Pjetër Lala është nga Mirdita dhe nuk ka marrë mësime as në Liceun Artistik dhe as në Akademine e Arteve. Ai është piktor autodidakt dhe etapat nëpër të cilat ka kaluar jeta e tij janë të lidhura ngushtë me talentin. Megjithëse nuk pati mundësi të studionte për pikturë, Pjeter Lala duket i mirëinformuar në lidhje me artin e pikturës. Ai njeh shumë mirë termat, teknikën, por edhe historinë e artit. Në një intervistë për CMG, Pjetri na tregon për rrugëtimin e tij me pikturën dhe pasionin që ai ka për këtë profesion.

Pjeter Lala ne interviste per CMG

Pjeter Lala në intervistë për CMG

CMG: Ju keni vite që realizoni portrete ku në fillim e keni nisur në rrugë, ndërsa tani keni studion tuaj. Edhe pse nuk keni studiuar për pikturë, falë talentit tuaj jeni bërë piktor i dashur për të gjithë.

Pjetër Lala: Unë jam piktor autodidakt dhe fillimet e mia i kam që kur kam qenë në shkollë të mesme ku kam bërë portrete me anë të fotografisë, por edhe drejtpërdrejt me personin. Për herë të parë kam punuar në Ulqin drejtpëdrejt me popullin dhe pastaj për tre vite kam punuar në Prishtinë, ndërsa në Tiranë kam rreth 15 vite që punoj si piktor i rrugës, ndonëse kam pasur herë pas here studio ku edhe sot e kam studion. Edhe pse kam studion, prapë në rrugë mund të punoj sepse takohem me klientët, të cilët pozojnë drejtpërdrejt. Kjo është një punë që më pëlqen.

CMG: Kur dikush të kërkon t’i realizosh një portret, thjesht të sjellin fotogtafinë apo ka edhe nga ata që duan të jenë vetë prezent?

Pjetër Lala: Shumë më mirë është me qenë prezent personi, por disa njerëz kërkojnë një fotografi me shumë persona, atëhere duhen patjetër fotografitë dhe unë bëj njëfarë montazhi ku i vendos fotografitë secilën në pozicionin e vet, por më mirë është të jetë vetë personi. Para shumë vitesh kam punuar live më së shumti sepse fotografi kishte më pak, sepse dhe aparat fotografik nuk kishin të gjithë. Ndërsa tani kanë të gjitë telefona dhe më thonë këtë foto e dua. Edhe pse është vetë prezent dëshiron atë fotografi që i pëlqen dhe unë duhet ta realizoj sepse këtë punë kam.

CMG: Sa kohë i kushtoni një portreti për ta realizuar?

Pjetër Lala: Një portret live unë e realizoj për 30 deri në 40 minuta me ngjyra, ndërsa një portret bardh e zi e bëj për 20 minuta kur personi është aty, ndërsa me fotografi varet sipas rastit sepse mund ta bëj edhe për 30 minuta, por ndoshta edhe më shumë. Kjo sepse merrem edhe me ndonjë punë tjetër dhe më vonë vazhdoj prapë, pra kur nuk e kam prezent personin.

CMG: E keni trashëguar nga dikush tjetër nga familja këtë talent?

Pjetër Lala: Talentin unë e kam pasur që në shkollën 8 vjeçare, të cilën e kam mbaruar në Krumë të Hasit. Meqenëse zona e Fanit nga unë vij ka qenë pjesë e Kukësit atëhere dhe unë mbarova arsimin 8 vjeçar në Krumë. Atje kishim një mësues, Bardhok Pjetri i cili më jepte mësim si në lice, ndërsa në gjimnaz vazhdova me portretin sepse e kisha pasion dhe kam bërë portrete edhe të disa pleqve me anë të fotografive të vjetra. Atëhere kam punuar edhe si fotograf për dy vite dhe e njoh mirë edhe fotografinë me letër mat, që ishte atëhere.

Pjeter Lala duke pikturuar ne rruge

Pjeter Lala duke pikturuar ne rruge

CMG: Shoh që në studion tuaj mbani dhe aparatin fotografik, pra jeni i apasionuar edhe pas fotografisë?

Pjetër Lala: Unë vërtetë jam i apasionuar pas fotografisë dhe kam dhe një aparat fotografik profesional me film sepse të punoj me film më pëlqen dhe më duket interesant. Shpesh herë bëj fotografi me film dhe digjitale, por është më interesante me film.

CMG: Keni synuar më përpara që të studioni në Liceun Artistik apo Akademinë e Arteve për picture, duke parë se kishit talent?

Pjetër Lala: Në ato vite nuk kam tentuar sepse kishim një çështje të biografisë edhe pse kisha bërë kërkesa, por ishte e pamundur. Kurse më vonë më ranë edhe punët dhe hallet dhe familja dhe ishte pak më e vështirë për mua. Kur isha në Tiranë bisedova me një profesor të Liceut dhe i thashë se kisha dëshirë të vazhdoja Akademianë e arteve. Ai me myeti se për çfarë më duhet dhe i thashë se dua të dal piktor, dhe ai më tha se piktor ti je dhe është kot të vazhdosh shkollën, se vetëm para do shpenzosh.

CMG: Gjatë gjithë këtyre viteve ju keni realizuar mijëra portrete, por edhe piktura të ndryshme. Keni menduar ndonjëherë të hapni një ekspozitë vetjake?

Pjetër Lala: Portretet që unë realizoj zakonisht i marrin personat dhe nganjëherë mezi presin sa t’i mbaroj. Unë kam marrë pjesë në ekspozita të ndryshme, jo personale, por me ekspozita kolektive, me studentë apo dhe me piktorë të tjerë. Ekspozitë vetjake kam plan që të hap në të ardhmen, por duhet të kem disa punime të realizuara në disa kohë.

CMG: Si kanë qenë reagimet e atyre personave kur kanë ardhur për të marrë portretin, që ju keni realizuar?

Pjetër Lala: Në përgjithësi punët që kam bërë ju kanë pëlqyer shumë. Disa kohë kam punuar edhe jashtë shtetit si në Bruksel, Shkup, Kosovë dhe Ulqin. Të huajt i pëlqejnë shumë portretet dhe gjithmonë në Bruksel më jepnin bakshish, përveç çmimit që kishte një portret.

CMG: Turistët e cilave shtete kanë qenë më të interesuar për të bërë portrete tek ju, kur punonit në Bruksel?

Pjetër Lala: Në përgjithësi kishte turistë nga të gjitha shtetet, por shumë kishte dhe kinezë dhe mua më pëlqenin shumë sidomos kur punoja live për realizimin e portretit.

Pjeter Lala duke bere nje portret vajze

Pjeter Lala duke bere nje portret vajze

CMG: Gjatë muajve të verës ju shpërnguleni nga Tirana dhe shkoni në qytetet bregdetare. Ndoshta në këtë sezon veror ka më shumë të interesuar për piktura?

Pjetër Lala: Në plazh kam shumë punë, por më pëlqen të shkoj sepse dhe pushoj. Gjatë ditës pushoj dhe bëj plazh, ndërsa në mbrëmje filloj punën në orën 17.00 deri në mesnatë, ose dhe më vonë. Sivjet nëse punojnë këto lokalet e natës mund të punoj deri në orën 2.00 të mëngjesit. Viti i kaluar ishte pak i vështirë nga pandemia dhe çdo gjë mbyllej në orën 11.00.

CMG: Përveç kënaqësisë që merrni kur realizoni një portret të dikujt, po nga ana financiare jeni i kënaqur? Pra puna dhe talenti juaj a është i paguar?

Pjetër Lala: Po. Duke parë kushtet e Shqipërisë deri diku jam i kënaqur dhe në kohë të sezonit punoj sikur të jem në emigracion, kurse përgjatë vitit nuk është dhe aq keq.

CMG: Kur keni punuar në rrugë ka qenë më i lehtë kontakti me klientët, po tani që keni studio si kontaktoni me personat që kanë dëshirë të bëjnë një portret?

Pjetër Lala: Kontaktet i mbaj përmes rrjeteve sociale si Facebook, Instagram por që dal edhe në rrugë për të marrë porositë dhe vij i realizoj këtu në studio.

CMG: Po fotografi ju bëni këtyre portreteve që t’i ruani për veten tuaj?

Pjetër Lala: Për fat të keq shpeshherë harroj që t’i bëj fotografi. Po të kisha fotografitë do të ishin të paktën mbi 15 mijë portrete që kam realizuar deri sot. Çdo verë bëj gati 1000 portrete në sezonin e plazhit.

CMG: Cilët janë ata persona që vijnë dhe kërkojnë më shpesh për të realizuar portrete?

Pjetër Lala: Personat që vijnë për të bërë portrete janë të moshave të ndryshme sepse njerëzit thjesht e kanë qejf portretin. Ka raste që kur shohin që unë po bëj një portret të dikujt tjetër, vijnë dhe kërkojnë portrete sepse ju duket shumë interesante.

CMG: Ka raste kur dikush ju kërkon të realizoni një portret të dikujt tjetër, që dëshirojnë t’ja bëjën dhuratë?

Pjetër Lala: Në përgjithësi në plazh ka raste të tilla, kur djali i bën vajzës një portret ose anasjelltas, kurse këtu në Tiranë shumica bëjnë porosi për dhurata për ditëlindje, festa dhe dasma. Unë mendoj se është një ndër dhuratat më të mira dhe më të lira, pra është një dhuratë perfekte.

Intervistoi: Gazmend Agaj