Plazhi i Velipojës është destinacioni i përhershëm i shkodranëve, kur vjen fjala tek pushimet e verës. Të gjitha familjet në Shkodër e kanë të ndërlidhur rritjen e fëmijëve dhe jetën e mëvonshme me këtë plazh. Që me fillimin e qershorit e deri në shtator, ato u drejtohen, disa prej tyre, shtëpive të verimit, pasi kanë ndërtuar shtëpi të dyta në Velipojë, ndërsa të tjerët marrin me qira shtëpi private apo apartamente akomoduese. Si të thuash, jeta në një farë kuptimi zhvendoset atje. Kjo bëhet jo vetëm për t’í shpëtuar të nxehtit përvëlues, por edhe pse shkodranët ia njohin më mirë se askush tjetër vlerat kurative plazhit të tyre.

Sapo të afroheni në plazhin e Velipojës menjëherë ndjehet aroma e jodit, të rërës së saj kurative, e cila e dallon këtë plazh nga të tjerët. Në breg të detit, mbi rërë, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje, mund të shihni gjurmët e zeza të jodit. Vetë rëra është përbërë nga gurë jo shumë të imët në ngjyrë gri të errët, që shkodranët e etiketojnë thjesht si “ranë e zezë”. Rëra është e thellë dhe e shkrifët.

Plazhi është ndër më të mëdhenjtë në bregdetin e Shqipërisë, ka një vijë bregdetare për shfrytëzim 14,5km, që nis në veri nga grykderdhja e Bunës, deri pranë “Ranës së hedhun” në Shëngjin.

Plazhi ofron hapësira të pafundme të mbushura me pisha të buta bregdetare, ujë të kthjellët dhe të pastër, rezervate natyrore, laguna dhe ishuj që ndërrojnë formë.

Vetëm 5 km pas Derdhjes së Bunës, ndodhet plazhi i Ulqinit.

Velipoja me plazhin e saj është vendi turistik më i frekuentuar në veriun e Shqipërisë. Ajo pret turistë të shumtë edhe nga Kosova e Maqedonia.

Si të shkoni në Velipojë?

Plazhi ndodhet vetëm 28 km larg, nëse niseni nga qyteti i Shkodrës.

Por, nëse po shkoni nga jugu drejt veriut, për të shkuar në Velipojë me autoveturën tuaj, duhet të merrni superstradën Tiranë - Shkodër dhe 3 km para se të hyni në Shkodër, tek Harku i Bërdicës, që është lehtësisht i dallueshëm edhe me sy, por ka edhe tabela që ju orientojnë, do të merrni majtas për në kthesën e Velipojës, ku do ju duhen 30 minuta për të mbërritur në plazh.

Rruga që do të bëni kalon mes fshatrave të Nënshkodrës. Rruga është bërë së fundmi, më e gjërë dhe e aksesueshme se më përpara, gjë që e ka ndihmuar turizmin e zonës. Rrugës do të shihni fshatarë me tezga, që shesin produktet e zonës, të freskëta dhe organike. Mos hezitoni të blini prej tyre domate, kastravecë, speca apo shalqi. Nuk do të pendoheni, sepse kanë një cilësi të shkëlqyer. Pamja ndërsa ecni me makinë është piktoreske, mes fushave të mbjella dhe fshatarëve që janë mësuar me lëvizjet e turistëve. Kur kaloni Malin e Jushit, para se të zbrisni për në ultësirën bregdetare, syri do ju kapë një horizont të bukur me det të pafund dhe pisha. Është Plazhi i Velipojës dhe për dhjetë minuta të mbetura do të ndodheni atje.

Rruga kryesore ku do të ecni me makinë, shkon paralel me bregun dhe në të djathtë ndodhen rrugica më të vogla me numrat përkatës, që ju ftojnë drejt njësive akomoduese.

Çfarë të bëni në Velipojë?

Plazhi i Velipojës ofron relaksin dhe argëtimin nën rrezet e diellit për tre muajt e sezonit veror. Sportet ujore dhe argëtimet në rërën e plazhit janë aktivitete që i japin gjallëri këtij plazhi. Në Velipojë ndodhen disa hotele, qëndra rezidenciale për pushuesit dhe një resort i madh.

Në Velipojë, pushimet tuaja nuk do të jenë aspak rutinë. Pranë lagunës së Vilunit mund të drekoni në një piknik të këndshëm me familjen tuaj, nën freskinë që ofrojnë pishat, duke dëgjuar cicërimat e zogjve dhe duke shijuar pamjen që ofron Laguna e Vilunit dhe shpendët e shumtë shtegtar.

Një veçanti tjetër e Velipojës është parku i saj Kombëtar. Një hapësirë e gjelbërt dhe shlodhëse, që ofron një kontakt të drejtëpërdrejtë me natyrën.

Mos hezitoni të merrni me vete biçikletat për ta shfrytëzuar këtë mundësi që ju jepet. Mund të ecni me biçikleta brenda parkut, ose në këmbë, nën hijen e pemëve të larta dhe të rrethuar nga një bimësi e shumëllojshme, do të keni mundësi të vëzhgoni natyrën dhe bukurinë e saj. Kujdes, nuk lejohet të hyni me makinë!

Mund të hipni në kuaj dhe të kalëroni mbi to, duke provuar ndjesinë e lirisë, mes pyllit ku ndihen cicërimat e zogjve dhe gjallon një faunë e pasur.

Mund të shkoni duke ecur me këmbë edhe drejt Derdhjes së Lumit Buna, kufirit verior të plazhit të Velipojës. Mund ta bëni duke ecur përgjatë bregut dhe atje të kaloni një një kohë të mrekullueshme duke peshkuar, përveç pamjes së mrekulleshme që ju ofron lumi Buna duke u derdhur në det. Në ujrat e rrjedhshëm të Bunës mund të peshkoni lloje të ndryshme peshqish të ujrave të ëmbël si: troftë, krap, etj.

Për të rinjtë surprizat nuk mungojnë. Jeta e natës në Velipojë është e gjallë, me disko e clube, të cilat funksionojnë gjatë gjithë natës. Ndërsa për të moshuarit, mbrëmja kalon e qetë me shëtitjet klasike buzë bregdetit ose duke shijuar ushqimin e restoranteve shpesh me muzikën Live nga artistët e ftuar.

Akomodimi

Kapaciteti i përgjithshëm është 35 000 shtretër dhe çdo vit në Velipojë pushojnë rreth 200 000 pushues në sezon.

Çmimet e hoteleve, kabinave apo dhomave ku mund të akomodohen pushuesit ditor apo dy javor janë të ndryshme dhe variojnë sipas kushteve që afrojnë.

Çmimet e hoteleve shkojnë nga 20-100 euro/person në ditë. Apartamentet me qera për një periudhë dy javore shkojnë nga 45.000 lekë (qershor) deri 60.000/70.000 lekë (në korrik e gusht). Apartamentet janë 1+1 apo 2+1, kanë banjo e ballkone dhe ofrojnë paisje kuzhine.

Për pushuesit që pëlqejnë muzikën e vrullshme, dyndjen e njerëzve, karuselët dhe bisedat e njerëzve deri pas mesnate, ne rekomandojmë zonën e qendrës, nga rruga nr.6 deri tek rruga nr. 12, ku rruga nr.9 ju çon në qendrën e plazhit. Ndërsa për ato që janë më diskretë, që duan më shumë qetësi dhe një jetë më familjare, ne rekomandojmë zonën nga rruga nr 2 deri tek rruga nr 5.

Rrjolli

Në juglindje të Velipojës, shtrihet një fshat i bukur dhe kryesisht i panjohur, Boks-Rrjoll, i cili së bashku me plazhin e tij të virgjër me ujëra të kristalta dhe rërë të mbushur me jod, e bëjnë këtë zonë të adhurueshme.

Ndër bukuritë e shumta të fshatit, më e goditura është plazhi i tij i virgjër me rërë dhe ujë të pastër si kristali.

Plazhi ka një shtrirje prej 4 km e cila shtrihet në një zonë me pyll e duna të vogla rëre. Plazhi i “strukur” e deri para pak kohëve i shfrytëzuar vetëm nga banorët e këtij fshati, vitet e fundit është kthyer në përzgjedhje të mirëfilltë të pushuesve. Çdo herë e më shumë njerëzit po synojnë që gjatë pushimeve të shkëputën nga zhurma e përditshme, e për këtë, plazhi i Rrjollit është një zgjedhje shumë e zgjuar.

Ishulli i Franc Jozefit

Ky ishull i vogël, por shumë i bukur ndodhet në deltën e lumit Buna. Ai ka një histori interesante, pasi është krijuar nga depozitimet e mbetjeve të lumit, mbas mbytjes në 1881 të anijes austriake me të njëjtin emër nga flota ruse, që kishte ardhur për të detyruar shqiptarët t’i dorëzonin Ulqinin Malit të Zi, në zbatim të vendimeve famëkeqe të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqiptare. Ky ishull dallohet për bimët dhe kafshët e rralla si druri i rrënjës, që është një lloj dushku tepër i rrallë dhe në rrezik në zhdukje.

Neritana Kraja