Arjana Kurti është një zonjë, e cila kohën e saj e ndan mes stilimit të rrobave në rrobaqepësinë e saj dhe stilimit të poezive në bllokun e saj.

Ka nisur të shkruajë që e vogël, kur duartrokitjet e para ia jepnin shokët e klasës, ndërsa përqafimin e parë prindërit e saj.

Ariana ka dy libra me poezi në bibliotekën e saj dhe premton që do të sjellë edhe më shumë se kaq. Librat e saj "Frymëzim dhe aventurë" dhe "Aromë poetike" janë fuqia e pasionit të saj për shkrimin.

Arjana Kurti (Promovimi i lbrit të saj të parë)

Arjana Kurti (Promovimi i lbrit të saj të parë)

CMG: Arjana si t'ju njohin dëgjuesit e lexuesit?

Arjana Kurti: Unë jam një nënë me fëmijë adoleshentë. Pasioni im ka qenë gjithmonë poezia dhe çdo gjë e bukur që më rrethonte, i shkruaja një poezi. Më pas mora hapat një e nga një që të ndërtoja edhe një rrobaqepësi. Dua të ndaj një detaj. Ndoshta nuk kam lexuar shumë, por duke dëgjuar shumë radio dhe emisionet tuaja mua më dukej sikur çdo ditë lexoja. Kjo është rutina ime e bukur!

CMG: Të shkruash poezi a ka një burim frymëzimi?

Arjana Kurti : Kjo është një pyetje që mua më pëlqen, sepse kam shumë njerëz që dua t’i përmend. Po! Ka shumë njerëz që mua më motivojnë dhe ndër këto motive më e madhja dhe më e bukura është familja patjetër. Ndërsa një tjetër burim frymëzimi lind nga shoqëria, e cila çdo herë nuk është kursyer për të më vlerësuar a komplimentuar.

libri i dytë i Arjana Kurtit

libri i dytë i Arjana Kurtit

CMG: "Aromë poetike " libri juaj më i ri ku ndër rreshta thoni :

Jeta është e bukur,vetëm në liri

Ka buzëqeshje ka dhe lot në sy

Jeta ka limit

Njeriu do të vdesë

Dita e re të nisë me muzikë e shpresë.

Arjana, si ka qenë jeta juaj qysh prej fëmijërisë?

Arjana Kurti : Ka qenë shumë e bukur, si të gjjthe fëmijët e lumtur dhe të çiltër. Ajo që unë mbaj mend në fakt ka qenë se nuk jam llastuar nga prindërit, por jam rritur një fëmijë me këshilla dhe orientim për jetën. Kjo më ka bërë mua të jem me këmbë në tokë gjithnjë.Forca dhe guximi ka qenë tek unë gjithmonë.Më pas duke u rritur, duke kuptuar që fjalët e prindërve kanë qenë me vend. Dua të flas pak për lirinë sepse unë nuk kam pasur lirinë e duhur për të bërë gjërat që kam dashur në jetë, ama ia dola gjithsesi. Me hapa të vegjël kam bërë realizim ëndrrat e mija.

Kam ecur gjithmonë me forcat e mia dhe e orientuar nga këshillat e tyre.

CMG: Ku ndalet muza e frymëzimit çdo ditë?

Arjana Kurti : Tek nisja e çdo dite te bukur dhe të re.Fëmijët e mi. Buzëqeshja. Temat e ndryshme. Janë ato që më ofrojnë një forcë të brendshme dhe që është shumë e bukur të kem muzë të tillë. Doja të thoja që mbi të gjjtha është muzika ajo që të ben tjetër njeri dhe të ofron një botë shumë të gjerë .

CMG : Cilat kanë qenë sfidat në të cilat ke ndërtuar jetën?

Arjana Kurti : Momente të vështira kanë të gjithë njerëzit dhe si të gjithë unë përpiqem shumë që të mos i mbaj mend ato momente.

Por, kur kokën dhe kohën e kthej pas më vjen ndërmend momenti kur doja të publikoja librin tim të parë. Jo të gjjthë ishin dakord dhe kjo për mua ishte një shenjë dhe shije jo e këndshme.Më krijoi trishtim sepse unë nuk doja të bëja një libër vetëm për mendjen time, por kisha nevojë për motiv. Një forcë e gjeta në fund për t’i bindur e për ta sjellë librin.

Arjana Kurti në kohën e lirë (Marrë nga facebook)

Arjana Kurti në kohën e lirë (Marrë nga facebook)

CMG : Cilat janë impresionet e leximit të këtij momenti?

Arjana Kurti : Unë lexoj shumë dhe poetët që unë lexoj me tepër janë Dritero Agolli edhe Ismail Kadare. Poezi ka pafund edhe nga autorë jo shumë të mëdhenj e jo shumë të njohur. Unë e mbaj mend dhe më frymëzon për të shkuar edhe vetë.

CMG: Arjana, çfarë do të ndryshoje nëse do të shkoje 5 vite përpara dhe nëse vijmë 5 vite pas ?

Arjana Kurti : 5 vite përpara do doja të jetoja sërish sepse kanë qenë vite shumë të bukura e të suksesshme. Ndërsa 5 vite pas nuk e di sepse unë preferoj ta jetoj momentin, ta shijoj jetën siç më vjen.

Jam spontane dhe nuk përgatis një skenar të mundshëm.

CMG : Kush ka qenë personi që ka lexuar poezinë tuaj të parë?

Arjana Kurti : Prindërit! Kam qenë e vogël kur kam bërë një dedikim të tillë. Është pritur mirë ajo poezi lozonjare, sepse më vonë nuk e dija që do të botoja një libër. Kam ruajtur shumë poezi të hershme, të cilat janë udha ime e parë.

Arjana Kurti (Në profesionin e saj si rrobaqepese)

Arjana Kurti (Në profesionin e saj si rrobaqepese)

CMG : Të jesh rrobaqepëse dhe njëkohësisht poete, çfarë i bashkon këto profesione?

Arjana Kurti : Këto dy profesione janë shumë larg njëra- tjetrës, por mos harrojmë që janë edhe afër. Mua më pëlqen të stiloj shumë veshje të bukura dhe njëkohësisht të stiloj edhe poezi. E përbashkëta është arti për të bukurën. Njësoj si fijet me ngjyra janë edhe fjalët për poezinë.

CMG : Cila është fjalia më e bukur, që ofron për ne në formë motivi?

Arjana Kurti : Dëgjoni muzikë sepse është qetësi për shpirtin dhe mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja, sepse me guxim dhe dëshirë i arrin të gjjtha.

Intervistoi: Megi Latifi