Autor, përkthyes dhe albanolog, një studiues i pazakontë i kulturës shqiptare, padyshim Robert Elsie ishte një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë. Në kuadër të muajit të Bibliotekës, që si i tillë është përcaktuar muaji korrik, ka qenë vetë ministrja e kulturës, Elva Margariti, që ka kujtuar me nderim aktivitetin e këtij studiuesi.

Është impresionues fakti se si ky njeri, vitet më të mëdha të punës dhe karrierës ia kushtoi studimeve dhe përkthimeve shqiptare, madje i adhuronte shqiptarët. Robert Elsie ishte një studiues i pasionuar, i pazakontë i kulturës sonë, me këndvështrime origjinale dhe shumë prodhimtar, ishte një kanadez me origjinë gjermane. Ai lindi në vitin 1950 në Vankuver të Kanadasë dhe kreu studimet në Universitetin e Kolumbisë Britanike për Filologji Klasike dhe Gjuhësi në vitin 1972.

Më tej, vijoi studimet në Berlin e më pas në Paris, në Institutin e Dublinit në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit, ku dhe mbrojti doktoraturën në vitin 1978. Që nga ky vit, ai nisi të vizitonte Shqipërinë disa herë në kuadrin e “takimeve shkencore” midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ai i ka kushtuar me dhjetëra studime gjuhës, letërsisë dhe historisë së Shqipërisë. Njihej edhe pasioni i tij për fotografinë, duke publikuar herë pas here koleksione të rralla, që dëshmonin për Shqipërinë në periudha të ndryshme. Ka përkthyer shumë vepra nga letërsia shqipe, duke dhënë një kontribut të çmuar në njohjen e saj jashtë vendit. Robert Elsie ka përkthyer në gjuhën angleze autorë dhe poetë të rëndësishëm shqiptarë si Gjergj Fishta, Migjeni, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Azem Shkreli, Eqrem Basha, Ornela Vorpsi; është autor i shumë recensioneve mbi veprat e Ismail Kadaresë, Xhevahir Spahiut, Shaip Beqirit, Kasëm Trebeshinës, etj.

Robert Elsie, krahas kontributit të tij të çmuar si albanolog, studiues e përkthyes do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga publiku shqiptar edhe për vetëdijen dhe kujdesin e veçantë që tregonte për pasurimin e arkivave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me dhurimet e veprave e artikujve të tij të shumtë studimorë.

Ato përbëjnë sot një fond të vyer në fushën e albanologjisë dhe studimeve mbi letërsinë e kulturën mbarëshqiptare. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare ruhen mbi 150 libra dhe artikuj shkencorë, kryesisht në fushën e albanologjisë, antropologjisë, përkthimeve nga thesaret e folklorit shqiptar, por edhe përkthime të autorëve të letrave shqipe, ku spikat kontributi i rëndësishëm përmes përkthimit të veprës epike të Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”.

Janë të paktë studiuesit e huaj të kulturës shqiptare, që duke mos kursyer përkushtimin, kohën, mjetet personale financiare, të kenë qenë kaq gjithëpërfshirës në punën e tyre: gjuha shqipe dhe historia e saj, letërsia shqipe dhe historia e saj, arti dhe historia e artit shqiptar, etnogjeneza e shqiptarëve dhe diskursi shkencor për të kanë qenë objekt i kureshtjes së Elsie-t.

Të panumërta janë botimet ku Elsie ishte përzgjedhës artikujsh e këndvështrimesh. "Përralla shqiptare", "Letërsia klasike shqiptare", "Fiset shqiptare: historia, shoqëria, kultura", "Udhëzues për kulturën historike të shqiptarëve", "Fjalori historik i Shqipërisë", "Fjalori historik i Kosovës" janë disa nga veprat që Elsie botoi si autor viteve të fundit.

Robert Elsie e shihte veten aq shumë të lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe e vlerësonte fortetografinë tonë, sa edhe realizoi një set fotografish i veshur me kostum kombëtar. Ky imazh i një burri me buzën në gaz dhe i veshur me kostum tradicional shqiptar, që fliste një shqipe të pastër dhe demostronte ndryshe nga shqiptarët, një karakter të qetë dhe të përmbajtur, është padyshim një nga njerëzit që do i mungojnë Shqipërisë.

Albanologu Robert Elsie ndërroi jetë më 2 tetor të vitit 2017 nga një sëmundje e rëndë e cila e ndau nga jeta ende të ri dhe me energji dhe përkushtim ndaj botës së letrave.

Gjatë jetës së tij, Elsie krijoi një dashuri për Alpet e Shqipërisë e sidomos për Thethin. Sipas amanetit të tij, ai u varros në fshatin verior, në një varr të thjeshtë, siç ishte vetë jeta e tij, të vendosur në Alpet Shqiptare. Mbi kokë, si amanet i rri një gur ku është gdhendur emri i tij.

Neritana Kraja