinjitet?

Demir Gjergji në një veprimtari (Facebook)

Demir Gjergji në një veprimtari (Facebook)

Demir Gergji: Unë mendoj se nëse ke një shëndet të mirë fizik dhe mendor, kam përshtypjen se kjo moshë është shumë e rëndësishme për ta shfrytëzuar. Jo për të shkruar kujtime, por për të thënë që përvoja e jetës sime është kjo. Unë mendoj që njeriu duhet të jetë kështu. E ka këtë tagër për ta thënë njeriu, sepse ka kaluar plot 70 vjet. Kujtoj në këtë moshë shkrimtarë dhe poetë të mëdhenj si Tolstoi apo Borgesi në moshën e tretë të tyre, madje ky i fundit dhe i verbër, është bërë një supernovë letrare dhe artistike.

CMG: Ju momentalisht në këto kohë betejash të njerëzimit kundër pandemisë po shkruani, apo keni në plan ndonjë botim?

Demir Gjergji: Unë kam librin e fundit, i fundit për nga radha, që ma ka marë Bujar Hudhri për ta botuar, ashtu si dhe librin e parafundit. Libri ka rreth 350 faqe dhe e kam titulluar “Java e jetës” dhe është ndërtuar në 7 cikle, ku luhet me numrin 7. Këtu flas për shtatën pa zero, jo për moshën time. Një cikël përshembull është “ E hëna, e kuqe në si”, “E marta, blu në la”.

Poeti Demir Gjergji intervistë për CMG

Poeti Demir Gjergji intervistë për CMG

CMG: Pra notat dhe ngjyrat, sepse dhe vetë 7 është një numër i shenjtë.

Demir Gjergji: Po, 7 ditë është koha e krijimit të botës, sipas Biblës. Kjo lloj strukture më ka dhënë arkitekturën e librit, e cila them se është realizuar bukur. Do të thosha një nga realizimet arkitekturore më të bukura të librave që kam botuar.

Intervistoi Eda Merepeza