Plazh, miq të mirë dhe diell, është ajo që çdo pushues kërkon, por nëse në hallakatjen verore të pushimeve gjen edhe ca tinguj të mirë muzike, ca koncerte me muzikë moderne apo popullore, ku mund edhe të kërcehet, ekrane në natyrë ku shfaqen filma, apo festa tërësisht tradicionale, atëherë ekzaltimi i turistit është edhe më i madh.

Koha e pushimeve, është koha e zhvendosjeve të mëdha. Kthehen emigrantët e studentët, vijnë turistët e huaj, por edhe ne vetë, kemi prirjen për të lëvizur diku, apo për të bërë diçka. Kjo është arsyeja që aktivitetet artistike që zhvillohen gjatë sezonit të verës, sigurojnë masivitet në pjesmarrje dhe kthehen në festa të bukura gjithë përfshirëse.

Festa

Festa

Koha e pushimeve është e duhura për të shijuar edhe art e kulturë, madje arkëtimet që vijnë sidomos nga muzetë dhe galeritë e artit gjatë kësaj periudhe, sipas statistikave janë më të lartat e një viti. Por listës së muzeve dhe galerive, ne do ju shtojmë edhe disa aktivitete atraktive, të cilat u kthyen gjatë kësaj vere në promotor të inkurajimit të turizmit.

Kinema e hapur, nuk ka gjë më të bukur se të shohësh filma, poshtë vezullimit të yjeve të verës. Kinemaja shëtitëse, udhëtoi në çdo destinacion turistik shqiptar, duke promovuar vlerat e filmave, duke zgjuar nostalgji, por edhe duke krijuar mundësi takimi me protagonistët e filmit. Ky projekt artistik, por edhe analogu i tij, i zhvilluar posaqërisht për fëmijë, i dha mundësi turistëve të të gjitha moshave dhe kombësive, ta njohin Shqipërinë edhe përmes kinemasë së saj. Tiranë, Gjirokastër, Pukë, Durrës, Korçë, etj, janë vetëm disa nga qytetet ku kinemaja shfaqi magjinë e saj.

Muzika jazz, operistike dhe instrumentale, sigurisht ishte ideja më e mirë e kësaj vere, për të mbledhur turistët dhe promovuar Shqipërinë.

Mik festival në Korçë

Mik festival në Korçë

“Mik Festival”, organizura në Korçë, me pjesmarrjen e shumë artistëve ndërkombëtar, “Za Fest”, i organizuar në kalanë “Rozafa” të Shkodrës që ka nisur rrugëtimin 5 vjet më parë në Theth për të zbuluar thesaret e folklorit shqiptar, ku ndërthure bashkë muzika, legjendat, poezia dhe kinemaja, si dhe “Festivali i Muzikës Jazz”, me artistë shqiptarë dhe të ftuar nga bota, i zhvilluar po në këtë qytet, Mbrëmjet Koncertale me muzikë instrumentale të organizuara në Durrës, janë ndër prurjet muzikore më të mira dhe elitare, të këtij sezoni veror. Këto aktivitete sollën në Shqipëri artistë të vërtetë ndërkombëtar, dhuruan spektakël për publikun e rafinuar turist, dhe shërbyen si magnet turistik për agjenda të tjera në të ardhmen.

Muzika Tradicionale është padiskutim, më përfshirësja dhe përfaqësuesja e pasurisë shpirtërore të një populli. Ritmet e saj janë mjaft energjike dhe atmosfera që krijon e jashtëzakonshme. Pikërisht një atmosferë e tillë ka shoqëruar gjatë gjithë sezonit.

Bashkia e Tiranës i ka dhënë shumë rëndësi sezonit turistik veror 2021 me synimin që Tirana të promovohet si qytet me të gjitha vlerat e saj folklorike, historike dhe më tej.

Pjesë e kësaj fushate të promovimit të kryeqytetit janë disa evente, ku ne po veçojmë “International Folk Festival Tirana” (Festivali Folklorik Ndërkombëtar i Tranës) si dhe Koncertet e mbajtur pranë Amfiteatrit të Liqenit Artificial, me këngëtarë të njohur.

Nga shfaqjet në Amfiteatrin e Tiranës

Nga shfaqjet në Amfiteatrin e Tiranës

Në festivalin ndërkombëtar morrën pjesë rreth 83 shtete nga mbarë bota duke prezantuar kulturën dhe traditën e tyre, sidomos për sa i përket folklorit me anë të valleve, këngëve dhe muzikës. Aktivitetet u mbajtën në pikat dhe vendet turistike të Tiranës dhe u transmetuan në të gjitha vendet pjesëmarrëse, duke promovuar trashëgiminë kulturore të Tiranës dhe duke kënaqur publikun.

Po kështu artistë të mirënjohur shqiptar që jetojnë në vend, por edhe emigrant, vera i ka sjellë në skenën e përbashkët të Tiranës, në koncertet e përnatshme në Amfiteatër. Këngëtarë si Gëzim Nika, Ermira Babaliu, Eranda Libohova, Juliana Pasha, janë vetëm disa prej tyre.

Festat tradicionale, janë një kënaqësi e shtuar e kësaj vere. Nuk janë të organizuar nga institucione të mëdha e të rëndësishme, por nga komuna të vogla fshatrash apo qëndrash turistike, të cilët herë pas here për të mbajtur të ndezur interesin e turistëve, angazhojnë artistë amatorë, vajza dhe djem të rinj, të veshur me kostumet tradicionale të zonës, për të kënduar dhe kërcyer traditën e tyre. Këto festa të vogla duket sikur lindin rastësisht, e po kaq rastësisht përqafohen nga turistët të cilët duan të marrin një kënaqësi dhe kujtim më shumë nga Shqipëria.

"ZA Fest" në Shkodër

"ZA Fest" në Shkodër

Të jesh turist, nuk do të thotë të marrësh prej aty vetëm diellin edhe detin, gjelbërimin dhe bjeshkët, por edhe të eksplorosh shiprtin e vendasve, e t’u bashkohesh gëzimeve të tyre, siç ndodh përshembull me “Logun e Bjeshkëve”, që çdo vit organizohet në Malësi për të zgjedhur vajzën më të bukur, përmes një rituali fantastik ngjyrash dhe zakonesh.

Një ngjarje artistike është një manifestim i aftë për të tërhequr një publik të mundshëm, për një periudhë të shkurtër kohore, duke e përqendruar atë në një destinacion të caktuar. Prandaj gjithnjë e më shumë ata me të drejtë konsiderohen një motiv i vërtetë pushimi për udhëtarët.

Këto ngjarje artistike gjenerojnë prurje të reja turistike, forcojnë famën dhe imazhin turistik të destinacionit dhe zbatojnë veprime promovuese dhe marketingu për destinacionin. Prandaj me të drejtë mund t’i quajmë: magneti i turizmit!

Neritana Kraja