Foto:VCG

Foto:VCG

Shumë vite më parë, në rrëzë të maleve Pesë Gishtat, jetonte një njeri që i binte bukur flautit prej bambuje. I binte aq mirë sa gushëverdhi beng nuk guxonte të garonte me të, mëllenja nuk këndonte dot melodi aq të bukura dhe as zëri i bukur i laureshës nuk tingëllonte aq magjishëm. Kur ky njeri fillonte t’i binte flautit, zogjtë ndalonin fluturimin dhe uleshin degëve për të shijuar atë melodi të magjishme, fshatarët linin punën dhe dëgjonin me kënaqësi; pleqtë, sa dëgjonin flautin e tij, ndiheshin të përtërirë, ndërsa fëmijët hidheshin përpjetë nga gëzimi... Dhe aq e bukur ishte muzika e atij flauti prej bambuje sa njerëzit besonin se vinte nga qielli, kështu që njeriun që i binte e quajtën: «Njeri që i bie flautit qiellor».

Një ditë, Mbret-Dragoi i Detit të Jugut, për nder të hyjnive, shtron një banket në plazh. Tetë mijë hyjni, veshur me rroba të shtrenjta ekzotike bisedojnë dhe gëzojnë, duke ngrënë e pirë, përreth gostitësit, veshjen e mrekullueshme të të cilit e shtrëngonte një rrip prej nefriti.

Dhe pikërisht atë ditë feste, pasi kishte shëtitur dhjetë ditë e dhjetë net, «Njeriu që i binte flautit qiellor», vjen në plazh për të peshkuar. Ai, pasi hedh rrjetën në detin e qetë, ulet mbi një gur të pastër dhe të lëmuar dhe fillon t’i bjerë flautit. Në çastin, kur Mbret-Dragoi ngre dollinë me mysafirët e tij, dëgjon këtë melodi aq të mrekullueshëm sa nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë. Që të gjitha hyjnitë mbeten pezull, madje harrojnë tavolinat plot me gatime të rralla dhe lanë gotat prej nefriti. Njeriu me flaut nuk e dinte dhe as mund ta imagjinonte që, në atë kohë, tërë ato hyjni po dëgjonin flautin e tij. Ndërsa hyjnitë, nga ana e tyre, nuk e vinin në dyshim se kushdo që i binte atij flauti, duhet të kishte zbritur nga qielli i epërm mbi botën njerëzore.

Mbret-Dragoit i pëlqeu aq shumë melodia e atij fyelli sa donte ta takonte të zotin e flautit që t’i mësonte të birin për t’i rënë atij instrument. Dhe, duke ndjekur drejtimin nga vinte melodia, gjen njeriun, i cili pasi mbledh rrjetën, vendos flautin në rripin e tij të gjerë dhe shkon pas Mbret-Dragoit, në pallatin mbretëror.

Kalojnë tre vjet dhe djali i Mbret-Dragoit mëson t’i bjerë flautit prej bambuje, kështu që flautisti, të cilin e kishte marrë malli, shumë, për familjen dhe vendin e tij, i lutet Mbretit që ta linte të kthehej në shtëpi. Dhe Mbret-Dragoi, mirënjohës ndaj tij, e lejon të iki dhe i thotë të birit që ta shoqëronte mësuesin për të zgjedhur dy dhurata - ato që ai dëshironte - nga thesari mbretëror. Kishte gurë të çmuar të kuq, të verdhë, të kaltër, etj; shufra prej ari të të shndritshëm dhe qindra mijëra objekte shumë të çmuara. Flautisti shkon dhe shikon gjithçka te dhoma e thesarit të Mbret-Dragoit. I tërheq vëmendjen një shportë cilindrike, e bërë me shirita bambuje dhe mendon: «Sa e mirë qenka për të hedhur karkalecat dhe peshqit që unë kap». Gjithë gëzim, e merr atë shportë dhe e lidh te rripi i tij. Pastaj, në një dollap, ai shikon një pelerinë kundër shiut dhe thotë me vete: «Me këtë pelerinë mund të shkoj në det për të peshkuar edhe në ditë me shi dhe me erë». Dhe kjo është dhurata e dytë dhe e fundit që ai zgjedh.

Me të dalë nga dhoma e thesarit, i shoqëruar nga djali i Mbret-Dragoit, mbreti, tejet i habitur, e pyet:

- Pse ke zgjedhur këto objekte të thjeshta, midis gjithë atij ari dhe argjendi, midis perlave dhe gurëve të çmuar?

Mjeshtri i flautit buzëqesh dhe i përgjigjet:

- Ari dhe gurët e çmuar harxhohen dhe zhduken. Përkundrazi, me këtë shportë bambuje dhe me këtë pelerinë shiu, mund të shkoj çdo ditë për peshkim dhe, me peshkun që do të kap, kurrë, nuk do të jem i uritur.

Por, kur kthehet në shtëpi dhe shkon, për herë të parë, për peshkim, ai zbulon se ato dy dhurata ishin me të vërtetë dy objekte të mrekullueshme. Kur u kthehet nga peshkimi, vë re se shporta prej bambuje, gjithnjë, rrinte plot e përplot me peshq shkëlqyes, ndërsa pelerina hapej dhe, duke fluturuar, e çonte në Detin e Jugut, në vendin më të mirë për peshkim.

Në këtë mënyrë, me shportën e bambusë dhe me pelerinën e shiut, mjeshtri i flautit fluturon mbi malet Pesë Gishtat dhe, me t’i rënë flautit, melodia përhapet në kupën qiellore dhe në tërë botën vërshon hareja dhe gëzimi.