Ndonëse një nga fotografët më të dashur në Shkodër, Pjetër Rraboshta i është prezantuar publikut për herë të parë në një ekspozitë fotografish.

Pjeter Rrabosha autoportret

Pjeter Rrabosha autoportret

80 fotografi të shkrepura rreth viteve 1940-1950 nga fotografi shkodran, janë ekspozuar për publikun në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Momente martesash, pagëzimesh me rroba ceremoniale, por edhe nga e përditshmja, janë vetëm disa nga fragmentet e asaj kohe, që serviren për artdashësit.

“Tashmë kemi një kapitull tjetër, kapitullin e një fotografi që deri më tani e kemi ditur si emër, që e kemi ditur se ka një koleksion, por asgjë më tepër se se kaq”, u shpeh drejtori i Muzeut Luçiano Bedeni në ceremoninë e hapjes për mediat.

Ekspozita realizohet nën kujdesin e kuratorit Zef Paci, i cili për disa muaj me radhë ka përzgjedhur nga një fond prej 16 mijë negativësh që familja e Rraboshtës, ia ka dorëzuar muzeut. Ai thotë se Rraboshta mbetet fotografi i njerëzve të thjeshtë dhe dëshmoi autenticitetin e jetesës së shkodranëve.

“Për mua ka qenë një provojë shumë e bukur për të hulumtuar me muaj të tërë në arkivin e vendosur në dispozicion për mua nga muzeu bujarisht. Kur i shikon këto imazhe të vijnë në mend përjetime që i ke pasur në fëmijërinë tënde. Shpesh ka ndodhur edhe ky proces, që ti nga fotot e Marubit, Jakovës apo Rraboshtës, ke parë edhe një herë gjëra që ti i ke parë edhe më përpara”, shprehet kuratori i ekspozitës, Zef Paci për gazetarët.

Për të realizuar këto fotografi, Pjetër Rraboshta, ka shëtitur pa reshtur në qytete e malësi. Mjeshtër Rraboshta krahas punës në studio, fotografoi në lulishten e qytetit, në aktivitetet fetare, tregtare, sportive, politike, etj. Për kuratorin përzgjedhja e fotove për ekspozim nuk ka qenë e lehtë. Ai vëren se Rraboshta dinte ta kapte momentin, edhe brenda vetë fotos.

Portret fëmije

Portret fëmije

Asokohe, ishte ai fotografi që bënte albumin e familjeve, i takonte të shkonte aty ku familjet ishin, në oborret dhe shtëpitë e tyre, gjatë punës, festave apo pushimeve. Njerëzitshfaqen me qëndrimet e petkat përkatëse në të njëjtat kënde, bri një dere, para një muri, në shtëpi a në oborr, në kishë a para kazermës, në një shesh, në rrugë, në lulishte, në borë a në plazh. Pikërisht në këtë përsëritje, ndodhte e papërsëritshmja që sillte koha dhe subjektet. Historitë që na ofron mjeshtri Rraboshta përmes objektivit të tij janë histori të vogla dhe ai nuk është jashtë historive të tyre, përkundrazi, ndjehet se ai bën pjesë në to.

Bashkëqytetarët e quanin, “Rraboshta i fëmijëve”. Kjo temë, me akorde herë fetare e herë profane, përshkon korpusin fotografik të Rraboshtës. Ajo përcjell çaste lumturie e parehatie sa prej të përditshmes aq edhe prej riteve fetare. Sidoqoftë, arkivi i tij ngërthen gjerësisht edhe moshat e tjera në një spektër temash mbi shoqërinë, mbi jetën, me ritmet e ritet e saj.

Ndër këto të fundit, të shumta janë imazhet e martesave që shtjellohen në të njëjtat itinerare: shtëpi-veturë-kishë-e anasjelltas. Këto skema martesash e krezmimesh, shfaqin një mpleksje të njerëzve me rroba ceremoniale bashkë me ato të përditshme, si pjesëmarrës e si spektatorë. Aty, ndonjëherë ndodh që spektatorët e ceremonive të kthehen në protagonist.

Pjetër Rraboshta ishte njëri prej fotografëve më të njohur të qytetit të Shkodrës gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.

Fëmijet në ceremoni fetare Portret fëmije

Kjo ekspozitë vjen si iniciativë e Muzeut Marubi për të hapur arkivat dhe për t’i bërë të njohura para publikut, fotografitë e disa eksponentëve elitarë të mjeshtërve shkodranë, që arritën ta zhvillojnë përmes një niveli të lartë, artin e fotografisë. Kështu pas ekspozitave të fotografit Shan Pici, Angjelin Nënshati e Dedë Jakova, më në fund procesi arriti tek fotografi Pjetër Rraboshta.

Në ndryshim prej të gjithë fotografëve të tjerë, koleksioni i tij ka qenë tërësisht i padigjitalizuar. Në këtë kuadër, është digjitalizuar arkivi i plotë prej rreth 16 mijë imazhesh të Pjetër Rraboshtës, prej nga ku kuratori Paci përzgjodhi vetëm 80 prej tyre për ekspozim.

“Kjo ekspozitë nuk synon ta shterrojë prurjen interesante që sjell një fotograf si Pjetër Rraboshta, por kërkon të japë fragrancë se çfarë përmbajnë këta 80 e ca imazhe të printuara dhe disa të projektuara, për me dhanë me shije dhe për me kuptu një pjesë të qëndrimit të tij, të botkuptimit të tij, e për pasojë edhe të Shkodrës, të periudhës kur ai operoi si fotograf ”, komenton kuratori.

Kuratori Zef Paci shprehet se Pjetër Rraboshta më përpara kishte përjetuar artin e Idromenos dhe Marubit dhe sjell në fotot e tij pikërisht këtë gjendje duke realizuar foto me shumë vlera të jetës sociale, kulturore dhe historike të njerëzve të thjeshtë të qytetit.

Në imazhet e Pjetër Rraboshtës është një pjesë e konsiderueshme e Shkodrës së vjetër dhe të bukur që në këto 30 vitet e fundit shumëçka ka humbur dhe i vetmi ngushëllim janë këto imazhe.

Qyteti që fotografoi nuk ishte kaotik, por gjithesi i larmishëm, me mpleksje shtresash e prurjesh të ndryshme shoqërore, edhe pse një shtresë e lartë duket se mungon.

Imazhet përçojnë aromën e një qytetit intim mesdhetar që ndjell vegime e përjetime nostalgjike.

Pjeter Rrabosha Stende

Pjeter Rrabosha Stende

Pjetër Rraboshta u lind në Shkodër në vitin 1917, në familjen e një artizani që punonte petka tradicionale. U shkollua në “Kolegjin Saverian” të jezuitëve. Rininë e hershme e kalon si nxënës pranë “Dritëshkrojës” së Kel Marubit ku edhe punon për disa vite. Në fillim të viteve ’40, hap në rrugën kryesore të qytetit studion e tij “Foto Rraboshta”.

Rreth vitit 1963, me mbylljen e aktiviteteve private, hyn në repartin e fotografëve pranë Kooperativës Shtetërore të Artizanatit. Rraboshta, që kishte shëtitur pa rreshtur nëpër qytete e malësi, në vitet e fundit të punës në këtë repart, nuk doli më në terren. Për shkak të problemeve shëndetësore që ia pengonin ecjen e gjatë, ai punoi në laborator ku lau filmat dhe fotografitë e kolegëve deri ditën e daljes në pension. Kishte nam si “mjeshtër i dhomës së errët”.

Në vitin 1970 i dorëzon shtetit arkivin e vet fotografik prej mbi 16 mijë negativësh. Pjetër Rraboshta vdiq në Shkodër në vitin 1987 në moshën 70-vjeçare por duke lënë pas një pasuri të madhe sa i përket fotografisë.

Neritana Kraja