Në Lojërat Olimpike, vullnetarët janë pjesë e pamungueshme. Ata duken në çdo kënd të lojërave dhe u shërbejnë hollësisht sportistëve, shikuesve dhe mediave. Nga kjo nuk bëjnë përjashtim as Lojërat Olimpike të Tokios 2020. Pavarësisht nga tërheqja e 10 mijë vullnetarëve si pasojë e epidemisë, afro 80 mijë të tjerë kanë qëndruar në arenën olimpike. Vajza kineze Wu Qian është një prej tyre.

Këtë verë, Wu sapo përfundoi studimet pasuniversitare në degën e komunikimit në Universitetin Meiji dhe gjeti punë në Tokio. Ajo dëshironte t’u jepte lamtumirën viteve studentore nëpërmjet pjesëmarrjes në Olimpiadë.

Wu u regjistrua në konkursin për vullnetarët e “Tokio 2020” në vitin 2018. Si studente e degës së komunikimit, ajo zgjodhi shërbimet vullnetare për mediat dhe më në fund fitoi pas disa raundesh konkurrimi. Sipas Wu-së, pjesëmarrja si vullnetare në Lojërat Olimpike të Tokios, ku studion dhe jeton, është një përvojë e çmuar për të. “Asokohe mendova se gjatë Lojërave Olimpike do të vinin në Tokio shumë gazetarë kinezë. Si kineze në Japoni, doja t’u jepja atyre sa më shumë ndihmë,” kujton Wu Qian idenë fillestare për t’u bërë vullnetare.

Qysh nga 29 qershori deri më 8 gusht, kur do të mbyllet “Tokio 2020”, Wu ka punuar dhe do të punojë 6 orë në ditë si vullnetare e Lojërave Olipmike, duke pritur gazetarë nga vende të ndryshme të botës. Ajo nuk e mendon lodhjen që ka puna si vullnetare. “Sepse gazetarët dhe kolegët e mi janë shumë miqësorë!” tha Wu duke i treguar gazetarit stema të llojllojshme, të varura në shiritin e kartës së saj të vullnetares. “Këtë ma dha Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike në ditën e parë të punës sime. Këtë e mora në ditën e dytë dhe këtë e mora kur u mbush një javë. Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike të Tokios u jep vullnetarëve stema të ndryshme sipas kohëzgjatjes së shërbimeve të tyre për lojërat. Kam marrë stemën e nivelit më të lartë. ”

Sipas Wu-së, kjo është kultura e veçantë olimpike dhe ajo po e shijon këtë eksperiencë të veçantë.

Pas shpërthimit të pandemisë, edhe Wu Qian mori parasysh heqjen dorë nga puna si vullnetare, por në fund ajo zgjodhi të qëndrojë. Nga njëra anë, Komiteti Organizator i “Tokio 2020”-s u ka ofruar vullnetarëve garanci të plota profilaktike, si mjete të ndryshme dezinfektimi, pengesa ndarëse midis vullnetarëve dhe gazetarëve në dhomën e informacionit etj. Nga ana tjetër, vajza kineze nuk dëshironte të hiqte dorë nga rasti i pjesëmarrjes në Olimpiadë.

“Vendosa të vazhdoj punën si vullnetare, sepse doja të merrja pjesë në Olimpiadë. Doja ta shijoja Olimpiadën me çdo kusht. Në fakt, çdo njeri ka frikë pak a shumë, por kjo nuk më pengoi të shkoja në arenën olimpike.” Duke folur për këtë, Wu Qian e pyeti gazetarin: “Mos vallë nuk keni mendime të përafërta?”

Sipas Wu Qian-it, në zyrën ku punon, ka mbi 20 vullnetarë dhe pesë prej tyre janë nga Kina. Krahas vullnetarëve për mediat, në “Tokio 2020” punojnë edhe shumë vullnetarë të tjerë kinezë. Kjo ka lidhje me numrin gjithnjë e më shumë të studentëve kinezë në Japoni vitet e fundit dhe shumë prej tyre kanë marrë pjesë në punët vullnetare të Lojërave Olimpike. Ata u shërbejnë jo vetëm lojërave olimpike, por edhe i paraqitin botës imazhin e të rinjve kinezë. /foto nga gazeta "Yangcheng Wanbao" (Wang Lei/ Artan)