Njihuni me tre lagje tipike, të vjetra, karakteristike dhe muzeale, ndër më të vizituarat dhe interesantet, që ndodhen në tre qytete ikonike shqiptare.


Gjuhadol

Gjuhadol

Gjuhadoli - Shkodër

Gjuhadoli ose Gʼjuhadoli, është një rrugicë e veçantë për shkodranët. E shtruar me kalldrëm dhe me ndërtesa një ose dykatëshe, me ballkonet karakteristike, me lulet e lokaleve dhe arredimin e bukur të vitrinave të bizneseve, ajo tërheq shumë shpejt vëmendjen e turistëve.

Nis nga Truma e Dugajve të Reja deri tek Kisha e Madhe. Një rrugë e mbarsur me dashuri, histori, art dhe kulturë.

Gjuhadol.

Gjuhadol.

Në këtë rrugicë kryesisht jetojnë familje të vjetra, që janë komshinj prej më se 100 vitesh. Në skutat karakteristike të kësaj rrugice familjare, përzihen natyrshëm hapat e lehtë të turistëve, që bëjnë fotografi apo ulen për të konsumuar diçka, me tingujt e muzikës jazz e bluy që është aq familjare për banorët e saj, sa edhe muzika e vërtetë qytetare me jaret e saj…

Pjesa më e madhe e bizneseve, janë aktivitete të vogla familjare, që mbështeten tek shërbimet dhe bar hoteleria. Këtu gjen dyqane arti, suvenire, luleshitës, rrobaqepës, pastiçeri, biçikleta me qera, guida turistike, bar kafe dhe hotele të vogla, po mjaft të frekuentuara. Nëse doni ta prekni zemrën e qytetit, udhëtimin duhet ta nisni nga aty.

Lagjia Gjuhadol

Lagjia Gjuhadol

“Gjuhadoli” është ndër më të vjetrat e qytetit të Shkodrës.

Ne vitin 1923, Gjuhadoli përmendet nga autoritetet si një ndër 30 lagjet që kishte qyteti i Shkodrës. Dikur në këtë lagje kishin rezidencën konsullatat e huaja që qëndronin në Shkodër, ndërsa vlen të thuhet se prej shekullit të XVIII atje ka qenë shtëpia e familjes Gurakuqi nga ku rrjedh patrioti i njohur Luigj Gurakuqi.

Duke shëtitur nëpër lagje do të shihni Kishën e Gjuhadolit, ku u formua edhe Kuvendi Françeskan, në të cilin bënte pjesë edhe At Gjergj Fishta, që është rivarrosur atje në vitin 1996. Kjo lagje është kaq sublime, historinë mund ta prekësh me dorë. Këtu janë përshkruar në të përditshmen e tyre At Shtjefën Gjeçovi, Koliqi, Migjeni, Shiroka, Zamputi, Kamsi, e shumë të tjerë. Ky fakt i jep lagjes një tis enigme e madhështie njëkohësisht. Në këtë lagje ka kujtesë.

Gjuhadoli është i bukur dhe intrigues në çdo stinë të vitit, por sidomos mbrëmjet e verës këtu janë magjike. Nëpër rrugica të tilla janë krijuar vepra të mëdha, vlerë e kulturës sonë.


Muradie

Muradie

Muradije – Vlorë

Lagjia Muradie është një lagje e vjetër dhe sharmante e qytetit. Kur i afrohesh qendrës së Vlorës, me xhaminë dhe kodrën e bukur përballë, ku ndodhet Kuz Babaja, kjo lagje i jep frymëmarrje qytetit.

Muradia, xhamia dhe Kuz Babaja janë shenja elegante të historisë dhe karakterit të qytetit, ku përzihet otomanja e vonë me stilin e fillimshekullit të 20.

Me këto shtëpitë karakeristike nuk është i lidhur vetëm imazhi i qytetit, historia e tij, por edhe historitë familjare, brezat dhe trashëgimia personale.

Muradie

Muradie

Ajo mori jetë në mesin e shek.XIX. Rruga që kalon mes për mes saj, fillimisht është njohur si "Rruga e kafeneve", më pas në 1912, u njoh si rruga "Liria", pasi aty kaluan delegatët që ngritën flamurin në Vlorë dhe po ashtu Isa Boletini me trimat e tij. Në vitin 1921, ajo mori emrin që mban edhe sot rruga "Justin Godard", për nder të këtij politikani francez, i cili ishte mik i shqiptarëve si dhe mbrojti çështjen shqiptare në Konferencën e paqes në Paris.

Kjo lagje përbëhet nga një sistem i rregullt arkitekturor, me ndërtesa dy dhe tre katëshe nga të dy anët e rrugës, me sistem ndriçimi mjaft të mirë.

Muradie

Muradie

Çdo godinë në të dyja anët e rrugës Muze ka historinë e saj.

Këtu ndodhet shtëpia e patriotes Marigo Posio, vajzës që qëndisi flamurin, libraria e parë që u hap në vitin 1936 nga një grup njerëzish të kulturuar, hotel Europa ku rreth viteve ’20- ’30, mblidheshin 12 bejlerët e Vlorës dhe ku mund të gjeje 12 filxhanë floriri për secilin prej tyre, Godina Bombej, e cila në vitet ’20 u shndërrua në një hotel shumë luksoz për kohën, hotel New York e që ndërroi emërtimet sipas pronarëve që e merrnin me qera ose e blinin.

Dikur ka qenë edhe një sinagogë si dhe godina e Klubit Labëria, që sot ka funksionin e Muzeut Etnografik të Vlorës.

Pjesë e historisë së lagjes, janë edhe ndërtesa që nuk janë më si, psh Shtëpia e Sharrajve. Kjo godinë është ndërtuar në vitin 1880, dhe është prishur 100 vjet më vonë rreth viteve ’80-të. Kur kjo godinë u ndërtua për herë të parë, në fasadën e saj u montua edhe një orë diellore, që në atë kohë ishte ora e vetme e Vlorës.

Vlerat më të mëdha kjo shtëpi i merr në vitin 1912, kur u ngrit Flamuri në Vlorë, pasi në këtë shtëpi u strehuan 3 ministra; gjithashtu në 27 Nëntor 1912, në këtë shtëpi fjeti Ismail Qemali.

Në këtë lagje, dikur nëpër godina të mëdha e luksoze, prona njerëzish të pasur dhe me reputacion, kanë jetuar mjekë të njohur, avokatë, farmacistë, sipërmarrës italianë të atyre viteve, të cilët gjetën në këtë lagje qetësi, traditë, qytetari dhe respekt, duke u bërë pjesë e një historie që sot e kujtojmë me respekt. Sot kjo lagje, tërësisht e restauruar, është këndi më atraktiv i qytetit. Bare, restorate, agjenci turistike, enoteka, të arreduara me plot shije dhe ngjyra, një atmosferë tipike e Medheut, që ju fton në të gjitha stinët e vitit.


Qafa e Pazarit

Qafa e Pazarit

Qafa e Pazarit – Gjirokastër

E ndërtuar mbi 500 vjet më parë, Qafa e Pazarit është një nga lagjet më të vjetra të Gjirokastrës, që shtrihet gjatë mureve të kalasë. E bukura e tij, qëndron në faktin se është ndërtuar në një terren të pjerrët, duke e bërë shumë te veçantë dhe të gëzueshëm shëtitjen në Pazar.

Shkuarja në Pazar, dikur ritual jetese, ndërsa sot atraksion turistik, është ndër kujtimet më të bukura që mund të merret nga Gjirokastra.

Qafa e Pazarit

Qafa e Pazarit

Të gjitha kalimet mblidhen këtu dhe shpërndahen më pas, në të gjithë qytetin. Çdo vizitë në Qafën e Pazarit, është si një takim me të shkuarën. Ndjesia fillon që tek arkitektura, fasadat e deri tek objektete tradicionale që tregtohen si suvenirë nga turistët e shumtë.

Që në momentin e parë, vendosja e traut që lejon vetëm këmbësorë paralajmëron në mënyrë simbolike shkëputjen nga jeta moderne urbane, në një zonë që duket se ka “ngrirë në histori”. Objekte, ndërtesa, produkte, që mund t’i kemi njohur përmes fotove, mbushin hapësirën dhe prezantojnë një periudhë të rëndësishme të identitetit të zonës.

Qafa e Pazarit

Qafa e Pazarit

Historia e tij kalon mes historisë personale të banorëve të hershëm të tij, të tregtarëve dhe njerëzve të mirë, qytetarë dhe të ndershëm, të kulturuar dhe patriot, që ditën ta mbrojnë strehën e tyre edhe kur rrezikoi zhdukjen.

Thuhet se një zjarr i madh e shkatërroi Pazarin e Vjetër, por grinta e gjirokastritëve e ngriti sërish Pazarin me lagjen e tij, që sot është pika më atraktive e qytetit.

Në të dyja anët e Pazarit gjenden ndërtesa identike 2 – 3 katëshe. Rrugët janë të shtruara me kalldrëm dekorativ ndërsa vitrinat e dyqaneve janë thjesht të mrekullueshme.

Pas tyre, si dikur, vijon jeta e thjeshtë e gjirokastritëve, duarartë dhe nikoqirë. Punime delikate me dorë, qëndisma e të thurura me grep, perde dhe qilima, punime në dru, punime arti, piktura dhe suvenire, berber, kasap dhe kafene janë vitrinat që shoqërojnë turistët. Po ashtu, sot kanë marrë jetë bujtinat dhe hotelet. Këtu gjen gjithçka që duhet të dini për një lagje të vjetër, që ka ditur të ruajë identitetin e saj.

Jehona e gojëdhënave dhe legjendave duket se vërtitet nga njëra bujtinë në tjetrën, autoktone, të një lagje muzeale, që qëndron fort pavarësisht epokave moderne që e ndjekin pas.

Neritana Kraja