By passi i ri i Vlorës, ju jep mundësinë që nëse niseni nga Tirana, në më pak se 2 orë e gjysëm të ngjiteni 380 m mbi nivelin e detit, në malin e Shushicës dhe të qëndroni në, një nga toponime e lavdishme të jugut, me histori të vjetër shekullore, qytetërime perandorësh, sulltanësh dhe strategësh.

Sot vërtet është thjesht një fshat i vogël, me 1400 banorë, por një tërheqje e madhe turistike, të ciën ne jua propozojmë si destinacion në një fundjavë vere.

Me makinë mund të shkoni, ose duke ndjekur rrugën e vjetër, 6 km, një rrugë lokale që lidh Vlorën me Kaninën, ose duke ndjekur By Passin e ri, që e shmang hyrjen për në Vlorë, por nisni ngjitjen drejt Shushicës. Rruga është vërtetë impresionuese, sepse duke iu ngjitur malit, deti do ju shoqërojë gjithmonë në të djathën tuaj, duke orfuar pamje spektakolare. Rruga është e re, e sigurtë dhe mjaft e mirë. Por duhet bërë kujdes, sepse malorja është aq e theksuar, sa për nga vështirësia e ngjitjes, ju duket se po ngjitni një “Llogara të dytë”. Por asnjë motiv nuk mund t’ju pengojë që mos ta vizitoni Kaninën e bukur me kalanë e saj dhe të takoni banorët që janë mjaft mikpritës.

Fshati Kaninë është një fshat me një sipërfaqe prej rreth 44 km2 dhe shtrihet në juglindje të Vlorës, me një pamje të veçantë mbi gjirin e Vlorës. Ka reliev malor që shquhet për peizazhet natyrore me vlera të larta, si dhe një natyrë të padëmtuar. By Passi që kalon në mes të fshatit, është aq i ngushtë, një kalimsh dhe duhet të prisni semaforin të kaloni. Ulni shpejtësinë e makinës! Makina do të përshkojë rrugën e ngushtë, ku do të shihni vendasit të ulur buzë lokaleve të vogla të fshatit.

Fshati ka furrën e tij të bukës, disa dyqane dhe madje edhe dy parukeri. Nga Kanina, ju duhen vetëm 10 minuta me makinë për të zbritur në qytetin e Vlorës dhe pak më shumë për të arritur në plazhe. Ajri në Kaninë është i pastër dhe i freskët në verë. I ftohtë në dimër.

Fshati është një pikë periferike dhe përtej tij nuk ka qendra të tjera të banuara. Ai është ende i virgjër dhe është prekur fare pak nga zhvillimet urbanistike të njëzet viteve të fundit. Kjo e bën Kaninën shumë interesante për tu vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Çfarë të bëni në Kaninë

Një vizitë nw Kalanë e Kaninës ku diapazoni i pamjes së gjerë do t’ju japë mundësi të fotografoni nga Babicave ,Selenica, Narta dhe deri në Karaburun, është e domosdoshme. Kalaja ka patur funksion mbrojtës për bashkësinë e ilirëve amantë qysh nga periudha antike. Arkeologët kanë specifikuar mure të periudhave të ndryshme historike. Rindërtime janë bërë në shekullin e III dhe të XV. Nga 14 kulla të fortifikimit të saj, sot, ruhen vetëm tre të tilla.

Janë të shumta historitë e mbështjella në formë legjendash për këtë kështjellë. Nga ato mund të veçojmë ato për princeshën Rugina, për princin Aleksandër si dhe atë të martesës së Donika Arianitit me Skëndërbeun, apo vizitën e Sulejmanit të madhërishëm.

Fortesa malore e Kaninës, e drejtuar lart, drejt qiellit, ka forme trekëndore. Nga te gjitha anët- ajo është e rrethuar me gremina e humnera plot shkrepa e shkëmbinj.

Më pas një kafe në kafenenë e fshatit ku përveç detit, do të sodisni dhe plantacionet mbushur me ullinjtë. Kalinjotë, janë ndër kultivuesit më të mirë shqiptarë. Mijëra rrënjë ulliri janë pronë e vendasve dhe krijojnë një kurorë të bukur përreth fshatit. Ullinjtë janë pasuri e fshatit. “Po lëngoi Vlora, e shëron Kanina, por po lëngoi Kanina nuk e shëron Vlora”, thotë një shprehje e vjetër që vendasit u pëlqejnë ta kujtojnë herë pas here, jo pa krenari, duke vënë në pah, vlerën dhe rëndësinë historike dhe potencialin ekonomike që kishte Kanina për gjithë zonën.

Çfarë dhe ku të hani?

Mund të hani tek “Shpella e fikut”, një ndër vendet më të mira për të vëzhguar qytetin e Vlorës nga lart. Stafi është i sjellshëm dhe i vëmendshëm, ata flasin rrjedhshëm edhe në anglisht, gjë që ndihmon sidomos turistët e huaj për të bërë zgjedhjen e duhur në porosinë e ushqimit. Vatra kaniniote është përherë e ngrohtë. Tradicionale aty është kulaçi, byreku me lakra të egra, zogj në tavë, vaji i ullurit, reçeli i fikut dhe gjalpi i tundur në dybek.

Ky fshat ka një potencial të lartë agro-turistik lidhur kjo me markën e vajit të ullirit “kalinjot”, me produktet lokale të mishit, bulmetet dhe pemëtarinë etj.

Ku të flini?

“Vila Amantia” është një ndër propozimet ku mund të flini. “Vila Amantia” është një shtëpi guri e vendosur në fshatin historik të Kaninës. “Vila Amantia” është në pronësi të Konsullit të Nderit Shqiptar në Kopenhagen Hans-Georg Nielsen, i cili e ka rinovuar vilën 10 vjet më parë.

“Vila Amantia” ka një pamje madhështore drejt qytetit të Vlorës, Gjirit të Vlorës dhe detit Adriatik. Vila ka 4 apartamente, një kuzhinë e madhe të përbashkët, një tarracë dhe një kopsht. Një natë qëndrimi, për një dhomë dopio, kushton 100 euro. Ju mund të merrni me qira të gjithë vilën ose vetëm një ose më shumë nga 4 apartamentet, sigurisht me një çmim më të reduktuar.

Tjetër vend akomodues, që rekomandojmë është “Vila Luiton”, që ofron një ballkon me pamje nga kopshti, një kopsht të lulëzuar dhe një tarracë panoramike. Gjendet 3.5 km nga Plazhi i Vjetër. E tërë vila kushton me qera 150 euro për një natë dhe ka dy dhoma gjumi, një dhomë ndenje me kuzhinë. Mund të akomodojë deri në 6 persona. Një vend shumë i përshtatshëm sidomos për familjet me fëmijë pasi vila ka edhe shumë kafshë shtëpiake, me të cilat fëmijët kënaqen.

Aktivitete të tjera

Pozicioni në lidhje me malin e Shushicës dhe lidhjet e drejtpërdrejta me qytetin e Vlorës, e bëjnë një pikë ideale për sportet e alpinizmit dhe marshimit në natyrë “tracking”. Aktualisht Kanina është pikënisja për sportin e parashutizmit.

Vlerat natyrore thuajse të paprekura për aktivitet rekreative mbi observimin e natyrës, monumentet dhe arkitektura karakteristike e fshatit dhe e kalasë e bëjnë një vend të përshtatshëm për zhvillimin e aktivitete kulturore si: festivalet kulturore dhe tradicionale, por edhe përsa i përket vizitave të organizuara në monumentet e kulturës, historike, fetare etj.

Dy festat më të rëndësishme të fshatit, janë “Kanina feston” çdo 22 prill dhe “Festa e gjeneratave”, çdo 15 gusht. Të dyja festat organizohen në Kalanë e Kaninës dhe janë një ftesë e bukur për të gjithë turistët, vendas dhe të huaj.

Neritana Kraja