Banorët e Durrësit u ndjenë si në një udhëtim magjik, ndërsa një mëngjes gushti gjetën rrugët e qytetit, të shkruara me vargje poezish. Në vend të vizave të bardha, ata lexuan vargje apo citime librash, duke i kthyer simbolikisht, rrugët e Durrësit turistik, në fletë librash.

500<br>

500

Në fakt është një dizajn urban, por që lexuesve u sjell në mëndje poezitë më të mira të Kadaresë, apo citimet më të bukura të Rexhep Qoses dhe të shkrmitarëve të tjerë shqiptarë.

Këto vargje mbi asfalt, janë jo vetëm imazh estetik dhe artistik, por dhe një mënyrë e re komunikimi, që jep një mesazh të caktuar sidomos për të rinjtë. Ky dizajn urban dhe që është një risi, i sjell në kujtesë njerëzve librin, e po kështu ky art urban është një mjet që miqëson më shumë qytetarët dhe pushuesit e shumtë me qytetin.

Nga ana tjetër, një ide po kaq e bukur bukur novatore gjatë kësaj vere, ka lindur edhe në Korçë. Në rrugët e qytetit të Korçës janë vendosur biblioteka me libra, ku të rinjtë dhe lexues të çdo moshe mund të marrin një libër dhe ta këmbejnë me një libër të tyrin, duke stimuluar leximin e librave në natyrë.

500

Me anë të kësaj nisme arrihet inkurajimi i të rinjve për të përqafuar botën e letërsisë dhe për t’i bërë thirrje atyre për tu larguar nga ekranet teknologjike dhe të rikthehen pranë mikut më të mirë, librit. Po si funksionon “Biblitoteka në Natyrë”?

Të rinjtë ose lexuesit e çdo moshe nëse shikojnë një libër që dëshirojnë ta lexojnë mund të marrin. Pasi mbarojnë së lexuari librin duhet ta kthejnë përsëri dhe nëse mendojnë që kanë një libër që duhet ta lexojnë edhe të tjerët, ta ndajnë atë. Në fund pasi ta lexojnë librin të shkruajnë një mesazh për lexuesin pasardhës.

Këto në fakt janë dy risi origjinale të verës, për të afruar sa më shumë lexues të rinj të libri. Ndërsa për lexuesit besnikë, edhe kësaj vere kanë funksionuar më së miri mbrëmjet e poezisë, ku në qytetet turistike, poetë, aktorë dhe thjesht dashamirës të leximit, kanë lexuar poezi e pirë një gotë verë, duke i bërë mbrëmjet e tyre tejet poetike dhe të mezi pritura. Po cilët janë titujt që u propozohen lexuesve këtë sezon?

Ne kemi përzgjedhur gjatë kësaj vere 12 autorë shqiptarë. Kjo përzgjedhje është bërë mbi kërkesat e lexuesve, sjelljen e lexuesit të specializuar, vlerësimet që kanë pasur autorët dhe së fundi, bazuar edhe mbi shijet e atyre që i kanë përzgjedhur këto libra, referuar websitet të specializuar të librit on line www.leximtari.al

“Biri” nga Flutura Açka

Ky libër, është një nga librat më të kërkuar përgjatë 18 muajve të fundit. Ky “udhëtim” tronditës, më i vështiri i jetës së autores Flutura Açka, si qenie dhe si shkrimtare, për humbjen e birit të dashur, është njëherësh një thirrje për vlerën e jetës dhe dashurisë njerëzore.

“Kutia e Agatha Christie-t” nga Mira Meksi

Një dashuri e jashtëzakonshme feks në sfondin e errët të ngjarjeve politike në Shqipërinë e viteve 1923-27. Lojëra politike, interesa shoviniste, intriga agjenturore dhe tradhti të gjakta kërcënojnë jetën e të dashuruarve.

“Flama” nga Tom Kuka (Pseudonim)

Tom Kuka, alias Enkel Demi, ka mrekulluar lexuesit e tij në këtë rrugëtim autorial me katër novela. Këto libra janë vlerësuar me çmime, ku pak javë më parë u vlerësua edhe me Çmimin Europian të Letërsisë.

“Historia si një mushkë” nga Besnik Mustafaj

Veçantia e këtij libri sipas shkrimtarit qëndron jo vetëm se ai rikthehet tek zhanri i novelës pas shume vitesh, por edhe vazhdimësia për të kuptuar rolin e individit në historinë shqiptare, e në këtë rast ai hulumton mbi origjinën e dhunës tek shqiptarët.

“Fluturimi i fundit” nga Brunilda Zllami

Bukuria e këtij libri shfaqet më së shumti në pikturimin e personazheve, kaq të vërteta, sa të duket se i ke njohur, që lidhen në histori e të rrëmbejnë në një udhëtim marramendës, duke jetuar ditë për ditë me ta, duke u përfshirë fuqishëm dhe duke ndjerë çdo emocion, dhimbje e dashuri të tyre.

“Kronikat e mjegullës” nga Bashkim Hoxha

Përmes historisë që ka sjellë autori, për një familje të pasur në tre breza dhe raportet që ata vendosin me të tjerët, ku përballë është jeta e vajze të varfër, në përpjekjen për ti shpëtuar fatit tragjik ku e ka hedhur jeta, vjen e gjithë historia e këtij vendi; me të gjithë dramaticitetin, komedinë dhe tragjedinë bashkë.

“Bijat e gjeneralit” nga Mimoza Hysa

Romani “Bijat e gjeneralit” i autores Mimoza Hysa trajton raportin mes brezave në një periudhë kritike si ajo e para viteve ’90 dhe me një sens të fortë kritik për gabimet e të shkuarës.

Mjeshtrisht, autorja ka arritur të ndërtojë një raport distancues dhe të papajtueshëm mes brezave, brenda në një familje, ku autoriteti i prindit ka qenë absolut.

“Mos harro të më kujtosh” nga Liridon Mulaj

Ky roman ndërton mjeshtrisht historinë e personazhit të zakonshëm, atij të rëndomtit, që lufton për të mbijetuar. Ai nuk i shpëton fatalitetit të familjes dhe traditës së tij , pra nuk arrin që të çlirohet nga kthetrat e vuajtjes.

“800 hapa larg Venerës” nga Virion Graçi

… “800 hapa larg Venerës” është rrëfim i jetës së Kristoforit nëpërmjet shpirtit të tij, pas vdekjes së parakohëshme. Shpirti ndahet nga trupi i tij dhe nis jetë të re në natyrë, nëpër shkurre, shtylla, pemë. Libri është rrëfim prekës, meditim i fuqishëm për jetën, humor i zi për dashurinë, për erosin, për vdekjen dhe përjetësinë.

“Gruaja që deshe” nga Ridvan Dibra

Ridvan Dibra vazhdon të flasë në mënyrë të heshtur përmes veprës së tij, e cila është një reflektim i thellë i realitetit që shohim dhe jetojmë secili prej nesh, i veshur me velin e rrëfimtarit të sprovuar postmodernist, si pakkush në letrat shqipe.

“Hija e mbretit” nga Viktor Canosinaj

Ky roman trajton raportet e individit me pushtetin. Është një roman kushtuar lirisë, dashurisë dhe kurajës njerëzore për t’u përballuar me të keqen.

“Thika pa gjak” nga Zija Çela

Nëse jeni në kërkim të leximit të një libri me tregime të mira, që ta përpini brenda pak orësh dhe pas leximit, të merrni një leksion të fortë jete, padyshim, ky libër është i duhuri. Këto tregime, sjellin shqetësime jetësore, trazime e reflekse meditative të njerëzve që duan të shprehen për brengat e tyre të thella, plagët metaforike të thikave pa gjak.

Këto ishin propozimet tona të autorëve shqiptarë, të librave që mund t’i lexoni gjatë verës. Ju urojmë një verë të bukur dhe lexim të këndshëm!