Alpet shqiptare edhe këtë vit mirëpritën në qafën e Bredelecit, në fshatin Lëpushë të Kelmendit, Logun e Bjeshkëve.
Promovimi i traditave, i bukurive të kësaj zone dhe i vajzave malësore, në territoret shqipfolëse, brenda dhe jashtë kufirit, është fokusi i aktivitetit, që përkon me kthimin në atdhe të emigrantëve të shpërndarë nëpër botë. Pikërisht në këtë log, ku u mblodhën miq dhe banorë të zonës, ka qenë një kishë e vogël, para vitit 1967, në oborrin e së cilës zhvillohej festa, një traditë e trashëguar në shekuj, ku gratë evidentonin bukuritë e paraqitjes së tyre, kurse burrat shkathtësinë në garat e lojrave popullore.
Sot ende tradita ruhet, ku përveç këngëve që vijnë nga thellësia e shekujve, mes alpeve, xhubleta 4000 vjeçare shpalos madhështinë e saj, në trupat e malësoreve të reja, shtatlarta dhe të bukura, të cilat vihen në garë për tu zgjedhur më e bukura prej tyre.
Spektakli, ku marrin pjesë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, promovon turizmin dhe trashëgiminë kulturore të Kelmendit, por edhe krejt Malësisë së Madhe.
Edhe këtë vit Logu e nxori fituesen e vet, ajo është 20 vjeçarja nga Hoti, Luljeta Dekaj, e cila u rëmbeu zemrën spektatorëve të pranishëm, me xhubletën malësore, buzëqeshjen e çiltër dhe bukurinë fizike. Si çdo vajzë konkurrente, Luljeta mbante të veshur një xhubletë të cilën e zotëronte plot madhështi.
Logu i bjeshkëve është një aktivitet me ngjyrime tejet tradicionale dhe rregulla rigoroze. Nëse në konkurimet e tjera të bukurisë, vajzat duhet të shpalosin hiret e tyre me bikini, tek Logu i Bjeshkës, vajzat malësore duhet të mbajnë xhubletën dhe të dinë ta respektojnë atë. Xhubleta duhet të jetë e trashëguar nga nëna apo gjyshja e tyre dhe vajzat duhet të dinë të ecin me xhubletë dhe madje të kërcejnë bukur vallet tradicionale të krahinës.
Kjo nënkupton që pjesmarrja në këtë garë, nuk është thjesht një prezantim fizik, por mbi të gjitha një investim shpirtëror dhe kulturor, i traditave të pasura të kësaj zone, që kelmendasit dhe e gjithë malësia ka ditur t’i ruajë ndër breza.
“Unë trashëgoj xhubletën e gjyshes sime që ka kaluar katër breza. Jam shumë krenare që jam nga Lëpusha, që përfaqësoj Kelmendin. Dua t’ju bëj thirrje të gjithëve që të trashëgojnë veshje kombëtare, kërcimin malësorshe, çiftelinë, lahutën…”, thotë një nga vajzat pjesmarrëse.
Ndërsa një tjetër vazjë e re, veshur me kostumin e saj tregon për ëndrrën e saj…
“Endrra ime shtë që tí ngjaj Norës së Kelmendit”…
Nëse do na duhej të tregonim se si zbriti kjo mrekulli në zemër të këtyre alpeve do na duhej të kthehemi në jetën e banuar të kësaj krahine që përherë u dallua për festime dhe vlera folklorike të veçanta, dalluar nga treva të tjera. Logu i bjeshkëve është një vazhdimësi e festimeve të kësaj krahine që iu desh të ndryshonte sipas jetës politike dhe shoqërore të kohërave. Këtë e thonë kelmendasit që e kanë përjetuar festën dhe ndryshimet e saj.
“Sa për Logun e Bjeshkëve që zhvillohet në fshatin tonë, një nga fshatrat e bukura të zonës së Kelmendit, dikur është pas zhvilluar përmes formave të tjera, përmes kishave. Nuk ka pasë juri, nuk ka pasë trajtime të tjera, por është zhvillu nëpërmjet kishave nëpër logje…”, thotë një nga banorët e vjetër të fshatit, me dialektin e bukur të malësorit kelmendas, që ruan në kujtimet e tij, bashkë me historinë e zonës edhe historinë e festës.
Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Dikur njerëzit në mënyrë formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat apo nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. Ajo personifikohej si e veshur mirë, e pastër dhe shëndetplotë. Ky vlerësim bëhej në momentin që ajo shihej në rrugë për tek burimi i fshatit, apo ceremoni e festa si ajo e të dielës në Kishë. Ajo kthehej në simbol të bukurisë dhe të gjithë mundoheshin ta imitonin në mënyrën se si ajo, vishej, sillej, ecte, këndonte.
Dikur kjo ditë, Logu, kishte karakter fetar dhe zhvillohej ditën e Shna Prenës. Në Malësi njihej si festa e bjeshkatarëve, ndaj kjo festë ka marr emrin “Logu i Bjeshkëve”.
Ndër vite në zonën e Kelmendit ka ekzistuar një “log” që në ato kohëra quhej Logu i Nuseve”, ky “log” filloi në kishat kryesore të fshatrave të Komunës Kelmend: Selcë, Vukël, Vermosh. Nuset merrnin pjesë në këto ceremony dhe mungesë të kishave në katundin e tyre, udhëtonin disa orë për të arritur në meshë. Pas meshës të gjithë banorët e fshatrave organizonin një spektakël që në këtë zonë quhet: “log” (një fushë ku mblidheshin të gjithë banorët e fshatrave për të parë nuset e atij viti që ishin martuar në këto fshatra dhe për të përzgjedhur më të bukurën).
Në vitin 1998 nga “logu i nuseve” ky spektakël u quajt “Logu i Bjeshkëve” ku tashmë nuk janë nuset por vajzat e fshatrave që marrin pjesë në këtë konkurs, jo vetëm bukurie dhe përzgjidhet më e bukura.
Vajzat e reja të Kelmendit, sot e kanë ngjarje të shënuar marrjen pjesë në këtë festë. Përgatitjet janë të shumta. Përvec xhubletës rëndësi ka edhe rregullimi i flokëve, sipas traditës malësore, me kaçurrelat e rregulluara sipas një rregulli të caktuar mbi ballë. Një stilim që merr shumë kohë dhe që nënat e bëjnë me shumë dëshirë për vajzat e tyre.
“Logu” ka mbi të gjitha një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore pasi shfaqet përveç bukurisë edhe trashëgimia kulturore e trevës, veshjet karakteristike, vallet, këngët, instrumentet, lojërat popullore etj.
Mosha e vajzave pjesëmarrëse është nga 15-25 vjeçe.