Në vitin 545, gjatë dinastisë së Liang-ve, perandori dërgon në jug të Perandorisë një ekspeditë të komanduar nga gjeneral Lin King. Me të mbërritur në Kuelín, gjenerali përballet me forcat e koalicionit rebel të Li Çe-Ku-së dhe Çen Çe-së, ndërsa mëkëmbësi i tij Eu-Jang Ho depërton në Çangle, duke pastruar të gjitha shpellat e armiqve dhe duke hyrë në një zonë të rrezikshme.

Eu-Jang kishte marrë me vete edhe të shoqen që, vërtet, ishte grua me një bukuri magjepsëse. Ajo kishte një lëkurë delikate dhe shumë të bardhë.

- Gjeneral! - i thonë njerëzit e tij. - Pse keni sjellë këtu një grua kaq të bukur? Në këtë rajon ekziston një perëndi me famë për rrëmbimin e të gjitha vajzave, dhe, veçanërisht, për të gjuajtur më të bukurat. Është e nevojshme të dyfishoni rojet.

Tejet i alarmuar, atë natë Eu-Jang organizon rojet e tij të ruanin rreth shtëpisë dhe të shoqen e fsheh në një dhomë sekrete, duke e mbyllur atje bashkë me një duzinë shërbëtoresh, të cilave u beson misionin për ta mbrojtur.

Ishte në natë pus e errët dhe frynte një erë e zymtë. Megjithatë, gjithçka ishte e qetë deri afër agimit. Më në fund, të lodhur nga pagjumësia, rojet fillojnë të koten. Papritur, ata ndiejnë praninë e diçkaje të pazakontë. Të befasuar, zgjohen dhe vërsulen për te gruaja e gjeneralit, por ajo, tashmë, ishte zhdukur. Dera e dhomës sekrete ishte e mbyllur dhe askush nuk e dinte se si kishte dalë. Rojet dalin jashtë dhe kontrollojnë e kërkojnë me sy në malin e thepisur, përpara tyre, por nata ishte aq e errët sa asgjë nuk mund të shihej një hap më tutje. Pra, ishte e pamundur të vazhdohej kërkimi. U bë ditë dhe asnjë gjurmë nuk u gjet.

Thellësisht i indinjuar dhe i pikëlluar, Eu-Jang betohet se nuk do të kthehej kurrë vetëm dhe se do ta gjente, me se s’bën, të shoqen. Me pretekstin se ishte i sëmurë, ai e fushon ushtrinë atje, dhe çdo ditë del në kërkim të së shoqes, duke rrëmuar e hetuar deri edhe në rrëpirat më të thella dhe më të rrezikshëm.

Një muaj më vonë, tridhjetë lega nga kampi, në një korie me bambu, ai gjen njërën nga këpucët e qëndisura të gruas së tij, që, edhe pse e lagur dhe e bërë zhermë nga shiu, e njeh, menjëherë. Më i brengosur se kurrë, Eu-Jang vazhdon kërkimet. Me nja tridhjetë burra të tij, nga më të stërviturit, e kalon natën duke fjetur shpellave ose thjesht jashtë. Pasi ecën edhe dhjetë ditë të tjera dhe largohet rreth 60 lega nga kampi, ai zbulon një rrugë malore, dredha-dredha, që shkonte drejt jugut, përmes një pylli të dendur. Kur mbërrijnë rrëzë malit, ata gjenden të rrethuar nga një lum i thellë. Për të kaluar lumin bënë trap me dru dhe shufra nga pylli. Së largu, midis greminave dhe përmes bambuve dallojnë shkëlqimin e kuqërremtë të veshjeve të mëndafshta, dhe dëgjojnë zëra dhe qeshje femrash.

Duke ndihmuar njëri-tjetrin me litarë, duke u kapur në pjergulla larushku, ushtarët arrijnë të ngjiten deri te greminat.

Atje lart, kishte pemë madhështore, që ndërthureshin me kuadrate lulesh të çuditshme, ndërsa, më tej, shtriheshin livadhe të bukura. Gjithçka dukej e qetë dhe e freskët si një vend i veçantë, jashtë botës tokësore. Nga lindja, nën një portik të gërmuar në shkëmb, dhjetëra gra, të veshura me tërë luksin e duhur, shkonin e vinin, duke bërë gjeste argëtuese, duke qeshur dhe kënduar më së miri. Kur shikojnë burrat, ato mbeten si të paralizuara. Kur burrat afrohen, gratë i pyesin:

- Pse keni ardhur këtu?

Kur dëgjojnë përgjigjen e Eu-Jang-ut, ato, duke psherëtirë, shikojnë njëra-tjetrën, pastaj thonë:

- Gruaja juaj ka qenë me ne për më shumë se një muaj. Tani ajo është e sëmurë dhe rri shtratin. Eja ta shohësh.

Duke kaluar gardhin prej druri të portikut, Eu-Jang futet në tre dhoma te bollshme të rregulluara si sallone madhështore. Përgjatë mureve kishte rreshta me shtretër me nënkrese mëndafshi. Atje ishte gruaja e gjeneralit, e shtrirë mbi një shtrat mermeri, e mbuluar me batanije luksoze dhe para saj ndodheshin të gjitha llojet e ushqimeve ekzotike. Ndërsa Eu-Jang po i afrohej, ajo kthehet nga ai dhe, me ta njohur, gjallërohet dhe i bën një gjest për t'i thënë të largohej.

- Midis nesh ka nga ato që kanë dhjetë vjet këtu, - i thonë gratë. - Këtu jeton një përbindësh që i vret burrat. Po ashtu, ka edhe njëqind të rinj të armatosur mirë, të cilët nuk të bëjnë asgjë, por, do të ishte mirë që të iknit, para se të kthehet zoti ynë. Pastaj ejani dhe na sillni dy tonë verë të mirë, dhjetë qen që mund të shërbejnë si karrem, disa dhjetëra kilogramë kërp dhe atëherë ne mund t'ju ndihmojmë për ta vrarë atë. Duhet, patjetër, të ktheheni brenda dhjetë ditësh, vetëm në mesditë, dhe, në asnjë mënyrë, më parë.

Gratë u luten ushtarëve që të largohen sa më shpejt, dhe Eu-Jang, menjëherë i urdhëron ata të iknin.

Eu-Jang vjen sërish në ditën e caktuar me verën e fortë, me kërpin dhe qentë e duhur.

- Përbindëshi është një pijanec i madh, - i thonë gratë. Shpesh pi derisa bëhet tapë. Pasi dehet, atij i pëlqen të mat forcën. Na kërkon që ta lidhim me pëlhura mëndafshi, duar e këmbë, në shtratin e tij. Pastaj, atij i mjafton një kërcim i fuqishëm për të këputur të gjitha lidhjet. Por, kur e lidhim në mënyrë të trefishtë, ai nuk i këputë dot rripat e mëndafshit. Këtë herë, nëse e lidhim me kërpin e fshehur në lecka mëndafshi, jemi të sigurt se ai nuk do të çlirohet dot. Ai ka një trup të fortë si hekuri, por kemi vënë re se mbrohet me kujdes vetëm në një pjesë të trupit, disa centimetra poshtë kërthizës. Me siguri atje e ka pikën e dobët.

Pastaj, duke i treguar një shpellë pranë shtëpisë, ato thonë:

- Atje është qilari i tij. Fshihuni aty dhe përgjoni ardhjen e tij. Verën lëreni pranë luleve dhe qentë i lëshoni në pyll. Kur ne ta kemi përmbushur planin tonë, do t'ju thërrasim dhe ju do të dini nga qilari.

Eu-Jang dhe njerëzit e tij bëjnë ashtu si u thonë gratë dhe, duke mbajtur edhe frymën, po prisnin. Rreth mesditës, diçka e ngjashme me një copë mëndafshi të gjatë e të bardhë bie nga maja e një mali fqinj, ulet në tokë dhe hyn në shpellë. Pas një çasti, prej andej del një burrë me mjekër të bukur, mbi tri metra i gjatë, i veshur me një mantel të bardhë. Pastaj, me një kallam në dorë dhe i rrethuar nga gratë, ai ecën përpara. Kur shikon qentë, i befasuar, hidhet mbi ta, shqyen dhe i ha, derisa ngopet. Atëherë, gratë duke garuar me njëra-tjetrën, gjithë naze e buzëqeshje, i ofrojnë verën në gota nefriti.

Pasi, përbindëshi pi disa litra verë, gratë e ndihmojnë të hyjë në shtëpinë e tij. Nga brenda vazhdojnë të dëgjohen të qeshurat e grave. Pastaj, gratë dalin për t’u thënë luftëtarëve. Ata, me shpatë në dorë, hyjnë brenda, ku gjejnë një majmun të madh të bardhë, të lidhur këmbë e duar për shtrati. Majmuni, me të parë se po vinin disa të huaj, përpiqet të çlirohet, por, pasi nuk mund, mblidhet e shtrëngohet dhe zgurdullon sytë e ndritshëm. Luftëtarët, të gjithë njëherazi, i bien me shpata, por trupi i majmunit të bardhë ishte si prej hekuri dhe guri. Kur, ata nisën ta godisnin poshtë kërthizës, tehet e shpatave të tyre hynë direkt në trupin e tij. Atëherë, prej trupi të tij fillon të rrjedhë gjak. Pastaj, majmuni i bardhë fillon të rënkojë dhe thotë:

- Nëse unë vdes, do të thotë se qielli e dëshiron këtë. Ju kurrë nuk më vrisni dot mua, po të mos dojë qielli. Sa për gruan tuaj, ajo tashmë është shtatzënë. Mos e vritni birin e saj, sepse ai do t'i shërbejë një monarku të madh dhe do ta bëjë familjen e tij më të begatë se kurrë.

Sapo tha këto fjalë, majmuni i bardhë vdiq.

Pastaj, luftëtarët nisin të kërkojnë pasurinë e përbindëshit. Gjejnë mjaft objekte të çmuara dhe, mbi tryeza, sasi të mëdha me gjëra të mira për të ngrënë. Aty ishin të gjitha thesaret e njohura të botës, përfshi disa fuçi me esenca ekzotike dhe plot shpata të shkëlqyera. Kishte tridhjetë gra, që të gjitha ishin me një bukuri të pakrahasueshme, disa prej të cilave ndodheshin atje gjatë dhjetë vjetëve. Ato tregojnë se, kur një grua plakej apo i prishej bukuria, e hiqnin andej dhe nuk dihej se ku e çonin. Majmuni i bardhë gëzonte i vetëm gratë dhe kurrë nuk kishin parë ndonjë ortak të tij.

Çdo mëngjes, pasi lahej, ai mbulohej me një sombrero të madhe. Dimër dhe verë ai vishte një mantel të bardhë mëndafshi, me një jakë të së njëjtës ngjyrë. I gjithë trupi i tij ishte i mbuluar me qime të bardha, dy-tri pëllëmbë të gjata. Kur qëndronte në shtëpi, i pëlqente të lexonte pllaka druri, me shkrime që dukeshin si hieroglifike të padeshifrueshme, dhe kur mbaronte së lexuari, i fshihte ato në një skutë te shkëmbinjtë. Ndonjëherë, kur ishte moti i mirë, ai ushtrohej me dy shpatat e tij, duke i bërë të lëshonin xixa dhe rrathë flakërues, të cilët e rrethonin me një aureolë të ndritshme, sikur të ishte hëna vetë.

Hante dhe pinte nga gjërat më të larmishme, veçanërisht fruta, arra dhe, sidomos, qen, të cilëve u thithte gjakun. Në mesditë ikte, duke fluturuar larg, derisa zhdukej në horizont. Vetëm gjatë një udhëtimi ai bënte një mijë lega. E kishte zakon të kthehej në shtëpi çdo natë.

Të gjitha dëshirat e tij plotësoheshin, menjëherë. Ai kurrë nuk flinte natën. Tërë natën kalonte nga shtrati në shtrat, duke shijuar të gjitha gratë. Ishte shumë i ditur, dhe diturinë e tij e shprehte me një elokuencë të mrekullueshme dhe të mprehtë. Sidoqoftë, për sa i përket fizikut të tij, ai, përherë, ishte një lloj gorille.

Por, atë vit, me të rënë gjethet, majmuni i bardhë, i trishtuar dhe i shkretuar, ankohet:

- Tani nuk do të akuzohem më nga hyjnitë e maleve dhe do të dënohem me vdekje. Por do të kërkoj mbrojtje nga shpirtrat e tjerë dhe mbase i shpëtoj dënimit.

Pikërisht, pas hënës së plotë, strofka i tij ndizet flakë dhe të gjitha pllakat shkatërrohen. Pastaj e quan veten të humbur.

- Kam një mijë vjet që jetoj pa paraardhës e pa pasardhës. Tani do të kem një djalë. Kjo do të thotë se vdekja ime është afër.

Pastaj, kundron të gjitha gratë dhe qan, për një kohë të gjatë.

- Ky mal është i paarritshëm. Kurrë, askush nuk ka mundur të arrinte këtu. Në lartësitë e tij nuk kam parë kurrë, qoftë edhe një druvar të vetëm, pasi aty poshtë është plot me tigër, ujqër dhe lloj-lloj kafshësh të egra. Si mund të vijnë njerëzit këtu, nëse nuk do të dëshironte Qielli?

Eu-Jang kthehet në shtëpi, mbushur me smeralde, bizhuteri dhe të gjitha llojet e gjërave të çmuara. Ai gjithashtu i çliron të gjitha gratë, disa prej të cilave ende kujtonin familjet e tyre.

Pas një viti, gruaja e Eu-Jang-ut lind një krijesë që ngjante shumë me një majmun. Më vonë Eu-Jang ekzekutohet nga Perandori Vu, gjatë dinastisë Çen. Por miku i tij i vjetër Kiang Xon, i cili e donte shumë djalin e Eu-Jang-ut, për inteligjencën e tij të jashtëzakonshme, e merr në shtëpinë e tij. Kështu fëmija shpëton nga vdekja. Kur rritet, ai bëhet një shkrimtar i mirë dhe një shkrues i shkëlqyer.

E thënë thjesht, në kohën e tij, ai ishte një personazh i njohur dhe me famë.